Shoqata TEUTA me kryetarin e saj Marjan Lulgjuraj uron të gjithë shqiptarëve gëzuar 100-vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Duke pershëndetur ueb faqen tuaj “Malësia.Org”, përmes faqes suaj dëshiroj të uroj 100-vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhën e posaçërisht shqiptarët e Malit të Zi. Shoqata “TEUTA” me datën 08.11.2008 organizoi një tubim jubilar në QKI “Malësia” në Tuz për këtë pervjetor të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, histori e cila i vuri themelet bazë të një populli.
Në këtë tubim jubilar morën pjesë edhe profesorët e nderuar të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” prof. dr. Tomor Osmani, prof.as dr. Tefë Topalli dhe dr. Mimoza Priku, të cilët tek pjesëmarrësit sollën informacion lidhur me Kongrsin e Manastirit që u mbajt më 14 deri 22 nëntor 1908 në Manastir, gjithashtu u fokusuan tek intelektualët e veriut në ndihmesën që i dhanë për këtë arritje me vlera mbarëkombëtare,e njëri nder ta ishte edhe at Gjergj Fishta me të cilin veprimtaritë e tij na i solli dr. Mimoza Priku.
Prof.dr. Tomor Osmani ligjëroi për Alfabetin e Gjuhës Shqipe dhe Kongresin e Manastirit, ndërsa prof.as dr. Tefë Topalli u muar me ndihmesën e pararendësve të veriut të Rilindjes Kombëtare për Alfabetin e Shqipes.

Unë si kryetar i kësaj shoqate me kënaqësinë me të madhe u njita në foltore të hapi manifestimin dhe të fokusohem në temën e këtij jubileu, dhe njikohësisht shpreha kënaqësinë për privilegjin që mu dha të drejtohem në këtë tubim me rastin e përvjetorit të 100-të të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Është hera e parë që në Tuz të shprehim respektin tonë të thellë për të gjithë ata që u mblodhën në Manastir dhe vendosën bazën e alfabetit tonë të unifikuar si dhe të reflektojmë të gjithë së bashku për këto vite të kaluara, ku mbi bazën e këtij alfabeti u ndërtuan vlera dhe të arritura të tjera që garantojnë qëndrueshmëri kulturore kombëtare dhe universale. Unifikimi dhe kodifikimi i alfabetit të shkencës gjuhësore shqipe është vizioni i parë i inteligjencës shqiptare për gjallërimin dhe vitalizimin e gjuhës shqipe, artikulimin e vlerave kulturore dhe shpirtërore.

Dua të falenderoj edhe përmes faqes suaj nji tanësi mediash nga Mali i Zi dhe nga Shqipëria që përciellën këtë tubim jubilar, dhe në veçanti kam një falenderim për Fondin Humanitar “MALËSIA” nga NEW YORKU i cili ishte sponsor i këtij manifestimi me permasa mbarëkombëtare.

Me respekt, kryetari i shoqatës “TEUTA” Marjan Lulgjuraj

FOTOGRAFITË KOMENTOJE