Administrata publike në funksion të nevojave të qytetarëve

OJQ Horizonti i Ri botoi broshurën informuese me titull “Administrata publike në funksion të nevojave të qytetarëve”. Ky publikim dygjuhësh trajton çështjet kyçe që lidhen me Strategjinë e Reformës së Administratës Publike në Mal të Zi 2022-2026.

Broshura sqaron se reforma e administratës publike është reforma e vetë shtetit, pra e administratës shtetërore dhe vendore. Kompleksiteti i procesit reflektohet pikërisht në faktin se të gjitha aktivitetet e kryera duhet të kenë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset. Për këto arsye, administrata publike, e cila ka qenë gjithmonë një çështje e brendshme e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, është kthyer në një nga tre shtyllat kryesore në procesin e zgjerimit të BE-së.

Bazuar në këtë qasje është krijuar edhe vizioni i Strategjisë së Reformës së Administratës Publike 2022-2026, i cili parashikon“një administratë publike profesionale që ofron shërbime cilësore për qytetarët dhe ka kapacitete të përshtatshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”. Ndërsa qëllimi kryesor i Strategjisë është ndërtimi i përbashkët i një administrate publike të përgjegjshme, efikase dhe transparente, të fokusuar në nevojat e qytetarëve dhe biznesit.

Pikërisht, që publiku i gjerë të njihet me konceptin e ri dhe qasjen proaktive të Reformës së Administratës Publike ndaj qytetarëve dhe biznesit, është edhe qëllimi kryesor i botimit të kësaj broshure.

Ky publikim është realizuar në kuadër të projektit “Reforma që kuptojmë të gjithë”, të mbështetur nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.