Nxënësit e Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu në Triesh morën pako për Krishtlindje dhe Vitin e Ri

Gjest i këndshëm dhe human i Mark Gjolajt

Nga Gjekë Gjonaj

 

Falë humanistit të dëshmuar trieshjan Mark Gjolaj, nxënësve të Shkollës Fillore “ Gjeergj Kastrioti-Skënderbeu” të Trieshit iu ndanë 55 pako, një laptop dhe disa topa në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Këto dhurata për filloristët e Trieshit gjithsesi janë edhe një nxitje për të mësuar dhe punuar më shumë.

Kjo ditë ishte e gëzueshme për fëmijët trieshjanë, sepse ishte hera e dytë që ky bashkëvendës i tyre, i cili jeton në Tuz u jep dhurata. Gjolaj thotë se dhurata është mënyra më e bukur për të treguar “atë që ndjejmë, për të treguar atë që mendojmë, për t’u bërë miq me dikë” dhe shton se “ është përpjekur që t’u bëjë nxënësve më të gëzuara festat e ardhshme të fundvitit – Krishtlindjen dhe Vitin e Ri”.

Me këtë gjest të këndshëm dhe human bamirësi i njohur Mark Gjolaj u tregoi me vepër nxënësve të kësaj shkolle me traditë më se një shekullore, ku edhe unë i mora mësimet e para dhe dhashë kontributin tim modest në mësimin e gjuhës shqipe, se nuk janë të harruar dhe se mund të llogarisin në mbështetjen e tij. Këto dhurata për filloristët e Trieshit gjithsesi janë edhe një nxitje për të mësuar dhe punuar më shumë.

Të pranishëm në këtë ceremoni festive përveç nxënësve ishin edhe mësimdhënësit, prindërit e mysafirët nga Tuzi e Podgorica, ndër ta edhe meshtari i Kishës Katolike në Konik. Të gjithë së bashku u dëfryen, u kënaqën dhe u gëzuan. Nxënësit që ndoshta më së paku e prisnin me këtë rast, gjatë këtyre festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri , kishin edhe babagjyshin e tyre të shumëpritur i cili u ndau dhurata, ndërsa ai për këmbim mori buzëqeshjet e fëmijëve.

Të buzëqeshur e të kënaqur atë ditë nuk ishin vetëm fëmijët, mësimdhënësit e prindërit, por edhe anëtarët e Shoqërisë Kulturore – Artistike “ Besa” e Trieshit, të cilët argëtuan publikun me këngë e melodi të bukura muzikore bashkë me nxënësit e shkollës.

Ky gëzim i madh me rastin e ndarjes së dhuratave nxënësve të kësaj shkolle përfundoi me një koktej me bollëk të përgatitur nga donatori i këtij aktiviteti , afaristi i suksesshëm Mark Gjolaj, me zemër të gjerë dhe të madhe të cilin shkolla e falënderoi për veprimin e tij solidar e njerëzor, për shkak se ai solli gëzim dhe lumturi në zemrat e këtyre vogëlushëve shqiptarë, pranë kufirit me shtetin amë – Shqipërinë.