Topi: Do të thellojmë bashkëpunimin me Malin e Zi

Presidenti Topi dhe Kryeministri malazez në takimin e sotem theksuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku përparësi merr krijimi i një sistemi energjetik rajonal

Sot, në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u takua me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilët ndajnë një histori të përbashkët, kanë sot të gjitha motivet dhe nxitjen për të bashkëpunuar për një të ardhme evropiane të popujve tanë dhe të rajonit në tërësi. Pasi nënvizuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, Presidenti Topi dhe Kryeministri malazez nënvizuan interesin për thellimin e këtyre marrëdhënive, ku përparësi merr krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave e njerëzve, lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Gjatë takimit, Presidenti Topi, duke vënë në dukje se procese të tjera me interes të ndërsjelltë janë edhe bashkëpunimet në fushat e arsimit, bujqësisë, sigurisë dhe rendit publik, mbrojtjes, punës dhe çështjeve sociale, infrastrukturës ndërlidhëse turistike dhe telekomunikacionit, nënvizoi se nënshkrimi i projekt-marrëveshjeve në proces do të nxisnin zhvillimin e mëtejshëm të vendeve tona, për të krijuar një rajon me standarde evropiane. Në mënyrë të veçantë, Kryetari i Shtetit inkurajoi rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, hartimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore, atyre për ruajtjen e ekosistemit dhe zhvillimin e turizmit bregdetar.
Z. Gjukanoviç shprehu bindjen se bashkëpunimi rajonal, dialogu politik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare ekonomike do të përmbushin aspiratat integruese të popujve tanë për të qenë anëtarë me të drejta të plota si të BE-së ashtu dhe të NATO-s. Kryeministri Gjukanoviç u shpreh i bindur se e ardhmja e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor është e sigurt në gjirin e familjes së madhe evropiane dhe të strukturave euroatlantike. Z. Gjukanoviç vlerësoi rolin e pakicave kombëtare në të dy vendet si ura lidhëse dhe si një bazament i fortë për t’i zhvilluar akoma më tej marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve tona. Sa i përket vendimit për të njohur pavarësinë e Kosovës, ai theksoi se ky vendim ishte i matur dhe konstruktiv dhe i kontribuon paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajon. /balkanweb/

KOMENTOJE