Në Tiranë u zhvillua mbrëmja e Xhubletës

Në Pallatin e Brigadave në Tiranë u zhvillua sot mbrëmja e Xhubletës, tashmë pasuri nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Xhubleta si një ndër kostumet më të vjetra në Evropë, është një veshje tipike e grave në Shqipërinë Veriore, në Malësinë e Madhe, Rugovë e Dukagjin. Xhubleta më së miri është ruajtur dhe kultivuar në zonën e Malësisë së Madhe, e që vazhdon të vishet edhe sot e kësaj dite në formë ceremoniale në festa dhe logje.

Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë ishin të pranishëm ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, studiues, gra dhe vajza nga Malësia e Madhe të veshura me xhubletë, etj.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në fjalën e saj tha se “ kjo veshje kaq magjike me kaq hijeshi e thjeshtësi i kthen këto gra në zana dhe këtë objekt në log bjeshkësh”.

Gjatë mbrëmjes së organizuar në ambientet e ministrisë vajza e gra treguan për të pranishmit teknikat e qepjes dhe qëndisjes së xhubletës.

Në këtë mbrëmje e pranishme ishte edhe Tole Lekja Berishaj, 96 vjeçarja nga Tuzi, e cila foli për vlerat e xhubletës. Tole Lekja me duart e saja, pothuajse gjithë jetën e sajë ka punuar xhubleta malësore.

“Xhubletën e kam mësuar 70 vite më parë dhe nuk e kam lëshuar kurrë. Nuk e mendoja se do të vinte kjo ditë edhe pse e kam dashur me zemër. E kam punuar këtë veshje me qejf ditë e natë, që kjo kulturë të përhapet e mos të humbët”, tha ajo.

Tole Lekja në shënjë mirënjohje i ka dhuruar Kryeministrit Edi Rama një xhubletë të punuar nga duart e saj, e cila iu dorëzua ministres së Kulturës.

Ministrja Margariti tha se “do të jetë pjesë e koleksionit të muzeut të dhuratave të çmuara në Kryeministri”.
Xhubleta shqiptare u pranua në 28 nëntor të këtij viti në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.

/MALESIA.ORG/