Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi fillon më 1 nëntor

Në mbledhjen e qeverisë së Mali të Zi, u njoftua se regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi fillon më 1 nëntor dhe do të zgjasë deri më 15 nëntor.

Sipas Ligjit, në regjistrim do të përfshihen shtetasit e Malit të Zi me vendbanimin ose qëndrim në Mal të Zi, pavarësisht nëse janë në Mal të Zi ose banojnë përkohësisht në një shtet tjetër.

Nga kjo nënkuptohet që mërgimtarët tonë të cilët jetojnë jashtë, e që janë shtetas të Malit të Zi, kanë të drejtën e regjistrimit.

Pra, sipas Ligjit, mërgimtarët që kanë shtetësinë e Malit të Zi, kanë të drejtë regjistrimi, por nuk ka ndonjë informacion se si ata mund të kryejnë këtë procedurë.

Nga përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Mal të Zi pritet që të informojnë rreth këtij procesi të rëndësishëm.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë në Mal të Zi, të zhvillua në vitin 2011, regjistrimi ishte kryer fizikisht në teren, pra në person; shtëpi për shtëpi. Në atë regjistrim, shqiptarë janë deklaruar 4,91 përqind.

Në regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021, përpos mënyrës së drejtpërdrejtë fizike, procedura e regjistrimit u mundësua edhe përmes internetit (online), gjë e cila e lehtësojë regjistrimin e shtetasve në mërgim.

Sidoqoftë, është e rëndësishme që mërgimtarët tonë të gjejnë mënyrën për t’u regjistruar, e në këtë drejtim duhet të angazhohen partitë politike shqiptare dhe Këshilli Kombëtar I Shqiptarëve.

/MALESIA.ORG/