Mërgimtarët shqiptarë nesër protestojnë para selisë së OKB-së në Gjenevë – Jo copëtimit të Kosovës

Nesër( më 6 dhjetor) para selisë së OKB-së në Gjenevë do të mbahet protestë publike e mërgimtarëve shqiptarë kundër pazarllëqeve në kurriz të popullit shqiptar, kundër planit gjashtëpikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB së

Gjeneve (Zvicer)- Nesër( më 6 dhjetor) para selisë së OKB-së në Gjenevë do të mbahet protestë publike e mërgimtarëve shqiptarë kundër pazarllëqeve në kurriz të popullit shqiptar, kundër planit gjashtëpikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB së, Ban Ki Moon dhe në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Këshilli Organizativ, i formuar më 27 Nëntor 2008, me përbërje nga veprimtarë në Zvicër, në mbledhjen e vet të mbajtur më 29 Nëntor 2008 në Zürich, vendosi që :Më 6 dhjetor, para selisë së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, duke filluar nga ora 14:00 të mbahet një protestë publike e mërgimtarëve shqiptarë në shenjë të kundërshtimit të pazarllëqeve në kurriz të popullit shqiptar dhe në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Në protestë do të shprehet me forcë kundërshtimi i planit famoz të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.Nga kjo protestë do të kërkohet që të mos negociohet me askënd në dëm të pavarësisë, të sovranitetit e të integritetit territorial të Kosovës, kurse nga OKB, SHBA dhe BE, kërkohet që ta mbrojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, pa hyrë në aventura të tjera të lojërave të rrezikshme me zjarrin. Nga protesta do t‘iu dërgohet një Memorandum OKB-së, BE-së, vendeve te Grupit të Kontaktit dhe Kuvendit të Kosovës, me të cilin do të kërkohet garantimi i mbrojtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Gjatë protestës do të mbahen këto banderola:

JO! – planit 6-pika të Ban Ki-Moon
Të mbrojmë kufijtë !
Kosova një dhe e pandarë !
Amaneti i dëshmorëve – aspiratë shekullore e kombit !
Serbi, larg duart nga Kosova !
Evropë, mos luaj me zjarr !
Evropë e Amerikë, tregojeni në Kosovë vendosmërinë dhe fuqinë tuaj në vepër kundër neoimperializmit rus dhe kundër hegjemonizmit e terrorizmit shtetëror serb !
E drejta për vetëvendosje edhe për shqiptarët në Ballkan !
Kompromisi më i dhembshëm i çështjes shqiptare-PAVARËSIA e Kosovës!
Jo ! copëtimit të mëtejmë të Kosovës !
Jo ! enklavizimit të Kosovës !
Jo negociatave me Serbinë për statusin e Kosovës !
Jo konfederatë me Serbinë !
Faleminderit Zvicër dhe Calmy-Rey për mbështetje politike !

Ftojmë gjithë mërgimtarët shqiptarë në Zvicër dhe shteteve përreth si dhe miqtë tanë zviceranë, që të marrin pjesë në këtë protestë për të shprehur mbështetjen dhe solidaritetin me çështjen e Kosovës. Kontributi ynë në këtë protestë do të jetë edhe një ndihmë tjetër atdheut tonë të dashur në rrugën drejt pavarësisë së plotë dhe bashkimit kombëtar, thuhet në kumtesën e Këshilli Organizativ të mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër, lëshuar në Zürich, me 29.11.2008. /INA

KOMENTOJE