Debat dhe frikë e pakuptimtë mbi flamurin

Shkruan: Albert Bikaj

Sot në mediat dhe rrjetet sociale në Mal të Zi u zhvillua, dhe po zhvillohet, një debat i panevojshëm, që të mos them histeri, rreth përdorimit të flamurit shqiptarë përkrah atij malazias, amerikan, BE-së dhe NATO-s, nga ministri Marash Dukaj. I cili nuk përfaqëson vetëm shtetin malazias, por edhe shqiptarët në Mal të Zi nëpërmjet Alternativa Shqiptare.

Pra, një popull autokton, pakicë dhe shtetformues, i cili ka mbështetur vazhdimisht pavarësinë dhe zhvillimin e shtetit malazias në çdo aspekt. Respekti ynë për shtetin malazias nuk mund të kontestohet, mbase vetëm e kundërta. Nga ana tjetër flamuri në fjalë nuk është vetëm flamuri i Shqipërisë – siç thonë kritikët e zemëruar – por është zyrtarisht i rregjistruar si flamuri i shqiptarëve në Mal të Zi.

Për më tepër, siç u sqarua, fotoja nuk është bërë në objektet e qeverisë, kështu që nuk ka kurrfarë shkelje protokolli apo ligji.

E vetmja gjë e kontestueshme këtu është albanofobia. Kjo situatë flet shumë për shoqërinë ku jetojmë, e cila paragjykimet ndaj shqiptarëve duket se i ka ende si ‘standard’. E për këtë, deri diku, nuk kanë faj, pasi nuk janë mësuar të shohin përfaqësim të tillë, me dinjitet. Por do duhët të pajtohën me këtë fakt. Pasi Mali i Zi është shtet multikulturorë—jo vetëm nga sot, por historikisht; u takon të gjithëve në mënyrë të barabartë, pa dallim. Kaq kërkon dhe promovon ASH-ja dhe komuniteti ynë.

Vetëm me politikë të arsyeshme dhe respekt ndaj njëri-tjetrit do mund të ecët përpara drejtë zhvillimit të shoqërisë, shtetit si dhe integrimit në BE — rruga që shqiptarët në MZ fuqimisht e mbështesin.