KKSh: Ta themi me krenari që jemi SHQIPTARË e flasim SHQIP!


Deklaratë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, rreth regjistrimit të popullsisë.

Lexo deklaratën:

Të dashur bashkatdhetarë, shqiptarë në Mal të Zi dhe ju bashkëkombas që përkohësisht ndodheni me punë larg vendit.

Aktualisht në Malin e Zi, po zhvillohet procesi i Regjistrimit të popullsisë dhe pronës. Ky proces ka filluar më datën 3 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 18 dhjetor 2023.

Për ne si shqiptarë në Malin e Zi shumë nga të drejtat tona rrjedhin drejtpërdrejt nga përqindja jonë në këtë shtet si: Ligji për simbolet kombëtare, Ligji mbi të drejtat dhe liritë e popujve pakicë dhe përfaqësimi ynë në insitucione. Prandaj, deklarimi i përkatësisë kombëtare, gjegjësisht etnike dhe gjuhësore janë jetike për të drejtat tona dhe avancimin e tyre në të ardhmen.

Është e drejta jonë Kushtetuese dhe detyrimi ynë qytetar që vetëdeklarojmë pa asnjë drojë apo hezitim përkatësinë dhe identitetin tonë.

Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, e ndiej detyrim t’ju bëj thirrje secilit, që të merrni pjesë në mënyrë aktive në këtë proces kaq të rëndësishëm i cili realizohet 1 herë në 10 vite.

Të mirëpresim në shtëpitë dhe banesat tona regjistruesit, ashtu siç e kemi traditë ne shqiptarët dhe t’u përgjigjemi pyetjeve të tyre saktë dhe drejtë. Dëgjoni pyetjet deri në fund dhe të pyesni në qoftë se keni paqartësi.

Ju ftoj që në mënyrë të lirë, me bindje të plotë e me krenari, të deklaroni përkatësinë kombëtare – shqiptare dhe gjuhën shqipe – gjuhë amtare, dhe besimin fetar të cilit i përkisni.

Të gjithë kryefamiljarët, që kanë anëtarët e familjes përkohësisht me punë jashtë vendit, por që kanë nënshtetësinë malazeze duhet t’i rregjistroni.

Për çdo paqartësi dhe informacion të nevojshëm, zyrat e Këshillit Kombëtar në Ulqin, Malësi-Tuz e Plavë do të jenë në shërbimin tuaj.

1️⃣ Deklaro: nënshtetas i Malit të Zi

2️⃣ Jam Shqiptar

3️⃣ Gjuha amtare: gjuha shqipe!

Ta themi me krenari që jemi SHQIPTARË e flasim SHQIP!