Në Amerikë filloi aksioni për ndihmë Mitrovicës

Të fundit që i janë bashkangjitur aksionit të Rrustem Gecajt për Mitrovicën janë Shefki Sefa dhe Sandër Çotaj nga Ulqini me banim në Nju Jork, të cilët dhanë nga 500 dollarë

BRONX NY – Biznesmeni dhe aktivisti i njohur në komunitetin shqiptar të Nju Jorkut, Rrustem Gecaj, këto ditë filloi një aksion humanitar, i nxitur nga ngjarjet e fundit në Mitrovicën e Veriut, ku forcat ekstremiste serbe, të ndihmuara nga shteti serb, pasi kanë dëbuar shqiptarët, nuk i lejojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. Pasi kishte mësuar për Ali Kadriun, i cili përkundër kërcënimeve të serbëve e të UNMIK ut, po përpiqet të ri-ndërtojë shtëpinë e tij të shkatërruar nga serbët, Rrustem Gecaj filloi një aksion humanitar për ta ndihmuar atë.
Pasi dhuroi dhjetë mijë dollarë për të, ai u vu në veprim për t’iu bashkangjitur edhe mërgimtarë të tjerë. Aksionit iu bashkangjitën nipat, kushërinjtë, të gjithë këta nga Lluka e Ulët e Deçanit si dhe disa miq të tjerë. Deri të marten e kaluar u mblodhën rreth 25 mijë dollarë. Meqenëse Ali Kadriu nuk pranon të holla nga askush, por siç ka theksuar në një intervistë, vetëm siguri për t’u kthyer në shtëpinë e vet, pas aksionit të z. Gecaj, në Mitrovicë është hapur një xhirollogari bankare për familjet e veriut të Mitrovicë, përmes të cilit, bashkatdhetarët tanë, kudo që janë mund të ndihmojnë materialisht.
Xhirollogaria është kjo: Raiffeisen Bank, nr. 150301002298989 O.J.Q Veriu. Të fundit që i janë bashkangjitur aksionit të Rrustem Gecajt për Mitrovicën janë Shefki Sefa dhe Sandër Çotaj nga Ulqini me banim në Nju Jork, të cilët dhanë nga 500 dollarë. “U jam të gjithëve mirënjohës që më ndihmuan të mblidhen këto të holla, të cilat sadopak do ta zbusin gjendjen e popullatës sonë në Mitrovicë. Për Mitrovicën nuk duhet të kursejmë asgjë deri sa të zgjidhet problemi i saj. Nëse të gjithë ndihmojë ngapak, ndihma do të jetë e madhe”, tha Gecaj.

BEQIR SINA, New York

KOMENTOJE