Ditën e djeshme kanë vazhduar bisedimet joformale për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, të cilat kanë vazhduar deri natën vonë.
Megjithatë, takimi i gjatë mes liderëve të Lëvizjes Evropa Tani dhe Demokratëve, Millojko Spajiq dhe Aleksa Beçiq, me krerët e partive të pakicave, ka përfunduar pa marrëveshje konkrete. Problemi kryesor duket se kanë qenë kërkesat e Partisë Boshnajke, të përkrahura edhe nga partitë e tjera të pakicave, që Ervin Ibrahimoviq të jetë ministër i punëve të jashtme dhe zv.kryeministër për sistem politik, politkë të brendshme, dhe koordinator i sektorit të sigurisë.
Sipas “Vijesti”, as struktura e qeverisë prej 21 ministrive nuk u dakordësua, për çka do të ketë takime të tjera në ditët në vijim.
Gjatë takimit, i cili përfundoi rreth mesnatës, liderët e partive të pakicave disa herë knaë pasur konsultime mes veti, dhe se aspiratat e Ibrahimoviq kanë gjetur përkrahje edhe tek kolegët nga partitë shqiptare.
Megjithatë, kërkesat e tyre janë pritur me indinjatë nga ana tjetër, duke u shoqëruar edhe me akuza për bashkëpunim pa kompromis me Partinë Demokratike të Socialistëve në periudhat e kaluara.
Bisedimet formale për formimin e qeverisë pritet të nisin pas shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve, ndërsa përveç pakicave, bisedimeve mund tu bashkangjitet edhe koalicioni “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, të cilët Spajiq nuk i ka përjashtuar si mundësi për të marrë pjesë në pushtet.