7 Marsi – Dita e Mësuesit është festë kombëtare e cila na përkujton ditën kur më 7 mars 1887, u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ( jo fetar ) ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj.
Qendra Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, këtë vit do të organizojë manifestim për nder të kësaj feste kombëtare.
Njoftimi i plotë nga QKI “Malësia”:
Në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” organizohet manifestimi për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, që përfshin garat në poezi me moton “Poezia na bashkon”. Në këtë manifestim do të garojnë nxënës nga shkollat me mësim në gjuhën shqipe, në Malin e Zi.
Ky aktivitet do të mbahet të shtunën më 5 mars 2022, në ora 13:00, në sallën e Qendrës Kulturore – Informative “Malësia” Tuz.
Shkollat, të cilat do të marrin pjesë në garë: SHF “Mahmut Lekiq” Tuz, SHF “Bedri Elezaga” Ulqin, SHF ”Bashkimi” Skorraq, SHF ”Dacaj” Rozhajë, SHF ”Xhafer Nikoçeviq” Guci, SHF ”Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” Triesh dhe SHF ”29 Nëntori” Dinoshë.
Në garë do të marrin pjesë nga dy nxënës/e, prej çdo shkollë ( një nga cikli i 2-të dhe një nga cikli i 3 – të).
Juria përbëhet nga prof. Ismet Kallaba, Mark Lucgjonaj, shkrimtar dhe Vasel Berishaj, profesor i gjuhës shqipe.
Synimi i garës është që të bëhet tradicionale, sepse mësuesit meritojnë nder dhe respekt të veçantë për punën e palodhshme në edukimin e gjeneratave.
Me respekt,
Vasel Berishaj
UD i Drejtori