Partitë politike shqiptare dhe liderët e tyre

Si t`u besojmë liderëve tanë

Përplasjet e pariparueshme në mes të subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi te votuesit gjejnë pak përkrahje duke qenë të bindur se liderëve të tyre nuk u intereson e ardhmja e komunitetit dhe se ata nuk brengosen aq shumë për hallet që përjetojnë çdo ditë bashkëqytetarët e tyre, qoftë në politikë, qoftë në ekonomi ku e kanë zhytur popullin me fraza boshe, gjoja se një ditë do të bëhet më mirë.

Shaban Peraj

Kjo që shkruhet e thuhet se subjektet politike shqiptare në Mal të Zi paskan arritur rezultate të mëdha për këto 18 apo 15 vjet të veprimit në të gjitha fushat e jetës shoqërore është më tepër sesa fjalë ose propagandë e atyre që u pëlqen të merren me mashtrime e premtime që nuk provohen e që nuk do t`i realizonin kurrë nëse për të “arriturat” e tyre nuk ka vendosur dikush tjetër jashtë tyre dhe të njëjtit e kanë aminuar duke thënë “ashtu qoftë”.
Shqiptarët në Mal të Zi e kuptuan dhe gjithnjë vazhdon të rritet numri i atyre që duan të kuptojnë se me një propagandë të tillë, siç bëjnë krerët e subjekteve politike shqiptare, mund të fitojnë për të mbajtur gjallë sundimin mbi popull që ai të hajë sapunin për djathë. Të zhgënjyer nga puna dhe rezultatet e këtyre udhëheqësve, komuniteti i këtushëm është kthyer në nostalgji, ndaj kjo masë e shumtë e rinisë sonë endet rrugëve pa ndonjë shpresë për të ardhmen, ose kanë marrë arratinë përtej oqeanit dhe liderët e këtushëm lavdimëdhenj u premtojnë çfarë jo e pastaj i bindin se edhe atje do të gjejnë begati.
Nga thëniet dhe bëmat e tyre hasim në një varg konceptesh të ndryshme çka ndikon negativisht te një numër jo i vogël i atyre që dalin me ide, pro et contra, ndaj interpretimeve të tyre, nga ku personalisht mendoj se këtu qëndron thelbi kryesor prej nga burojnë problemet tona, ndaj këta avokatë mbrojtës marrin përsipër që të na mbushin mendjen se aktet e sjella prej tyre janë një e vërtetë që u takon vetëm atyre dhe askujt tjetër. Duke iu referuar deklaratave të tyre për arritjet në politikë, sigurisht se ata kanë parasysh që duhet vazhduar me “përralla”, të bindur edhe ata vetë se ora ka ngecur diku dhe për këtë nuk janë fajtorë votuesit, por vetë politika dështuese e ndjekur me koncepte komuniste.
Përplasjet e pariparueshme në mes të subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi te votuesit gjejnë pak përkrahje duke qenë të bindur se liderëve të tyre nuk u intereson e ardhmja e komunitetit dhe se ata nuk brengosen aq shumë për hallet që përjetojnë çdo ditë bashkëqytetarët e tyre, qoftë në politikë, qoftë në ekonomi ku e kanë zhytur popullin me fraza boshe, gjoja se një ditë do të bëhet më mirë. Këta nga ajo që deklarojnë kërkojnë të na heqin të drejtën pë t`u shprehur lirshëm për çështjet që na takojnë si pjesë e këtij komuniteti! Vazhdimi i politikës që ushtrojnë do të thotë vazhdim i mosmarrëveshjeve, konflikteve e injorancës për çdokend që nuk përfshihet në konceptin e tyre. Këto konflikte shprehen qartas dhe tani kanë dalë për ledinë edhe kur shënohen përvjetore partiake, edhe kur shënohet 100-vjetori i Kongresit të Manastirit, edhe kur shënohet Dita e Flamurit Kombëtar, edhe kur debatohet në Këshillin e Sigurimit për çështjen e Kosovës.

Çështja e 6-pikëshit e planit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ës, Ban Ki Mun, lidhur me përfshirjen e EULEX-it në Kosovë tregon qartë se nuk është preokupim i tyre, andaj nuk e thanë asnjë fjalë qoftë edhe për të kundërshtuar një plan të tillë. Kështu edhe për vendime të tjera të marra për çështjen kombëtare shqiptare nuk i pyet askush, dhe kur vjen puna që ndonjë projekt me rëndësi kombëtare të dalë fitues, këta vrapojnë për ta pëshkruar si meritë të veten gjë që nuk është realisht e mundur. Edhe kur Evropa, por edhe OKB-ja sot vazhdojnë me avazin e vjetër dhe me një seriozitet që tashmë ka dalë për ledinë për të kërcënuar Kosovën edhe një herë, ne jemi bërë pikë e pesë, të përçarë, bëhemi Skënderbegas, Dedë Gjon Lula, Baca Kurta e çfarë jo për t`u thënë shqiptarëve të këtueshëm se ja ne do të avancojmë pozitën tuaj aty ku u takon! Sipas kësaj atyre u takon të hidhen në “greminë” pa pasur ndonjë shpresë se nesër do të bëhet më mirë për ta. Kjo jo me fajin e tyre, por pikërisht me fajin e atyre që i kanë dalur zot këtij populli për ta udhëhequr.
A nuk shohin apo bëhen sikur nuk shohin këta udhëheqës të forcave politike shqiptare në Mal të Zi se ne jetojmë në një kohë me shumë probleme, duke u nisur nga fukarallëku e deri te partitë politike shqiptare nga ku nuk del asnjë fjalë për ide të reja, për persona që do të bënin diçka ndryshe nga kjo që është bërë për këto 18 e 15 vjet, ku nuk shihen reforma brenda partive aktuale, shihen vetëm të njëjtit persona që kanë zënë fotele të palëvizshme. Të njëjtit janë shkëputur nga populli, prandaj nuk e kuptojnë se çfarë kërkon ai, cilat janë nevojat e tyre, për të mos u paraqitur këta udhëheqës sikur kanë besimin e tyre nga premtimet që u jepen me vite të tëra.
Dhe kështu derisa njëra palë pretendon se ka pasur të arritura duke menduar se mund të jetohet me të kaluarën, krahu tjetër ka rënë në gjumë, sepse nuk ka çka të thotë më tepër, ndaj bëhen sikur të tjerët duhet të shkruajnë histori për ta. Kjo nuk ka për të ngjarë, jo se nuk i kanë shërbyer, por se nuk kanë bërë ndonjë vepër, apo ndonjë fjalë e thënë prej tyre që do të mbetëte në kujtesën e atyre që do të pasojnë në periudha. Është shumë i habitshëm fakti se në këto kohë pas luftës u bënë shumë gjeneralë e patriotë sa kurrë më parë, prandaj vrapojnë të marrin dekorata me merita të huaja! Këta më tepër bëjnë punën e akrobatëve duke ngrehur dolli për punën që nuk e kanë bërë këta, po edhe asnjë nga subjektet politike shqiptare në Mal të Zi. Është shumë rrezik për ne që të njëjtit ngrejnë gishtin në emër të patriotizmit për të manipuluar me votën e zgjedhësve në emër të këtyre të fundit. Ata rrëfejnë për të kaluarën e tyre, punët që gjoja kanë bërë dhe ne jemi mësuar t`i dëgjojmë tashmë në fjalorin e tyre, revokojnë pandashëm të kaluarën nga ku asnjëri nuk lodhet shumë për këtë sepse fajtori është jashtë sferës personale dhe faji mbetet te partia, jo tek individi. Këtë e dëshmojnë edhe festat e Nëntorit ku nuk u ngrit asnjë dolli për të uruar njëri-tjetrin sikur këtu nuk dalim të gjithë shqiptarë. Duke formuar parti të reja u copëtua trungu votues i shqiptarëve të këtushëm dhe pikërisht duke shpartalluar të gjithë “kundërshtarët politikë” pa pyetur për mjete dhe kosto pretendojnë se janë njësha skënderbegas që i kanë vënë përfundi të gjithë.

Është e drejtë e jona që t`i shohim gjërat në mënyrën e rrjedhave ekzistuese për popullin tonë, po aq është e drejtë e tyre për të pranuar realitetin lidhur me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, dhe nëse duhet të shkojmë në “sofrën” e Gjukanoviqit apo të kujtdo tjetër që nesër do të ishte në pushtet, atëherë nuk kemi nevojë për ndërmjetës, sepse sipas modës së krijuar nuk ka asgjë të keqe pasi tashmë është e qartë se vetëm në Mal të Zi ndodh që shqiptarët të jenë aktivë në partitë malazeze, kjo jo me fajin e popullit, por pikërisht të atyre që nuk patën forcën për t`i bashkuar ata rreth një trungu të përbashkët nga ku në mënyrë legale do të krijohej mirëbesimi i ndësjellë në mes palëve konkurruese. /Koha Javore/

KOMENTOJE