Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj merr pjesë në samitin B-40, në Tiranë

Delegacioni i Komunës së Tuzit i përbërë nga kryetari Lindon Gjelaj, nënkryetari Fisnik Gjokaj dhe sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisjen Lokale, Marina Ujkaj, po marrin pjesë në samitin B-40 i cili po zhvillohet në Tiranë.

Rrjeti i Qyteteve B-40 është rrjeti më i madh i qyteteve/komunave në Ballkan, ndërkaq nga sot Tirana e merr drejtimin e Presidencës së B-40. Pas Stambollit e Athinës, Tirana është e treta që merr presidencën e B-40.

B-40 ka për qellim krijimin e bashkëpunimit në mes qyteteve të Ballkanit me theks të veçantë te; bashkëpunimi ndaj krizave dhe ndryshimeve klimatike, zhvillimi ekonomik dhe kulturor dhe digjitalizimi i shërbimeve.

Në samit mori pjesë edhe President i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Presidenti Bajram Begaj në fjalën e tij në samitin e vendeve të B40, ka deklaruar se nevojitet më shumë bashkëpunim e më shumë dialog që i sheh problemet si mundësi zhvillimi.

Kreu i shtetit u shpreh se nuk mund të ketë mirëqeverisje nëse nuk dëgjohen të gjithë zërat në vendimmarrje.

“Ne do ju japim një të mirë të madhe. Shtëpia e shqiptarit është dhe e mikut dhe e zotit. Shqipëria është vendi i mikpritjes dhe bujarisë”, tha Begaj.

Kryebashkiaku  i Tiranës, Erion Veliaj u shprehë se këtë vit Tirana do të jetë shtëpia e madhe e gjithë bashkive të Ballkanit. “Fillon nga bashkia e Stambollit e Ankarasë deri në bashkitë e Lubjanës, Sofjes, Bukureshtit dhe gjithë bashkitë në mes. Praktikisht është gjithë Europa Lindore, ose si themi ne, lagjja jonë.

Më vjen mirë që këtë vit Tirana ka kryesinë e B40. Vitin e parë ishte Stambolli. Vitin e dytë, vjet ishte Athina. Këtë vit Tirana do të jetë shtëpia e madhe e gjithë bashkive të Ballkanit”, deklaron ai.

Veliaj nënvizon se Tirana sot është kthyer në një model të transformimit.

/MALESIA.ORG/