Bikaj: Të ndalohet uzurpimi i trashëgimisë katolike nga Kisha Ortodokse Serbe


Shkruan: Albert Bikaj

Sot në mëngjes mësova se dje Kisha Ortodokse Serbe mbajti liturgji në gërmadhat e Kishës Katolike të Shën Dominikut/Dedës në kala të Ulqinit. Duke pasur parasysh kontekstin historik dhe atë politik, ky është akt i papranueshëm, pasi në njëfarë mënyre është uzurpim i trashëgimisë katolike arbërore/shqiptare në Mal të Zi.

Për fat të keq ky nuk është rasti i parë as i vetëm, pasi përpjekje të tilla kemi parë edhe në Shas (që ishte ipeshkvi katolike arbërore), Krajë, Guci, etj. Sikur KOS nuk do kishte vend për të kryer sherbimet fetare, mbase edhe do e kuptoja nevojën, por duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një besim dominues në Mal të Zi, ku mbi 70% të popullsisë janë ortodoks. Tempujt fetarë nuk mungojnë, nëse po, jam i bindur se ulqinakët do ndihmonin financiarisht ndertimin e një kishe ortodokse në Ulqin.

Më duket dashakeqësi, akt krejtësisht i panevojshëm që bie ndesh me vlerat universale si edhe me karakterin e shtetit të Malit të Zi i cili është multietnik, multireligjioz dhe multikulturorë. Nga ana tjetër ky akt nuk përputhet me vlerat e krishtera, pasi përfaqëson abuzim të besimit dhe liturgjisë për caqe politike. Pasi aktet me motive të tilla promovojnë shovinizëm, ndasi, urrejtje dhe konflikte të panevojshme. Gjë që bie ndesh me ekumenizmin, mbi të gjitha me karakterin e Kishës si institucion. Prandaj, këtë tendencë të turpshme e dënoj me keqardhje të madhe…