Ekspozohen veprat e piktorit Gjelosh Gjokaj në Tiranë


Një ekspozitë e veçantë, me veprat e piktorit Gjelosh Gjokaj është çelur në qendrën COD të Kryeministrisë në Tiranë. Në ceremoni mori pjesë vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që e cilësoi këtë një moment të rrallë.

Rama tha se artisti shqiptar nga Mali i Zi ishte nga ato personazhe që jetën e tij e kishte të ndërthurur ngushtësisht me artin.

Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij, tha se ka pasur privilegjin ta takojë atë personalisht.

“Për mua është një ekspozitë shumë e veçantë dhe për arsye personale sepse me Gjeloshin kemi pasur një marrëdhënie të afërt, miqësore dhe profesionale. Kujtoj që edhe vizitën e tij të parë në Shqipëri e kemi bërë së bashku ashtu sikundër falë mikpritjes dhe natyrës së tij, si një bohem që pëlqente shumë të ndante edhe hapësirën ku jetonte me miq, të ftuar dhe vizitorë. Kam pasur privilegjin të kaloj disa ditë të gjata por edhe net në studion e Gjeloshit në Augsburg ku kam qenë i ftuar prej tij dhe kam kaluar një moment shumë të rëndësishëm diskutimesh pune.

Kemi punuar së bashku në atelie. Kemi ndarë historitë tona, ai të tijën të lavdishme, unë timen të periudhës kur ishim ende të mbyllur dhe më pas kemi vazhduar të jemi në kontakt. Jemi takuar përsëri dhe përsëri. Kemi pasur edhe evenimentin e ekspozitës së tij të madhe në Shqipëri. Kam fatin që të kem së bashku me Lindën pak, shumë pak krahasuar me këtë koleksion, praninë e tij në muret e shtëpisë tonë. Jam mirënjohës Shkëlzenit por edhe Sehatit, i cili e ka mbledhur këtë koleksion me përkushtim dhe largpamësi por bujarisht po e ndan me publikun.”, tha kryeministri Rama.

Më tej, kreu i qeverisë tha se shpreson që prania e kësaj ekspozite të sjellë më shumë vizitorë dhe dashamirës të artit.

Gjelosh Gjokaj ndërroi jetë në Gjermani në vitin 2016 duke lënë gjurmë në mbarë botën me mbi 45 ekspozita personale. Ai u varros në vendlindjen e tij në Milesh, Malësi.