Atmosferë lutjesh e uniteti në gjithë Kosovën për festën e Kurban Bajramit

Lutje për ditë më të mira në Malësi e kudo në trojet etnike

Mëngjesi i së hënës ka aguar nën petkun festiv kudo në qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Myftiu Naim Tërnava në faljen e Bajramit ka drejtuar mesazh mes njerëzve për paqe, tolerancë dhe për respekt ndaj gjakut të dëshmorëve të lirisë. Ai është lutur që të mbretërojë mbarësia, paqja e drejtësia edhe në gjithë trojet etnike shqiptare. Pjesë e ceremonive nëpër komunat e Kosovës kanë qenë edhe anëtarët e Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Ata , si zakonisht për festa, janë bërë tok dhe duke i uruar njëri-tjetrit festën janë lutur bashkërisht për vëllezërit e tyre në Malësi dhe kanë lutur Zotin që ta forcojë Malësinë në këto kohë kur atje ende nëpërkëmbën të drejtat elementare të shqiptarëve. Një lutje e madhe është bërë për vëllezërit tonë që padrejtësisht mbahen të prangosur në burgun famëkeq të Shpuzit. Pas kësaj anëtarët e kësaj Shoqate janë pajtuar që më 10 dhjetor në Sheshin “Shkëlzen Haradinaj, pikërisht në mesditë të organizojnë një protestë artistike për ta sensibilizuar opinionin e për të kërkuar drejtësi e liri për vëllezërit në Malësi. Ata duke bartur mbishkrime e duke recituar fragmente skenike do të ngrisin zërin, edhe një herë, publikisht në mbrojtje të Malësisë dhe do të kërkojnë nga institucionet e Kosovës, Shqipërisë dhe ato ndërkombëtare që ta ngrisin zërin e të kërkojnë drejtësi e respektim të të drejtave të shqiptarëve në Malësi e në Kosovën Lindore.

“Do ta organizojmë të mërkurën në mesditë mu në sheshin kryesor të Pejës këtë protestë artistike në në Ditën ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut do ta ngrisim zërin për të t’i treguar edhe një herë Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë botës se këto të drejta nuk kanë aguar ende në Malësi . Do të apelojmë edhe një herë në institucionet tona dhe në ato ndërkombëtare që ta kritikojnë ashpër qeverinë e Malit të Zi d he të kërkojnë nga ajo respektimin e të drejtave të shqiptarëve, të cilat të drejta janë nëpërkëmbur vazhdimisht dhe janë cenuar . Qeveria e Malit të Zi për të futur frikë e ankth mes shqiptarëve atje ka përdorë dhunë, tortura dhe po mbanë padrejtësisht shqiptarë në burg pa pasur edhe më të voglin faj ata malësorë të fortë si shkëmbi”, ka deklaruar për Malesia.Org, Ukshin Jashari, kryetar i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Edhe veprimtari i dalluar i kësaj Shoqate, Frashër Rraci, ka marrë pjesën e tij të detyrës me qëllim që protesta e së mërkurës të jetë sa më mirë e organizuar.
“Aktorët e Shoqatës do të dalin në qendër të qytetit të lidhur e me mbishkrime në trup duke simbolizuar kështu Malësinë e burgosur dhe do t’ju drejtohemi qytetarëve dhe institucioneve me fjalë të rastit për mes të cilave do të ngritim kritika, edhe një herë, kundër pushtetit dhe policisë e drejtësisë së Malit të Zi dhe kundër qeverive të Kosovës e Shqipërisë që nuk kanë thënë as edhe një fjalë kundër burgosjeve e torturave që janë bërë në Malësi nga policia malazeze”, ka treguar Frashëri.

“Jam nxënëse e gjimnazit të Pejës. Edhe në protestën e madhe të 2 dhjetorit në Prishtinë kundër 6 pikave të Ban Ki Munit ishte pjesëmarrëse Shoqata jonë . Edhe atje kemi ngritur zërin dhe kemi mbajtur mbishkrime për Malësinë duke kërkuar përkrahje dhe drejtësi për vëllezërit tonë atje. Do të marr pjesë edhe në protestën artistike të së mërkurës dhe bashkë me aktorët e Shoqatës do të prezantojmë para qytetarëve gjendjen e rëndë në Malësi dhe do të kërkojmë që nga qielli i saj të hiqen retë e zeza e t’i lëshohet rruga diellit dhe buzëqeshjes në fytyrat e fëmijëve shqiptarë atje. E di se drejtësia do të triumfojë, edhe nëse po vonohet. E di këtë sepse malësorët janë të pafajshëm. Nuk është fajësi ta duash gjuhën, flamurin dhe kombin tënd, po është nder”, ka thënë për Malesia.Org, Qëndresë Jasharaj , nxënëse e dalluar e Gjimnazit të Pejës dhe anëtare aktive e Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”.
Anëtarët e Shoqatës janë të sigurt se kjo protestë do të përcillet me kujdes e respekt nga qytetarët e shumtë, por edhe nga gjithë mediat e shkruara e elektronike të Pejës, Dukagjinit dhe Kosovës.
“Malësia e di dhe po i tregojmë edhe një herë se është në mendjen dhe zemrat tona”, thonë anëtarët e shumtë të Shoqatës, që mbajnë gjallë ura të forta të bashkëpunimit e dashurisë vëllazërore mes shqiptarëve të Kosovës . Malësisë së Madhe dhe trojeve të tjera etnike shqiptare.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE