Nga Gjekë Gjonaj
Personazhi i këtij shkrimi është një personalitet i njohur në fushën e arsimit dhe shkencës, një njohës i mirë i profesionit të tij, i nderuar në mjedisin shkencor arsimor dhe kombëtar. U përket atyre intelektualëve me mendje të zgjuar e të lirë, atyre njerëzve me karakter shembullor, të cilët ushtrojnë vlera të larta morale dhe etike në jetën e tyre të përditshme. Është një shembull i mirë i besnikërisë shqiptare ( malësore) dhe sinqeritetit. Një shok dhe mik që i respekton shokët dhe miqtë e tij. Intelektual mendjemprehtë, profesor i talentuar dhe një sociolog i dalluar i dashur në mesin e studentëve dhe personelit akademik. Ai është dhe do të mbetet shembull për shumë pedagogë ( edukatorë) , të cilët sigurisht do ta ndjekin rrugëtimin dhe punën e tij edukative-arsimore dhe shkencore. Akademiku Anton Kolë Berishaj është me origjinë nga Malësia e Madhe, me traditë të pasur familjare, me punë të shkëlqyer profesionale, me punë dhe përkushtim prej intelektuali.
Nga jetëshkrimi i tij mësojmë u lind më 13 korrik 1954 në fshatin Priftën të Grudës, në Komunën e Titogradit ( Podgoricës së sotme), aktualisht Komuna e Tuzit. Shkollimin fillor e kreu në Priftën dhe Tuz, ndërsa gjimnazin në Ulqin. Në vitin shkollor 1978/79 u diplomua në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Pas diplomimit, një semestër punoi si profesor i lëndëve filozofi, sociologji, psikologji dhe logjikë në Gjimnazin “Ivo Llolla Ribar” në Prishtinë dhe në Gjimnazin “25 Maji” në Tuz.
Karrierën akademike e filloi në vitin shkollor 1980/81, fillimisht si asistent në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë për lëndët Sociologji e përgjithshme I,II,III, e në periudhën 1987-1997 si ligjërues i lëndëve Sociologji industriale (më vonë e punës) dhe Strukturës së zhvillimit shoqëror. Në vitet shkollore 1997-2004 kishte thirrjen universitare të docentit (profesorit asistent), ndërsa në vitin shkollor 2004-2005 u avancua në thirrjen e profesorit ordinar (të rregullt).
Në vitin shkollor 1983/84 u regjistrua në studimet pasuniversitare në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku u diplomua në vitin shkollor 1986/87. Më 1989, po në kë këtë departament, i regjistroi studimet e doktoratës, të cilat i ndërpreu për shkak të luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, për t’i vazhduar dhe përfunduar pas Marrëveshjes së Dejtonit. Në korrik të vitit 1997 e mbrojti temën e doktoratës me titull: “Ndryshimet familjare në Malësi”, me fokus të veçantë për procesin e integrimit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më 2012 u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Anëtarësimi në këtë institucion kulmor të shkencës nuk është i lehtë, mirëpo Prof.Dr. Anton K. Berishaj u imponua si hulumtues e shkencëtar serioz , punimet e të cilit janë prezantuar në shumë simpoziume dhe tryeza shkencore dhe botuar në revista të rëndësishme kombëtare dhe jo vetëm në disa gjuhë. Në periudhën mars-shtator 2014 ishte ushtrues detyre i Rektorit të Universitetit të Prishtinës.
Autorësinë e akademikut Anton K. Berishaj, përveç kumtesave e artikujve të shumtë shkencor që kanë të bëjnë me hulumtime empirike, analiza dhe interpretime sociologjike, mbajnë një numër i madh librash autorialë dhe bashkautorialë , sikurse edhe libra shkollorë . Nga opusi i pasur i krijimtarisë letrare dhe shkencore të Anton K. Berishaj veçojmë: “Shndërrimi i etnisë” ( 1998), Monografia e shqiptarëve në Mal të Zi – Në një cep të Ilirisë,(2007), “ Filantropia në Kosovë” ( 2010), “ Shoqëria pa shtet” ( 2014) , dhe “ Virgjërat e përbetuara” (2016).
Studiuesit e sociologjisë, filozofisë dhe letërsisë pohojnë se librat e autorit Berishaj janë projekte të mëdha, të rëndësishme e serioze me qasje multidisciplinare të shkruara me një metodologji të mirëfilltë dhe aparaturë të lakmueshme shkencore, të mbështetur shkencërisht dhe mbi burime të mirëfillta shkencore në disa gjuhë. Sipas studiuesve, në fokusin e hulumtimeve empirike të akademikut Berishaj kanë qenë edhe shqiptarët në Mal të Zi, të cilat lidhen me pozitën e gruas, gjakmarrjen, procesin e integrimit të shqiptarëve në Shtete të Bashkuara të Amerikës dhe shumë dukuri të tjera , që ai vlerëson se vërtetë meritojnë të shkruhen dhe dokumentohen.
Akademiku Anton K. Berishaj me punën e tij të palodhur shumë produktive dhe shkencore, me mendjen e tij prodhuese e origjinale të shkencëtarit la vulën e vet për këtë kohë në rrafshin kombëtar. Terë potencialin e vet intelektual e vuri në shërbim dhe në mbrojtje të Universitetit të Prishtinës, duke e ditur dhe vlerësuar si institucionin më të rëndësishëm arsimor, shkencor e kulturor në Kosovë për popullin shqiptar. Ai asnjëherë nuk iki nga puna, obligimet dhe detyrat me përgjegjësi në këtë universitet, as në periudhën më të vështirë dhe më dramatike të jetës dhe të rritës së tij, siç ishte periudha e pas vitit 1990 e këndej, kur Serbia komuniste u vërsul me të gjitha mjetet dhe metodat për zhbërjen e tij dhe për zhbërjen e arsimit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, siç do ta vërtetojnë ngjarjet në vijim, sidomos dhuna, terrori dhe gjenocidi shtetëror serb i vitit 1998/1999 ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe vlerave më të ndritshme të tij të arritura me shumë mund e sakrificë.
U rreshtua në mesin e atyre pedagogëve shqiptarë në Kosovë i cili arriti të kryejë detyra pedagogjike, kërkimore, shkencore dhe organizative me rëndësi të madhe shoqërore me qëllim të zhvillimit të arsimimit të popullatës së re shqiptare. E gjithë rruga dhe puna e tij jetësore, arsimore dhe shkencore është shembull i denjë i përmbushjes së detyrës qytetare, diktuar nga vullneti dhe dashuria e njëmendët për punën e vet të palodhur në kërkim të dijes. Për këtë kontribut dhe vlerat e tij njerëzore ka mbetur i dashur nga shumë nxënës, studentë, kolegë, studiues e intelektualë nga shumë treva shqiptare dhe të gjithë ata që i dëgjuan ligjëratat apo i lexuan veprat e tij të mirëfillta studimore. Ata që e njohën pajtohen se Prof. Dr. Anton Kolë Berishaj dha një kontribut të çmuar arsimor dhe shkencor në hapësirën kombëtare.
Ulqin, 1 qershor 2023