Kryetari i Demokracisë së Re Serbe dhe një nga liderët e koalicionit Për Ardhmërinë e Malit të Zi, Andrija Mandiq u zgjodh kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Në votimin e fshehtë, 49 deputetë votuan për zgjedhjen e Mandiqit, ndërsa asnjë votë kundër.
Pro votuan deputetët e shumicës së re parlamentare – koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi (partia e ish-Frontit Demokratik), Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, SNP, Forumi Shqiptar dhe Aleanca Shqiptare.
Në votim nuk morën pjesë deputetët e DPS-së, Partisë Boshnjake, Socialdemokratëve, Partisë Liberale, Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Iniciativës Qytetare Kroate dhe Lëvizjes Qytetare URA.
Mandiq pas diskutimit në seancën e Kuvendit tha se misioni i tij është të pajtojë Malin e Zi.
Mandiqi ishte dekoruar me titullin “Vojvodë i çetnikëve” dhe është i njohur për politikën pro-serbe dhe pro-ruse.
Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.
Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ajo është, po ashtu, kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.
Në politikën rajonale, Mandiq ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.
Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90.
Është, gjithashtu, i afërt me ideologjinë e lëvizjes çetnike, e cila ka bashkëpunuar me Gjermaninë hitleriane në Luftën e Dytë Botërore.
Zgjedhja e Mandiqit është pjesë e një pakete më të gjerë të ndarjes së pushtetit.
Sipas marrëveshjes së mandatarit për kryeministër, Millojko Spaijiq, me shumicën e re, partitë e Frontit Demokratik do ta mbështesin Qeverinë e tij të pakicës në Parlament dhe, në fund të vitit të ardhshëm, do të bëhen zyrtarisht pjesë e saj.
Uashingtoni zyrtar ka paralajmëruar dhe shprehur disa herë shqetësim se Qeveria e re përbëhet nga parti dhe liderë që janë aktivisht kundër vlerave euroatlantike.
Qëndrim i ngjashëm është shprehur në disa raste edhe nga institucionet evropiane.
Mandiq e sheh Putinin si president të tij
Në vitin 2019, presidenti rus, Vladimir Putin, u takua në Beograd me Andrija Mandiqin dhe një udhëheqës tjetër të Frontit Demokratik, Millan Knezheviq, të cilët atëkohë kanë qenë në opozitë.
“Mandiq dhe Knezheviq ia kanë përcjellë presidentit të Rusisë përshëndetjet e popullit serb në Mal të Zi dhe kanë theksuar se shumica e Malit të Zi e percepton atë si president të vetin”, ka thënë atëkohë Fronti Demokratik.
Sipas atij njoftimi, Putin u ka thënë atyre se janë “heronj të vërtetë” dhe se duhet “të durojnë”.
/MALESIA.ORG/