Për herë të parë në Tiranë u zhvillua parada e shqiptarëve, në ditën që kremtoi edhe 111 vjetorin e Pavarësisë. Shqiptarë nga të gjitha trevat, diaspora, arbëreshët e Italisë ishin të pranishëm në manifestimin që zgjati gati dy orë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe që u përmbyll me ceremoninë e ngritjes së flamurit.
Kanë ardhur nga kudo! Nga Tuzi, Gostivari, Vlora, Shkodra, New York, Plavë Guci e Presheva, Gjakova, Peja, Ulqini, Mitrovica e Jugut… Për të përcjellë mesazhin në kryeqytetin e Shqipërisë se ‘JEMI NJË!’
Në 111 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë 150 delegacione nga të gjitha trojet shqiptare, diaspora dhe 50 delegacione nga arbëreshët e Italisë ishin sot paradite (28 nentor 2023) në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pavarësisht reshjeve të shiut, grupet kulturore, artistike e sportive etj nga Shqipëria, qytetet shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor, dhe shqiptarët e disaporës me kostume popullore tradicionale e valle, e flamurin shqiptarë në duar parakaluan në bulevard për ti treguar botës kulturën tonë dhe për ta kthyer Tiranën në zemrën e shqiptarisë.