Nxënësit shqiptarë që mësojnë në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi ( me sistem të reformuar dhe atë të vjetër) sikurse edhe viteve të mëparshme vitin e ri shkollor 2008/09 e kanë filluar përsëri me të njëjtat halle dhe probleme- mungesë të teksteve shkollore. Për nxënësit me mësim në sistemin e ri të reformuar disa tekste kanë dalë që në gusht, disa të tjera para disa ditëve, por ka edhe asosh që nuk kanë dalë fare. Nxënësit e vitit të III-të të sitemit të reformuar që mësojnë në shkollën e mesme janë më të dëmtuarit, pasi që atyre u mungojnë të gjitha tekstet shkollore. Përveç teksteve të gjuhës shqipe dhe letërsisë që autorë janë shqiptarë, të gjitha tekstet e tjera janë të përkthyera nga gjuha malazeze, ku në këto përkthime janë angazhuar një numër i madh përkthyesish.
Tekstet shkollore
Tekstet shkollore për nxënësit me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi në sistemin nëntëvjeçar dhe në gjimnazin e përgjithshëm të reformuar ende mbeten problem, edhe pse në daljen e tyre janë angazhuar një numër i madh autorësh dhe përkthyesish. Sipas katalogut 2008/2009 të gjitha tekstet për shkollën fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe të reformuar është dashur të jenë në shitje që në muajin gusht, por në fakt ndodh e kundërta. Teksti i psikologjisë, kimisë, fizikës, historisë, gjeografisë dhe matematikës për vititn e II- të të gjimnazit të përgjithshëm të sistemit të reformuar në librarinë “Libertas” në Tuz kanë mbërritë vetëm para një jave. Po ashtu nxënësve shqiptarë që mësojnë në shkollat shqipe në Mal të Zi u mungon edhe teksti i biologjisë për klasën e VIII-të, kurse fletorja e punës ka dalë. Po për këtë klasën, teksti i kimisë ka dalë në shitje tashmë disa ditë. Këto ishin vetëm disa nga ato që në katalog figurojnë si të dala, kurse nxënësve ende u mungojnë. Për nxënësit me mësim në gjuhën shqipe mungon gjithashtu edhe teksti i gjuhës malazeze, por edhe ai i gjuhës shqipe që nxënësit joshqipfolës e kanë si lëndë fakultative. Në shumë shkolla me mësim në gjuhën shqipe mungojnë edhe doracakët për mësimdhënës. Siç dihet ato nuk shiten në librari. Edhe nxënësit me sistem të vjetër ende përballohen me probleme të vjetra, të trashëguara nga viti në vit. Ky problem është evident si në shkollat fillore ashtu edhe në ato të mesme.
Drejtori i SHF “Mahmut Lekiq” në Tuz, Pjetër Ivezaj, thotë se për mungesën e teksteve e ka njoftuar Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore. “Furnizimi i nxënësve me tekste shkollore është më i mirë se vitin e kaluar dhe më i lehtë për mësimdhënësit”, deklaron Ivezaj.
Sipas tij për nxënësit që mësojnë me sistem të ri të reformuar nuk janë botuar tekste të mjaftueshme dhe ato nuk kanë dalë në kohë në shitje. Gjithashtu ai tregon se edhe për mësuesit mungojnë doracakët. “Ditë më parë një shkollë nga Podgorica na i ka sjellë disa doracakë për mësuesë, pasi që atyre u kishin ardhur gabimisht nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore”, njofton ai duke shtuar se edhe këtë vit shkollor nxënësit me sistem të vjetër e kanë filluar me mungesën e teksteve, por siç thotë Ivezaj ato i kanë tejkaluar duke i huazuar nxënësit nga njëri-tjetri. Edhe drejtori i Gjimnazit “25 Maj” në Tuz, Mark Berishaj, njofton se janë disa tekste, por jo për të gjitha lëndët.
Sipas informatave nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore për shkollat fillore kanë dalë gjithsejt 12 doracakë, më së shumti për klasën e VIII-të- tetë sosh, kurse për të mesmen pesë.
Viti i tretë i gjimnazit pa asnjë tekst
Nxënësit e vitit të tretë të shkollës së mesme të reformuar e kanë filluar përsëri këtë vit shkollor pa asnjë tekst. Tekste ata nuk kanë pasur as në klasën e parë dhe as të dytë dhe sipas të gjitha gjasave edhe vitin e katërt do ta vazhdojnë pa asnjë tekst shkollor.
“Nga lënda e gjuhës shqipe mundohem që nxënësve tzu sjelli literaturë për shkrimtarët shqiptarë dhe të huaj, si dhe ndonjë skriptë, kurse për lëndët e tjera nuk ka tekste fare”, tregon kujdestari i kësaj klase, Sead Lulanaj.
Të gjitha tekstet e gjuhës shqipe dhe të letërsisë kanë dalë
Redaktori për gjuhë shqipe dhe letërsi pranë Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, Zarija Brajoviq, thotë se përveç Letërsisë për vitin e II-të të gjimnazit të përgjithshëm të reformuar, të gjitha tekstete tjera të lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë për sistemin e ri të reformuar në shkollat fillore dhe të mesme duhet të kenë dalë, kurse siç shprehet ai për mungesën e teksteve shkollore për shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi nuk mban kurrfarë përgjegjësie, sepse siç njofton Brajoviq tash një vit e gjysmë kryen vetëm detyrën e redaktorit për gjuhë shqipe dhe letërsi. Ai shpreh kënaqësi të veçantë që për herë të parë në Mal të Zi janë në përdorim të gjitha tekstet e gjuhës shqipe dhe letërsisë.
Përkthimi i teksteve në gjuhën shqipe
Zarija Brajoviq është i shqetësuar për përkthime të teksteve nga gjuha malazeze në atë shqipe. Ai thotë se tash një vit e gjysmë nuk është fare në dijeni për tekstet që përkthehen nga gjuha malazeze në atë shqipe. Sipas tij, përkthyesit i ka zgjedhur drejtori i Entit dhe kryeredaktori.
Kur është fjala për zgjedhjen e përkthyesve ai thotë se për këtë duhet ekzistuar kritere të posaçme. “Në rend të parë përkthyesi duhet të jetë profesor i gjuhës shqipe, i cili gjatë përkthimeve mund të konsultohet me konsultantantët nga fusha të ndryshme, por edhe ta krahasojë terminoilogjinë edhe me botime të tjera nga viset shqiptare, veçmas nga Tirana”, sqaron ai. Me përkthime të dobëta Brajoviq thotë se u bëhet dëm shkollave me mësim në gjuhën shqipe, vetë Malit të Zi dhe nxënësve me mësim në gjuhën shqipe.
Ndërkaq, profesori i lëndës së gjeografisë në shkollën e mesme “25 Maj” në Tuz, Luigj Camaj, ka vërejtje në përkthimin e gjeografisë për vitin e parë, kurse gjeografinë e vitit të dytë ende nuk e ka lexuar, pasi që siç tregon ai ka dalë tash disa ditë. “Përkthimi i gjeografisë për vitin e I-rë të shkollës së mesme të reformuar është katastrofal. Siç mund të vërehet nga kjo, përkthimi është bërë shabllon. Ka qindra gabime dhe mendoj se përkthimin nuk e ka bërë profesionisti. Ka faqe që ka edhe 10 gabime.
Zarija Brajoviq njofton se vërejtjet e mësimdhënësve në përkthime duhet të jenë të sakta, duke treguar kështu faqen, rreshtin, sepse kështu i ndihmohet Shtëpisë botuese dhe përdoruesit të teksteve shkollore.
Për nxënësit që vitin e ardhshëm do të jenë në klasën e III-të, teksti i biologjisë është në përkthim nga prof.dr. Sulo Haxhiabllahoviq.
Ku mund të blihen tekstet shkollore?
Tekstet shkollore për nxënësit me mësim në gjuhën shqipe në Podgoricë mund të blihen vetëm në librarinë e Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, në rrugën Novaka Millosheva nr. 36, kurse në Tuz në librarinë “Libertas”. Sipas një shitseje të librarisë së Entit në fjalë, numri i blerësve të teksteve shqip është fare i vogël.
Ndërkaq, pronari i librarisë “Libertas” në Tuz, Shaqir Gjokaj, njofton se nga data 20 gusht e këtij viti ka filluar ta furnizojë librarinë me tekste të reja shkollore.
“Deri më tani nga depoja e Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore kam marrë tekste shkollore gjashtë herë. Çdo ditë dalin libra të rinj”, thotë shitësi Gjokaj.
Në librarinë “Libertas” kanë mbërritur mjaft tekste të reja
Në krahasim me fillimin e vitit shkollor, libraria “Libertas” në Tuz gjatë fundit të muajit të kaluar dhe fillimit të këtij muaji është pasuruar edhe me disa tituj të rinj tekstesh (por jo edhe me të gjithë) për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme me sistem të ri të reformuar. Nxënësit në fillim të vitit shkollor nuk i kanë gjetur në librari disa tekste dhe tani mendojnë se ato nuk do të dalin më deri në fillim të vitit të ardhshëm dhe kështu pjesës dërrmuese të nxënësve u kalon viti shkollor pa tekste, duke u shërbyer me shënime të marra ose diktime nga profesorët, që janë të ndaluara.
“Tani që ka libra, nxënësit nuk i blejnë. Vetëm para disa ditëve për klasën e dytë të gjimnazit të përgjithshëm të reformuar i mora 6 tekste: Fizikën, Kiminë, Historinë, Gjeografinë, Psikologjinë dhe Matematikën, pastaj tekste të reja kam marrë edhe për nxënësit e shkollës fillore të reformuar.
Pse nxënësit tani nuk i blejnë tekstet?
Nëse në fillim të vitit shkollor nuk ka tekste në librari, atëherë nxënësit interesohen fare pak për daljen e tyre, duke u shërbye kështu me diktime nga mësimdhënësit e tyre. Se sa e logjikshme është tzu diktosh nxënësve kur tani kanë tekste, është e paqartë. Për blerjen e teksteve do të duhej të interesohej vetë nxënësi, prindi dhe shkolla ku ai mëson, me qëllim që këto vështirësi të tejkalohen dhe nxënësit tzi kenë tekstet.
Profesori i Kimisë në shkollën e mesme në Tuz, Gjeto Junçaj thotë se 30 % të nxënësve e kanë blerë kiminë, kurse shitësi i librarisë “Libertas”, Shaqir Gjokaj, thotë se është një numër i mësimdhënësve që e detyron nxënësin ta blejë tekstin, por për pjesën tjetër nuk e di.
“Sa herë që informohem se kanë dalë tekste, menjëherë shkoj dhe i marr ato dhe munduhem që edhe nxënësit ti njoftoi për to”, bën të ditur Gjokaj. Në pyetjen tonë se sa janë shitur dhe po shiten tani tekste, ai përgjigjet: “Në fillim të vitit shkollor nxënësit i kanë blerë të gjitha librat që kanë qenë këtu. Më së shumti tekstet mësimore i kanë blerë nxënësit e ciklit të ulët, sidomos ata të klasës së parë, kurse për librat që kanë munguar në fillim e tani kanë dalë fare pak nxënës vijnë për të pyetur “, konstaton ai. Sipas tij asnjë mësimdhënës deri më tani nuk ka ardhur për të pyetur se a ka dalë teksti apo jo. Edhe pse kjo librari nuk është larg dy shkollave, fillores dhe të mesmes, Shaqiri tregon se bashkëpunimi me institucionet shkollore në Malësi nuk është në nivel të duhur.
Përfundim
Sado që në fillim të vitit shkollor për nxënësit shqiptaë që mësojnë në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi ka pasur mungesë tekstesh dhe vonesë me botimin e tyre, tani në fillim të këtij muaji kemi botime të reja dhe ato do të duhej ti blenin çdo nxënës dhe mësimdhënës, pasi ato tani janë të përkthyera dhe të përgatitura nga kolegët dhe mësimdhënësit e tyre. Ministria e Arsimit, Enti për Shkollim dhe Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore janë të vetëdijshëm për mungesën e teksteve shkollore dhe sido që ato të vlerësohen, dalja e tyre është për tu përshëndetur. /kohapress