Mbahet tryezë shkencore me rastin e 53- vjetorit të Besëlidhjes së Malësisë

Më 28 qershor 2023, në QKI “Malësia”-Tuz, u mbajt tryezë shkencore për nder të 53- vjetorit të Besëlidhjes së Malësisë.

Tryezen shkencore e organizoi SHKA “Rapsha” nga Hoti, në bashkëpunim me QKI “Malësia”, për të përkujtuar figurat qendrore të një prej ngjarjeve më madhore në pragfundin e shekullit të kaluar.

Saktësisht, 28 qershori i vitit 1970, është data kur burrat malësorë, vendosën që përfundimisht të këpusin zinxhirin e prapambetjes dhe kohën e errët ta kthejnë në kohë të artë, në dritë e shpresë për Malësinë dhe malësorët.
Fillimisht, të pranishmit i përshendeti kryetari i Shoqërisë kulturore-artistike “Rapsha”, z. David Junçaj.

Panelistët e kësaj tryeze shkencore ishin: pater  Pashko Gojçaj, imam Rexhep Lika, akademik Anton Berishaj, doktor Anton Vukpalaj dhe profesori i historisë Mark Junçaj.

Përfaqësuesi i klerit katolik, zotëri patër Pashko Gojçaj i cili me dekada ka shërbyer në vendin tonë, para publikut u paraqit me kumtesën me temën “Besëlidhja e Malësisë – bazë e ndryshimit të mentalitetit në Malësi”.

Perfaqesuesi i klerit islam, imam Rexhep Lika i cili njëherit ishte pjesëmarrës i kuvendit të Besëlidhjes së Malësisë, paraqiti kumtesën e tij me temën “Disa kujtime rreth Besëlidhjes së Malësisë”.

Akademiku, Anton Berishaj, anëtari Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës si dhe ish-rektor i Universitetit të Prishtinës, autor i disa librave, punimeve të shumta shkencore, për këtë tryezë shkencore kishte përgatitur kumtesën me temë “Malësia tradicionalisht violente, prinë me paqen”.

Anton Vukpalaj, doktor i shkencave politike, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, autor i disa librave, punimeve të shumta shkencore, prezantoi kumtesën me temën “Besëlidhja e Malësisë – ndalimi i gjakmarrjes dhe sfida për ligjin dhe shtetin”.

Ndërsa, profesori i historisë, z. Mark Junçaj, paraqiti kumtesën me temën “Besëlidhja e Malësisë-hap vendimtar për zhdukjen e gjakmarrjes”.

Në fund, Shoqëria kulturo-artistike “Rapsha” për të gjithë të pranishmit kishte përgatitur një koktei modest i cili ishte shtruar në korridorin e Qendrës kulturore.

Malesia.org