Gjuha e urrejtjes – dukuri shqetësuese e shoqërisë shqiptare

Nga Gjekë Gjonaj

Edhe pse e drejta për lirinë e shprehjes përjashton çdo formë të shprehjes që nxit urrejtje apo konflikt dhe mohon të drejtat e të tjerëve, kjo shpesh nuk ndodh në jetën e përditshme në hapësirën publike. Shoqëria shqiptare është dëshmitare e rritjes së narrativit të ndarjes dhe polarizimit, duke përfshirë gjuhën e urrejtjes, bazuar në baza të ndryshme politike, etnike, racore, fetare, nacionaliste, gjinore, madje edhe sharje e ofendime. Për fat të keq ky lloj komunikimi kërcënues i cili nxit dhunë është bërë pjesë e përditshmërisë sonë në dy shtetet shqiptare-Shqipëri e Kosovë. Gjuha e urrejtjes përdoret kudo, më së shumti në media sociale, shkolla, universitete dhe vende të punës, ambiente argëtimi e sportive, ndërsa viteve të fundit edhe on-line. Kjo lloj retorike e cila dëmton çdo shoqëri demokratike, pra edhe shoqërinë tonë ka kohë që i ka tejkaluar kufijtë e hapësirat private dhe ka filluar të shkaktojë dëm të konsiderueshëm jo vetëm ndaj individëve që preken drejtpërdrejt nga ato, por edhe ndaj të gjithë shoqërisë.

Disa të dhëna shqetësuese për mbizotërimin e gjuhës së urrejtjes në Shqipëri

Sipas një studimi të kryer nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës i publikuar në Tiranë në nëntor të vitit 2021, afro 60% e të anketuarve mendojnë se gjuha e urrejtjes mbizotëron në vend. Studimi bazohet në përgjigjet e mbi 1.800 personave që janë bërë pjesë e anketës duke sjellë të dhëna, perceptime, opinione, fakte dhe përvoja individuale në nivel kombëtar, lidhur me diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes. Bazuar në studim, të paktën 60% e të anketuarve, duke cituar këtu se nëntë nga dhjetë të anketuarit kanë pohuar se gjuha e urrejtjes është e përhapur masivisht në vend. Ndërsa rreth 70% e të anketuarve pohojnë se debatet politike janë shfaqjet televizive që nxisin më shumë përhapjen e gjuhës së urrejtjes në publik. Më shumë se gjysma e njerëzve të marrë në studim, i bashkohen mendimit se motivet që zgjojnë në vetëdije gjuhën e urrejtjes janë varfëria, statusi social, opinioni politik dhe paraqitja fizike.

Nëse bëjmë një ndasi gjinore, nga njëri krah kemi meshkujt që mendojnë se gjuhën e urrejtjes e nxisin opinionet dhe qëndrimet e ndryshme politike dhe nga krahu tjetër janë femrat të cilat mendojnë se një gjuhë e tillë nxitet nga paraqitja fizike. Nga studimi rezultoi se “diskriminimi” që i bëhet komunitetit LGTBIQ, vjen nga fobia që njerëzit kanë ndaj tyre. Sharjet etnike, nxitja e urrejtjes dhe shakatë për pakicat etnike përceptohen masivisht afro 70 % si forma të gjuhës së urrejtjes. Bazuar nga përgjigjet, rezulton se të paktën 20% e qytetarëve nuk e kanë provuar ose nuk kanë pasur asnjëherë një eksperiencë personale me diskriminim dhe gjuhën e urrejtjes, 30% e tyre e kanë përjetuar disa herë, ndërsa 32% janë ekspozuar shpesh ndaj gjuhës së urrejtjes.

Platforma Kombëtare “ Raporto gjuhën dhe krimet e urrejtjes”

Bazuar në këtë platformë në të cilën janë përfshirë të dhënat nga viti 2018-2022 , rreth 61 % e incidenteve on-line i përkasin gjuhës së urrejtjes. Kjo shifër shumë e lartë tregon se ky fenomen shqetësues është i përhapur kudo. Sipas këtij studimi të publikuar vitin e kaluar në kryeqytetin e Shqipërisë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Hemofobisë, platforma sociale e cila e shfaq më shumë gjuhën e urrejtjes është Instagrami me 52% të rasteve, ndjekur nga Facebook, Youtube dhe Tik Tok.

Sipas studimit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, rastet e gjuhës së urrejtjes në Shqipëri në masën 97 % nuk raportohen. Nga ana tjetër, personat më të rrezikuar ndaj gjuhës së urrejtjes, LGBTIQ, duket se preferojnë më tepër të raportojnë këtë fenomen. Sipas studimit, pothuajse 4 % e të anketuarve viktima të gjuhës së urrejtjes, pretendojnë se i janë kundërpërgjigjur personit që i ka sulmuar, rreth 3 % kishin zgjedhur ta fshijnë mesazhin e urrejtjes, dhe vetëm 10 % e të anketuarve zgjodhën të raportojnë në institucione publike si policia, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, gjykata, etj.

Studimi “Përtej Kufizimeve: Thirrje kundër gjuhës së urrejtjes”, i Këshillit të Evropës”, ndër të tjera evidentoi se: – 58% e të anketuarve mendonin se gjuha e urrejtjes ishte e përhapur në masë të madhe ose shumë të madhe – 72% e personave LGBTIQ të intervistuar raportuan se kanë qenë viktima të dhunës, sulmeve me armë apo me objekte të forta. Një raport i Komisionit Evropian Kundër Racizmit dhe Tolerancës vëren për Shqipërinë se në 10 vitet e fundit janë gjykuar e denoncuar shumë pak raste të krimeve dhe gjuhës së urrejtjes.

Përhapja dhe dominimi i gjuhës së urrejtjes në diskursin publik në Kosovë

Ekspertët e kësaj fushë pohojnë se trendi i përhapjes dhe dominimi i gjuhës së urrejtjes në diskursin publik në Kosovë ekziston tashmë më shumë se një dekadë , që kur në vend filloi hapja masive e portaleve dhe rënies së standardit profesional dhe raportimit gjithnjë më joprofesional. Për publikun e atjeshëm pothuaj janë bërë të zakonshme shprehjet fyese, përulëse e nënçmuese nga individë apo grupe të caktuara. Kjo ndodh, siç vlerësojnë njohësit e kësaj fushë në Kosovë, kryesisht në mungesë të argumenteve në debate e opinione politike lidhur me ndonjë çështje të caktuar. Ky lloj komunikimi vulgar, i pacivilizuar gjithnjë e më shumë po pëlqehet dhe po përdoret edhe nga të rinjtë e Kosovës rreth aktualitetit politik, cenon lirinë mendimit të pavarur, zvogëlon përdorimin e mendimit kritik apo ndryshe dhe shkel barazinë shoqërore.

Në studimin e kryer të Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim gjatë periudhës janar – qershor të vitit 2019 dhe të vitit 2020, janë analizuar 2.512 materiale tekstuale dhe 201 materiale audiovizive në dhjetë media elektronike të Kosovës, prej të cilave shtatë me frekuencë kombëtare dhe tri lokale. “Në materialet tekstuale të portaleve të cilat janë analizuar nga 2. 512 artikuj të analizuar, 453 kanë gjuhë problematike dhe nga 453 artikuj 314 kanë gjuhë të urrejtjes. Ndërsa nga materialet audio-vizive apo emisionet e analizuara emisione me gjuhë problematike kanë qenë 12, ndërsa me gjuhë të urrejtjes kanë qenë 8”, ka thënë autori i studimit, Valon Junuzi. Në hulumtim është analizuar gjuha e urrejtjes ndaj komuniteti serb, komunitetit LGBTIQ, komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas dhe imigrantëve që vijnë nga Lindja e Mesme. “Komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas paraqiten si të pakujdesshëm, të prapambetur dhe të prirë drejt dhunës në familje. Komuniteti serb dhe imigrantët paraqiten si të dhunshëm ndaj të cilëve duhet pasur frikë ndërsa komuniteti LGBTIQ prezantohet si devijues, të papërshtatshëm për të qenë shqiptarë dhe shpërndahen thirrje homofobike që nxisin urrejtjen dhe vrasjen e tyre”, është shprehur Junuzi.

Edhe shqiptarët në Mal të Zi janë të helmuar nga gjuha e urrejtjes

Situata në hapësirën publike në Mal të Zi nuk dallon shumë nga ajo në Shqipëri, Kosovë e shtete tjera të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst edhe shqiptarët në këtë shtet janë të helmuar nga gjuha e urrejtjes, sidomos kur bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes në internet dhe në media. Ky fenomen negativ u vërejt sidomos gjatë fushatës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare , ku rivalët politikë shqiptarë përdorën ndaj njëri-tjetrit fjalët “ lideruc, “deputet i rrejshëm”, “mashtrues” dhe “plaçkitës” e të tjera .

Nxitja e besimit, dialogut dhe kompromisit

Shoqëria shqiptare mendojmë se ka nevojë të refuzojë retorikën e urrejtjes dhe përdorimin e dhunës si mjet politik dhe t’i zëvendësojë me debate konstruktive, konkurrencën institucionale si dhe dialogun e mirëkuptimin. Ajo përmes institucioneve të saj shtetërore dhe gjithë akterëve përkatës, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, individëve etj, do të ishte mirë dhe me shumë interes të shtojë përpjekjet e saj jo vetëm të njoh nevojën për t’u përballur me diskriminimin, ksenofobinë dhe gjuhën e urrejtjes, por për të adresuar këtë fenomen, në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, përmes promovimit të dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor dhe tolerancës. Ne të gjithë kemi një detyrë morale, politike dhe ligjore të flasim me vendosmëri kundër të gjitha formave të gjuhës së urrejtjes dhe të nxisim besimin, pajtimin, dialogun, kompromisin dhe solidaritetin.