Klubi i futbollit Malësia 2010 mori pjesë në kampin e futbollit të ekipit të Dinamos së Zagrebit. Klubi i udhëhequr nga David Camaj mori pjesë me gjashtë lojtar të moshave të vogla, në mesin e 170 futbollistëve nga pjesë të ndryshme të Evropës. Kampi i futbollit filloi më 22 korrik dhe zgjati deri më 26 korrik.
Siç sqaron trajneri David Camaj, interesimi për këtë kamp është shumë i madh, ku për shkak të kufizimeve u pranuan 170 vogëlush, nga 500 sa paraqitën kërkesën. Këtë interesim kaq të madh, Camaj e arsyeton se Akademia e Dinamos vlerësohet në mesin e tre akademive më të mira të futbollit në Evropë.
“Gjatë kampit kaluam një trajnim si asnjëherë më parë, çdo mëngjes ushtrimet zgjatën nga tre orë. Jam shumë i kënaqur me kampin dhe me ekipin tonë. Nga gjashtë vogëlushët e klubit, dy u zgjodhën në mesin e dhjetë lojtarëve më të mirë të kampit. Ata janë Matis Dedvukaj dhe Martin Junçaj. Në ditët në vijim, nga dhjetë lojtarët e zgjedhur, do të përzgjidhen dy të cilët do të i bashkohen Akademisë së Dinamos. Kampi ishte një eksperiencë e mirë që ndihmon zhvillimin e vogëlushëve por edhe mua si trajner,” u shprehë për Malesia.org, trajneri David Camaj.
“Në biseda me trajnerë evropian u tregova se një vend i vogël siç është Malësia, dhe ne si një klub i vogël që jemi, kemi prodhuar shumë futbollistë që sot luajnë në ekipe të ligave rajonale, por tashmë kemi edhe tre lojtarë që luajnë në liga evropiane. Kemi Driton Camaj, Nikolla Ivezaj dhe Stefan Miliq që tashmë luajnë në Evropë.” shprehet Camaj.
/MALESIA.ORG/