Kryetari i Këshillit Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi (KKSh), Faik Nika, e ka uruar kryeministrin e ri të Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe ministrat Fatmir Gjeka e Marash Dukaj në detyrat e tyre.
“Urime e suksese në detyrë Kryeministrit Abazoviq, Ministrave Gjeka e Dukaj.
Ngjarje e veçantë e historike për shqiptarët në Malin e Zi.
Është hera e parë në historinë e këtij shteti, që Kryeministër zgjidhet një shqiptar, për çka duhet të ndihen mirë shqiptarët, jo vetëm në Mal të Zi.
Po ashtu në kabinetin qeveritar, për herë të parë shqiptarët përfaqësohen me dy ministra nga subjektet nacionale shqiptare.
Shqiptarët çdo herë kanë qenë faktor stabiliteti dhe promotor të integrimit të Malit të Zi në aleancën e shteteve përendimore demokratike si shëmbull i shoqërive të lira e të zhvilluara.
Ne besojmë fort se këtë kurs do ta ndjek edhe më shpejt qeveria e udhëhequr nga kryeministri shqiptar Abazoviq.
Kryeministrit Dritan Abazoviq dhe ministrave Fatmir Gjeka dhe Marash Dukaj ju dëshiroj punë të mbarë, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, e në vaçanti të shqiptarëve në trojet e tyre” ka shkruar Faik Nika.
/MALESIA.ORG/