Ismet Kallaba – Kryeministrat shqiptarë dhe loja mediatike


Shkruan: Ismet Kallaba

Zgjedhja e Dritan Abazoviqit, politikanit pop star në krye të Qeverisë së re të Malit të Zi, duke qenë shqiptari i parë në historinë e Malit të Zi që mban një post kaq të lartë, ka ngjallur me të drejtë interesimin e mediave dhe opinionit në vendet e rajonit. Por përtej kësaj, mediat shqiptare e kanë tepruar duke vënë theksin te tre kryeministrat shqiptarë në rajon dhe hamendësuar për mundësinë e kryeministrit të katërt shqiptar, nëse në të ardhmen edhe në Maqedoninë e Veriut do të zgjidhet një kryeministër shqiptar, siç e parashikon marrëveshja për bashkëqeverisje.

Pa e mohuar aspak rëndësinë e kësaj ngjarjeje, e cila me të drejtë është cilësuar si historike duke pasur parasysh faktin se dikur, jo shumë kohë më parë, një gjë e tillë as që ka mundur të imagjinohet në Malin e Zi, ngazëllimi i mediave shqiptare tregon se jetojnë jashtë realitetit. Tekefundit, a duhej të bëhej një kryeministër shqiptar që një pjesë e mediave dhe e gazetarëve në Shqipëri dhe Kosovë të “mësojnë” se edhe në Malin e Zi ka (jetojnë) shqiptarë?!
Fakti që një shqiptar është kryeministër i Malit të Zi, përpos që përbën një arritje personale për vetë Abazoviqin, paraqet një arritje edhe për shqiptarët në Malin e Zi. Kjo, në parim, tregon për demokratizimin e shoqërisë malazeze dhe të shtetit të Malit të Zi, ku shqiptarët kanë përjetuar historikisht diskriminim (politik, ekonomik, kulturor, arsimor etj.). Megjithatë, qasja e mediave shqiptare duke vendosur në qendër të debatit tre (katër) kryeministrat shqiptarë është e gabuar dhe një lojë mediatike që nuk i shërben interesit publik.
Ne nuk duhet të ngazëllehemi nga fakti se aktualisht kemi tre kryeministra shqiptarë në tre vende të rajonit, ose nëse një ditë do të kemi katër kryeministra shqiptarë. Çështja kryesore është se çfarë kanë bërë kryeministrat shqiptarë, më saktë çfarë do të bëjnë ata në të ardhmen?! Për momentin, ne kemi dy shtete shqiptare në Ballkan, por shqiptarët po largohen me të madhe nga vendi i tyre. Ky është një tregues i frikshëm se diçka nuk po shkon si duhet! Gjendja e shqiptarëve në Ballkan, të shpërndarë dhe të ndarë në disa shtete, është pasojë e faktit se nuk kemi pasur një shtet të fuqishëm (shqiptar), i cili do t’i mbronte shqiptarët në vendet e tyre, ku ata jetonin si popull autokton.

Në rastin e shqiptarëve në Malin e Zi, ndonëse në vendin e tyre, ata ndjehen si jetimë, të diskrimuar dhe pa mbështetjen e nevojshme nga Tirana dhe Prishtina zyrtare (Shqipëria dhe Kosova).
Përpos kësaj, mendoj se nuk duhet t’i fryjmë shumë kësaj çështjeje (të tre/katër kryeministrave shqiptarë në rajon), sepse është diçka që çon ujë në mullirin e huaj, të cilët këtë çështje krejt normale për vendet demokratike e konsiderojnë si diçka armiqësore, kundër tyre. Pra, është mirë që të merremi më tepër me substancën sesa me formën.
Por politika i ka “qorruar sytë” medias shqiptare. Raporti i politikës dhe medias shqiptare është problematik, sepse në përgjithësi është politika ajo që dominon dhe vendos agjendën e medias. Pra, nuk është një raport bashkëpunimi media-politikë, por përpjekje e politikës për të zotëruar dhe dominuar median, gjë që në njëfarë mënyre edhe ia ka arritur.