Bisedë me profesorin e muzikës, Luigj Dedvukaj

Malësia ka nevojë për një shkollë muzike

Luigj Dedvukaj u lind në Podgoricë, kurse jeton në fshatin Sukruq -Tuz. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Tuz. Shkollimin e lartë e përfundoi në Universitetin e Prishtinës- në Fakultetin e Arteve, dega e muzikës, drejtimi-: Pedagogji e përgjithshme muzikore. Tani është i punësuar si mësimdhënës i edukatës muzikore në Shkollën Fillore: “Mahmut Lekiq” në Tuz dhe në SHF “29 Nëntori” në Dinoshë.

Koha javore: Na tregoni diçka për fillimet e para të aktiviteteve tuaja muzikore?
L. Dedvukaj:
Aktivitetet e mia të para kanë filluar qëkur isha nxënës i shkollës fillore, pikërisht në SHKA “Drita” nga Nënhelmi si instrumentist me çifteli në përbërje të orkestrës folklorike. Pastaj, aktivitetin tim e vazhdova në SHKA “Hoti” nga Hoti dhe më pas u përqendrova në tastierë (sintetizator), ku me disa shokë themeluam edhe grupin muzikor “Shqiponja” dhe filluam të marrim pjesë nëpër gazmende të ndryshme familjare, në aktivitete shkollore etj.

Koha javore: Si u përcaktuat për të studiuar Artin muzikor?
L.Dedvukaj:
Dëshira për t`u marrë me muzikë ishte e madhe dhe kështu me plot vullnet për të mësuar për muzikën dhe për ta njohur atë më shumë u përcaktova që të regjistrohem në shkollën e muzikës. Kjo dëshirë u përkrah edhe nga prindërit e mi dhe me sugjerime dhe këshillime të drejtorit të shkollës së mesme muzikore në Podgoricë dhe dekanit të Akademisë Muzikore në Cetinë, më caktuan tre profesor për ushtrime dhe mësim nga lëndët solfegjo, piano dhe harmoni dhe kështu ia arrita edhe qëllimit tim.

Koha javore: Jeni ndër të parët nga kjo trevë që keni studiuar këtë degë. Çfarë mendoni, cilat janë shkaqet që artin muzikor e studiojnë shumë pak nga Malësia?
L.Dedvukaj:
Dëshiroj dhe shpresoj që së shpejti të kem edhe kolegë të tjerë me drejtime të ndryshme muzikore. Nuk është e lehtë të studiohet muzika. Përveç vullnetit dhe dëshirës për artin muzikor duhet pasur edhe talent. Pastaj, në muzikë që nga mosha fëmijënore kërkohet edhe punë serioze, disiplinë së bashku me kulturë të sjelljes, traditës e të tjera veçori, të cilat duhet të unifikohen së bashku për të qenë një profesionist i mirëfilltë.

Koha javore: Si e vlerësoni muzikën shqipe sot në Malësi, sa e vlerësojnë të tjerët dhe sa është e financuar ajo. Sipas jush, çfarë i duhet asaj dhe sa është reprezentative ajo në botën perëndimore?
L. Dedvukaj:
Duke i analizuar rrethanat socio-ekonomike të mjedisit ku jetojmë, traditën, nivelin kulturor, emetimet e muzikës në radiotelevizione, aktivitetet e ndryshme muzikore, njohuritë, aftësitë muzikore, etj., vërehet mungesa dhe nivel i ulët i kulturës muzikore në përgjithësi. Kjo ka të bëjë me mungesën e institucionit muzikor, që nuk ekziston dhe që do të duhej të merrej me shkollimin e kuadrove muzikore profesioniste, të cilët do ta kultivonin muzikën e mirëfilltë shqipe, në vend dhe më gjerë. Mjerisht, në mungesë të këtyre nuk mund të jemi në nivelin e duhur, sa do që të mundohen disa diletantë të tregojnë vlerat e muzikës popullore. Ne kemi muzikë tradicionale për ta vlerësuar dhe për ta prezantuar tek popujt e tjerë përmes interpretuesve të shquar popullorë, sado pak që kemi. Unë vlerësoj dhe e çmoj sidomos këngën e vjetër për krye krahit, këngën me lahutë, këngën, e cila ka dalë nga thellësia e shpirtit malësor, qoftë ajo lirike, epike, me motive të Shqipërisë së Veriut etj, e cila është përcjellur me vite brez pas brezi tek gjeneratat e reja dhe ka zënë vend të rëndësishëm në traditën tonë popullore. Tek gjeneratat e reja interesimi vërehet dita-ditës në kultivimin e muzikës të rrymave të ndryshme zbavitëse. Por, do të duhej të përkrahet financiarisht nga institucionet relevante e t`i kushtohet një kujdes më i madh kulturës muzikore e artit në përgjithësi në Malësi. Do të duhej të kultivohet muzika artistike vokale, instrumentale dhe vokale-instrumentale. Kjo tani nuk ndodh dhe shpresoj që me kalimin e kompetencave të plota të vetëqeverisjes lokale do të zgjidhet problemi për zhvillimin e jetës kulturo-artistike në Malësi.

Koha javore: Në Malësi ekzistojnë një numër i madh i SHKA-ve amatore, por në anën tjetër i mungon këtij vendi një kor, një grup profesionistësh të këngëve, mungon muzika e kultivuar. A mendoni se Malësisë i nevojitet një shkollë e muzikës?
L.Dedvukaj:
Aty qëndron edhe pikënisja për edukimin, shkollimin muzikor të brezit të ri. Siç e ceka edhe më lartë është shumë e nevojshme që në një vend, siç është Malësia me qendër në Tuz, të hapet shkolla e ulët e muzikës, qoftë si paralele e shkollës së Ulqinit, apo e Podgoricës, ose të jetë krejtësisht e veçantë. Përveç ruajtjes dhe kultivimit të muzikës burimore, folklorike që është traditë jona, ne duhet të shkojmë në edukimin e përgjithshëm muzikor, pra, ta zhvillojmë muzikën artistike të zhanreve të ndryshme dhe të ecim me hapa që bota i ndërmerr. Me hapjen e shkollës së muzikës do të përgatiten kuadro instrumentistësh, koristë, të cilët do të jenë të gatshëm ta kultivojnë muzikën artistike.

Koha javore: Përveç punës suaj si mësimdhënës, a merreni me ndonjë aktivitet tjetër kulturor ?
L.Dedvukaj:
Përveç punës që bëj në shkollë , përgatitjes së korit, kam filluar dhe krijuar një home studio për regjistrim të zërit, krijim muzikor-kompozim dhe orkestrim ku jam paraqitur në disa aktivitete kulturore, si në festivalin e Top Fest 5, me kompozim dhe orkestrim timin, pastaj po ashtu në Festivalin veror “Çelësi muzikor” në Kosovë. Kompozimi im ka marrë pjesë në përbërje të video-klipit “Për ato puthjet e djalit” në Festivalin- “Netët e klipit Shqiptar”. Aktiviteti im nuk mbetet me kaq, por vazhdoj të merrem edhe me aktivitete të tjera muzikore.

Koha javore: Në fund cili është mesazhi juaj për këngëtarët shqiptarë në Malësi dhe në Mal të Zi. Çfarë u sugjeroni brezit të ri ?
L.Dedvukaj:
Ka nga ata interpretues që janë mjaft të talentuar dhe punëtorë e të cilët bashkëpunojnë me kujdes me kompozitorë e pedagogë profesionistë. Kërkohet vetëm punë serioze e vazhdueshme, ushtrime, analizë në zhvillim të interpretimit me kujdes, e sidomos vëzhgimi e këshillimi i pedagogëve është i nevojshëm. Preferohet, dhe është e nevojshme që pjesa dërmuese e interpretuesve vokalë, apo instrumentalë të marrin disa baza elementare muzikore për mënyrën e këndimit dhe të luajtjes në instrument. T`i kushtohet kujdes i rëndësishëm zgjedhjes së melodive, teksteve të këngëve dhe të pasurohet repertori sa më i gjerë. I sugjeroj brezit të ri që të dëgjojë muzikë të zgjedhur cilësore vendase dhe të huaj, të njoftohen me zhanre, stile të ndryshme muzikore, ta respektojnë traditën e tyre dhe të shijojnë muzikën e të tjerëve. Ata të cilët vërtet e duan këngën, muzikën, sugjeroj që të ndjekin shkollimin muzikor dhe të marrin njohuri më të gjerë për muzikën dhe kështu do e pasurojnë nivelin e përgjithshëm kulturor. /kohapress/

KOMENTOJE