Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, njëherësh lideri i Demokratëve, Aleksa Becic e cilësoi si “tentim klasik për puç kushtetues” dhe ndaj vullnetit të qytetarëve e demokracisë, iniciativën për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit, Zdravko Krivokapic.
Më 19 janar, Lëvizja Qytetare Ura, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq, dorëzoi në procedurë parlamentare mocionin për mosbesimin e Qeverisë.
Kjo nismë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e DPS-së të presidentit të Malit të Zi, Milo Djukanovic.
Por, Becic, partia e të cilit është pjesë e koalicionit aktual qeverisës tha se pjesëtarët e shumicës aktuale kishin deklaruar më herët se nuk do të bashkëpunonin më me partinë e Djukanovic dhe tani kësaj partie po i ofrojnë mundësinë që të formojë shumicën parlamentare.
“Ky quhet mashtrim politik”, tha Becic, duke shtuar se është duke u bërë “tradhti me përmasa epike”.