Homazh për dr.Lukë Gjokaj – Njeri i madh dhe humanist i rrallë

dr-Luke-GjokajNga: Gjekë Gjonaj

Doktor Luka, bashkëvendasi dhe miku im i shtrenjtë, u nda pak ditë më parë nga jeta në Tuz. Iku në amshim. Kështu ndodhi. Papritur dhe pabesueshëm. Kur mora lajmin e vdekjes së mjekut të dalluar, nuk e besova. Sepse një natë para se dr.Luka ra në gjendje kome, afro një gjysmë ore biseduam nëpërmes telefonit për shumëçka si shokë të sinqertë të kahershëm. Ashtu siç flasin miqtë e shtrenjtë në mes veti, si vëllezër të dashur të një gjaku. Kësaj here e thirra unë doktorin, tani të ndjerë, edhe pse më shpesh ai më merrte mua në telefon se sa unë atë. Me këtë rast e ftova të kalojmë një ditë bashkë në fshatin Cërkvina, jo larg Kollashinit, ku isha në pushime verore me familje. I thashë eja të shijojmë së bashku aromën të pyjeve dhe bimëve shumëvjeçare në Parkun Nacional “ Biogradska Gora”. Të kënaqemi në flladin e pishnajave . Të shuajmë etjen me ujin e freskët e të kthjellët të bjeshkëve të larta. Të ngopim barkun me kos e kaçimakë, si dikur na i përgatisnin nënat tona, dritë paçin, në vendlindjen tonë të përbashkët – Triesh. “ Me gjithë qejf””, më tha doktori, duke më njoftuar se atë ditë është i ftuar në një ceremoni festimi të përbashkët të fisit Gjokaj, nga i cili nuk mund të mungonte. Pas mbarimit të bisedës telefonike mbeta me shpresë se do të shihemi së shpejti. Nëse jo në Kollashin, atëhere gjëthësesi në Tuz, në
kthim. U mashtrova. Dëshira ime dhe e tij, nuk u realizua. Në vend të vizitës së tij, unë heshtur, I pikëlluar e i përlotur si shumë qytetarë të tjerë të Malësisë dhe më gjerë, ditën e ngushëllimit u përkula me pietet para arkivolit me kufomën e tij, para altarit në Kishën e Sh’na Ndout në Tuz, duke i dhënë lamtumirën e fundit këtij njeriu e humanisti të madh që aq shumë më deshti mua dhe familjen me zemër, çiltër, pa hile e interes, dhe aq shumë e deshta dhe e deshtëm sinqerisht.

Mjek i jashtëzakonshëm

Derisa i shkruaj këto pak rreshta në shenj kujtimi e nderimi për këtë mjek të jashtëzakonshëm ndjej dhembje një shpirt. Ndjehem i shqetësuar. Besa edhe i trishtuar. Nuk përmbahem së qari. Lotët për një çast më ndërprejnë shkrimin. Natyrshëm, sigurisht. Sepse humbëm një burrë të mirë. Një njeri të madh. Një mjek model. Një shok e mik të çmuar.Një malësor të ndershëm. Një shqiptar të vërtetë e të devotshëm . Një humanist të pashoq. Një iluminist. Një njeri të papërtuar. Një punëtor pa orar. Kurdoherë në shërbim të pacientëve pa dallim përkatësie kombëtare a fetare , kudo ka punuar në Kosovë e Mal të Zi, Amerikë apo vende tjera të cilat i ka vizituar, ashtu siç ishte betuar në fillimet e punës së vet si mjek.
Me punën e tij humane bëri emër si mjek i famshëm, i cili shërbimet e veta mjekësore më shumë i bënte falas. Nami i mirë i kaloi kufijt e Malësisë . U shtri në rrafshin mbarë shqiptarë, dhe jo vetëm. Mjeku Lukë Gjokaj ishte simbol i një profesionalizmi të rrallë për realitetet e shoqërisë sonë të tridhjetë viteve të fundit, ku për fat të keq shumë vlera morale njerëzore janë shndërruar në kundërvlera. Edhe në një periudhë si kjo e tranzicionit arriti jo vetëm të kultivoj por edhe të ruaj autoritetin e duhur profesional dhe intelektual, duke qëndruar mbi këtë kohë të vështirë e stresuese për mendjen dhe shpirtin e njeriut.
I tillë ishte edhe jashtë profesionit, në të gjitha fushat e tjera të jetës në të cilat ai me punën e vet shumëvjeçare ka dhënë kontributin e tij të çmuar.
Nga mjeku i jashtëzakonshëm Lukë Gjokaj Malësia në veçanti dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi, në kohën e një krize vlerash, trashëgoi objektivitetin dhe profesionalitetin, humanizmin dhe bamirësinë, virtyte këto të qëndrueshme të civilizimit botëror.

Figurë kryesisht me tipare të Malësisë 

Cilido që e ka njohur nga afër dr.Lukën besoj pajtohet me vlerësimin se ai ka qenë njeri kryesisht me tipare të malësorëve, në kuptimin më të mirë të fjalës. Unë tek kjo figurë shumëdimensionale kam vënë re se ishte i brumosur me vlera të larta njerëzore. Në gjykimin tim ishte njeri me integritet të lartë moral. I hapur e i drejtpërddrejtë. I vëmendshëm për të dëgjuar, por i gatshëm për të kundërshtuar. I prirur nga mendimi ndryshe. Njeri i urtë. I ditur. Shumë i zgjuar. Spontan. I matur.I heshtur. Serioz. Shumë i qetë, një mësim që ma dha edhe mua. I dashur. I ndershëm. I ndjeshëm. I fjalës. Besnik. Bamirës. Mikëpritës. Fjalëmbël e fjalëpak. Fliste qetë, butësisht me zë të ulët. Si natyrë njerëzore ishte mjaft romantik. E mbante dhe e kujdeste shumë veten nga pamja. Gjithmonë vishej me shumë shije, deri në momentin e fundit të jetës së tij. Me këto dhe karakteristika të tjera radhitej në mesin e njerëzve fisnik e të
kulturuar.

Humbje e madhe

Bota mjekësore shqiptare humbi një mjek të përsosur, një humanist për mua të rrallë, të lidhur ngushtë me shëndetin dhe jetën e shumë bashkënjerëzve të tij, kur ata i kërkuan ndihmën e tij.

Vdekja e rrëmbeu para kohe në moshën 64 vjeçare bashkëpunëtorin tim , të paharruarin dr. Lukë Gjokaj. U nda prej të gjallëve kur kishte ende për t’i dhënë mjekësisë, bashkënjerëzve ( pacientëve) të tij. Ikja e tij në amshim padyshim është humbje e madhe jo vetëm për Malësi. Por nuk mund të lëjë një vend bosh për sa kohë fryma e tij është shëndërruar prej kohësh në një konstante humaniste dhe intelektuale.

E kam ende të freskët në kujtesën time thënien e tij para shumë vitesh në ambulancën e tij në Tuz. “ Gjekë, të bëhesh mjek është e lehtë , por të jesh mjek është e vështirë”. Kjo sentencë e ka udhëhequr në të gjithë jetën e tij profesionale. Malësia, i ka borxh shumë këtij biri të saj, i cili përveçse mjekonte jetë njerëzish, shpëtonte bashkë me të edhe dinjitetin e tyre.maleis.a