New York, 18 Janar 2023- Malësorët e Amerikës mbështesin në mënyrë unanime koalicionin e shqiptarëve “Forumi Shqiptar” për zgjedhjet e 5 Marsit në Tuz të Malësisë.
Me pjesëmarrjen masive të malësorëve në New York, në restorantin e V&T të patriotit Lekë Gjolaj, malësorët dëshmuan përgjegjësi patriotike e politike për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 5 Marsit 2023 në Tuz të Malësisë.
Shaqo Gjokaj kryetari i Shoqatës Malësia e Madhe dhe Kolë Cacaj kryetar i Fondit Humanitar Trieshi në hapje të mbledhjes renditën arsyet dhe deklaruan mbështetjen e pa kufijshme të koalicionit të shqiptarëve “Forumi Shqiptar” në zgjedhjet e 5 Marsit 2023 në Tuz të Malësisë.
Aktivisti i çështjes kombëtare Nikollë Junçaj diskutoi para të pranishmëve rreth sukseseve të qeverisjes së Nikë Gjeloshaj e shqiptarëve në Malësi.
“Kjo nuk është veç politikë, është votë për Malësinë, për të tashmen dhe të ardhmen” tha z.Junçaj.
Patrioti Driton Sinishtaj sqaroi të pranishmit rreth procesit të votimit, listave e pjesëmarrjes së votuesve malësorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në zgjedhjet e 5 Marsit 2023 në Tuz të Malësisë.
Senad Lulanaj kërkoi që të gjithë shqiptarët në Tuz të bashkohen rreth “Forumi Shqiptar”.
Gazetari Gjekë Gjonlekaj foli rreth rolit të diasporës në ndihmë të Malësisë në të gjitha dimensionet, nevojat dhe sfidat me të cilat përballet sot Malësia.
Diskutuan edhe Mark Gjoku Ulaj, Toni Dedivani, Elez Nikaj, Zef Margilaj etj rreth situatës në Malësi e zgjedhjeve shumë të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve.
Pas diskutimeve të pjesëmarrësve u arrit me votim unanim mbështetja e pa kursyer ndaj koalicionit të shqiptarëve “Forumi Shqiptar” e cila do të finalizohet me një deklaratë të përbashkët publike.