Abazoviq: Qeveria po formohet nga qarqe që duan të ndalojnë luftën kundër krimit


Qeveria e Malit të Zi nuk po formohet nga ata që negociojnë, por nga qarqe të tjera, qëllimi i të cilave është të parandalojnë lufëtn aktive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, tha kryeministri Dritan Abazoviq.

Siç raporton Pobjeda, Abazoviq u tha gazetarëve se pritshmëritë e tij ishin që Mali i Zi të ketë një qeveri të re edhe më shpejt, por se gjërat janë komplikuar, çka sipas tij nuk përbën befasi. Lidhur me qarqet e përmendura, ai nuk pranoi të thotë se kujt i referohet, dhe se dëshiron ti lërë të qetë që procesin ta çojnë deri në fund.

“Për fat të mirë, provat janë të sigurta dhe në një moment publiku do të jetë i vetëdijshëm për çdo gjë, qoftë nga opozita apo nga pushteti”, tha Abazoviq. Ai shtoi se asgjë nuk mund ta destabilizojë Malin e Zi. “Sepse Qeveria i kryen si duhet të gjitha obligimet ndaj qytetarëve. Ne patëm një sezon turistik të suksesshëm, kemi dëshmuar njëfarë aftësie në qeverisje, dhe se mandati teknik nuk është pengesë. Nëse dikush dëshiron ti kthejë gjërat mbrapa, ne nuk do ta lejojmë”, tha Abazoviq.