Të nderuar Socialdemokratë të Tuzit, ndonëse Ju ndjeki në fb, e pashë me vonesë përgjigjen tuaj ndaj reagimit tim. Kjo jo për fajin tim, pasi postimi u injorua nga opinioni gjerë.
Sidoqoftë e pashë të nevojshme të Ju shkruaj shkurtimisht. Kjo jo për shkak se ato që keni shkruar si kritikë ndaj meje ka demantuar tezat e mia, pasi janë bëhet fjalë për sulm “ad hominem”, por për shkak se narrativa, premisat dhe konceptet tuaja mbi jetën publike dhe politikën janë të gabuara — ashtu si edhe në kritikën time të kaluar. Gjë që është për të ardhur keq.
Nuk kam asgjë personale. Problemet në diskursin tuaj janë thellësisht ideologjike dhe ashtu i trajtova atëherë, ashtu do i trajtoj edhe tani; nuk u mora me asnjërin nga ju personalisht dhe as që më intereson të merrem me gjëra të tilla. Sulmoj idetë, jo personin. Ky është parimi që ndjeki nga edukata familjare, që njëkohësisht është vlerë themelore e kulturës politike europiane. [Përndryshe, për drejtuesin e SD-së së Tuzit, z. Samir Axhoviq, në aspektin profesional, kam degjuar vetem fjalë të mira – të cilat nuk i vë në dyshim. Ndonëse nuk pajtohem me bindjet tuaja politike, nuk do Ju ofendoj personalisht as nënçmoj, ashtu siç bëni Ju.]
Sipas meje, problemi ka të bëj në mendimin dhe veprimin tuaj politik. Mëndesia moniste është shqetësuese për mua. Ndër të tjerat shkruani se u përfshiva në një debat publik i cili sipas jush “nuk më takon”.
Konstatim i habitshëm ky, pavarësisht identitetit, profesionit apo punës sime – mbi të cilat qartazi nuk ka keni idenë. Si nuk më takoka, mua apo secilit qytetarë, të merrem/t me debate publike politike, sidomos me ato të nivelit lokal? Veçanërisht kur ju apo dikush tjetër keqinterpreton dhe manipulon koncepte si sekularizmi, feja, kombi dhe politika!?
Dëshiroj t’ua përkujtoj se Mali i Zi, siç duket se e harroni, është republikë demokratike dhe pluraliste, ku liria e shprehjes përfshihet si vlerë themelore. (Politikbërja dhe vëndimmarrja në këtë sistem formohet dhe ndikohet nga debatet publike, nëpërmes foltoreve, kuvëndit, pse jo edhe permes mediave.) Të drejta të cilat ti njeh kushtetuta, jo Partia, sikurse në sistemin monist – totalitarë. Pra qytetari jo domosdoshmërisht duhet të jetë pjestarë i një partie per të qenë aktiv politikisht; ashtu funksiononte dikurë në komunizëm, por jo më, ndonëse shumica e partive të majta në Ballkan, ashtu si jueja, janë pasardhëse direkte të partive komuniste, e keni për trashëgimi ideologjike – e cila ndonëse mbase me pavetëdije të plotë, duket në retorikën dhe pikëpamjet e partisë tuaj. Këtë e them si konstatim, jo ofendim, ndonëse nuk kam mendim pozitiv për komunizmin apo ndonjëtjetër ideologji materialiste, aq më pak ato totalitare. Ndikimi i saj shihet qartë në perceptimin dhe interpretimin e politikës. Gjë që do ua shpjegoj shkurt.
Vet etimologjia e fjalës së lashtë greke “politika” nënkupton çështje apo punë që kanë të bëjnë me qytetin (gr. polis) — çeshtje të cilat u takojnë qytetarëve. Ngjashëm edhe republika (lat. res publica) e cila nënkupton “çështje publike” por edhe “e mirë e përbashkët”. Pra, nuk nënkuptojnë as çështje që i takojnë veç partisë apo politikanëve, regjimeve, por qytetarëve. Platoni pjesëmarrjen politike e shihte si detyrim qytetarë, ndërsa indiferentët ndaj saj i quante idiotë. Pak a shumë ashtu siç regjimet totalitare i trajtojnë njerëzit jashtë Partisë.
Sot rrethanat kanë ndryshuar, liria e fjalës nuk mund t’i cenohet askujt; as ju, as mua. Për më tepër, si politikolog i angazhuar në forma të ndryshme në politikë, qoftë intelektualisht apo aktivisht, jo vetëm se kam të drejtë por e shoh si detyrë të marr pjesë në debate publike, por edhe të demantoj demagogjinë siç ishte rasti i deklaratës tuaj mbi “shkeljen e sekularizmit”. Kjo jo thjeshtë veç për hirë të patriotizmit apo Forumit Shqiptar – që e mbështes haptazi – por mbi të gjitha për mbrojtjën e të drejtave dhe të mirën e përbashkët sipas Kushtetutës — si detyrë qytetare.
Sa i takon pjesës tjetër, mbi patriotizmin e ASH-së, Forumit, akuzat për korrupsion, dhe intervistën e vjetër të deputetit të asokohshëm z. Abazoviq, janë tejet të lehta për t’u demantuar. Kjo e fundit nuk është se ka lidhje shumë me mua apo Forumin, ndonëse intervista ka kohë që është demantuar dhe sqaruar nga vetë z. Abazoviq. Tekefundit, me aq sa di, jeni ju dhe aleatet tuaj tradicional kundër shtatores së Skenderbeut në Tuz; jeni ju kundër emërimit “Nënë Tereza”, jo kryeministri aktual…!
Patriotizmi më së miri matet dhe tregohet me vepra, jo me populizëm. Pikërisht veprat janë ato që flasin shumë, në favor të ASH-së dhe Forumit shqiptar. Kjo shihet nga qeverisja fillimisht në nivel lokal – bashkiak, me themelim institucionesh, rritjën e jashtëzakonshme të buxhetit, zyrtarizim të gjuhës shqipe, punësim të kuadrove profesionale, zhvillimi i infrastrukturës, investimet në kulturë, rini, arsim, sport, si dhe hapja e fabrikave. Të gjitha këto janë realizuar profesionalisht dhe me ndershmëri. Dallimi mes qeverisjes së Forumit dhe qeverisjeve s së PDS-së është si dita me natë.
Së dyti, për herë të parë në histori të pluralizmit në Mal të Zi shqiptarët përfaqësohën denjësisht jo veç me pozita qeveritare të larta, që dikurë ishin veç dekor, por faktor kyç duke drejtuar ministri të rëndësishme. Shqiptarët njësoj si popujt tjerë janë sot kudo në administratë dhe institucione shtetërore – diçka që ishte e rrallë më parë. Pronat e uzurpuara nga regjimi komunist iu rikthyen ulqinakëve. Ndersa investimet në bashkitë ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi janë më të mëdha se asnjëherë; investime me miliona euro! Shqiptarëve praktikisht iu rikthye dinjiteti në Mal të Zi – patriotizëm më te madh se kaq nuk ka! Dhe meritë të madhe për këtë ka Alternativa Shqiptare dhe koalicioni fitues në krye me z. Nik Gjeloshajn! Gjë të cilën jam i bindur se e dinë të gjithë e që bindshëm do ta tregojnë me 5 mars!
– Albert Bikaj, politikolog dhe magjistër i historisë