Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës më 15 dhe 16 maj 2024.
Gjatë vizitës së tij të punës në Prishtinë, ka takuar kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
“Ditën e parë të vizitës time të punës në e fillova duke takuar mikun tim të nderuar, kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, me të cilin bisedova për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona. Me kryeparlamentarin u dakorduam se Mali i Zi dhe Kosova ndajnë aspiratën e ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët me zhvillim të ndërsjellë politik, ekonomik dhe kulturor.” ka shkruar Gjeloshaj.
Teksa biseduan për zhvillimet politike në Kosovë dhe Mal të Zi, kryetari Konjufca tha që me z. Gjeloshaj u pajtuan se “zhvillimi dhe siguria e shteteve tona, si dhe e rajonit kërkon angazhim të pandërprerë në mbrojtje të sovranitetit, shtetit të së drejtës dhe demokracisë, kërkon qëndrim të palëkundur kundër agjendës dhe influencës ruse në rajon”.
Zëvendëkryeministri Gjeloshaj është takuar edhe me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz.
Gjeloshaj i konfirmoi zëvendëskryeministres Gërvalla-Schwarz mbështetjen e Malit të Zi në proceset e integrimeve europiane.
“Do vazhdojmë të bashkëpunojmë në të gjitha nivelet për perspektivën tonë të përbashkët europiane. E ardhmja e rajonit është në Bashkimin Europian,“ theksoi Gjeloshaj.
Gjeloshaj gjatë vizitës së tij në Kosovë përveç takimeve me zyrtarë të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës, do të marrë pjesë edhe në hapjen e ekspozitës „Retrospektiva e Gjelosh Gjokaj“, e cila organizohet me rastin e 18 vjetorit të Pavarësisës së Malit të Zi.