Sheshi qendror i Pejës me emrin e dëshmorit të njohur të kombit, “Shkëlzen Haradinaj” është kthyer në një skenë të madhe artistike në të cilën në mënyrë dinjitoze kanë prezantuar gjendjen shumë të rëndë në Malësinë e Madhe dhe në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Aktorët Ukshin Jashari, Qëndrsa, Shpejtimi, Qëndrimi, Blerin, Fatjeta të shoqëruar nga veprimtarë të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” kanë nisur protestën artistike duke u bërë pjesë e qytetarëve. Ata ishin të lidhur me litar dhe mbanin mbishkrime në trup duke prezantuar realitetin në Malësi, realitet ky që është mjaft i hidhur.
“Po bëjmë këtë protestë artistike sot kur në botën demokratike shënohet 60 vjetori i Deklaratës së përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut. Po Ju rikujtojmë qytetarë të dashur se në Kosovë pakicat kanë më shumë të drejta se sa që janë përcaktuar në këtë Deklaratë, madje është pakica serbe në Kosovë ajo që përkëdhelet dhe i plotësohet çdo kërkesë, kurse Malësisë dhe Kosovës Lindore pushtetet e Malit të Zi e të Serbisë ua mohojnë edhe të drejtat më elementare. Malësia vazhdon të mbetet e burgosur”, u është drejtuar qytetarëve në Sheshin “Shkëlzen Haradinaj”, zëdhënësi i Shoqatës, Rrahman Jasharaj. Qytetarët janë bërë pjesë e kësaj proteste artistike dhe kanë shprehur përkrahjen e tyre të madhe ndaj vëllezërve në Malësi të Madhe e Kosovë Lindore. Ata pastaj janë bashkuar në shkrimin e një letre që do t’i dorëzohet Shoqatave, OJQ-ve, institucioneve vendore re ndërkombëtare, por edhe Qeverive të Shqipërisë e të Kosovës e përmes të cilës kërkohet nga ata që të ngrisin zërin e të kërkojnë nga Mali i Zi e Serbia që të respektojnë të drejtat njerëzore e kombëtare të shqiptarëve.
“TË NDERUARIT QYTETARË, SHOQATA HUMANITARE, OJQ, INSTITUCIONE VENDORE E NDËRKOMBËTARE, QEVERI TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË
Shoqata jonë që mbanë lidhje të ngushta kulturore me Malësinë e Madhe dhe trojet tjera etnike ka përcjellë dhe ka parë nga afër se tani e sa vite shqiptarëve në Malësi, (Hot, Grudë, Trieshë, Kojë), Plavë, Guci, Dacaj, Medvegjë, Bijanovc e Preshevë po ju shkelen të drejtat më elementare njerëzore.
Të gjitha këto dhe ushtrimin e dhunës e presionit sistematik Serbia dhe Mali i Zi janë duke i bërë me qëllim që :
Të fusin frikë, pasiguri mes shqiptarëve atje,
Që në mënyrë të heshtur e herë edhe të zhurmshme të bëjnë ose asimilimin e shqiptarëve atje ose t’i detyrojnë ata të shpërngulën në vende të Evropës e në SHBA,
Të krijojnë mungesë të ardhmërisë e perspektivës për shqiptarët dhe t’i detyrojnë kështu të heqin dorë nga tradita, kultura dhe gjuha e tyre .
TË NDERUARIT QYTETARË, SHOQATA HUMANITARE, OJQ, INSTITUCIONE VENDORE, E NDËRKOMBËTARE, QEVERI TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË
Këto janë vetëm disa nga veprimet që po bëjnë këto dy shtete jodemokratike e në metropolet e botës po ato nuk heshtin se propaganduari rrenat e tyre se atje është në nivelin ë të lartë respektimi i të drejtave të njeriut dhe pakicave.
TË NDERUARIT QYTETARË, SHOQATA HUMANITARE, OJQ, INSTITUCIONE VENDORE E NDËRKOMBËTARE, QEVERI TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË
Deklarimet e Serbisë dhe Malit të Zi për respektim të drejtash të pakicave janë gënjeshtër e kulluar. Po ju kujtojmë se Mali i Zi nga 9 shtatori i vitit 2006 po e mbanë të burgosur Malësinë . Në burgun famëkeq të Shpuzit po mbahen 10 malësorë edhe pse gjykata nuk mundi të sjellë në seancat gjyqësore as edhe një fakt e provë kundër tyre. Ata vazhdojnë të mbahen në burg vetëm pse janë shqiptarë dhe se përmes burgosjes e torturave ndaj këtyre malësorëve dhe familjeve të tyre policía dhe institucionet e Malit të Zi duan t’ua bëjnë qejfin serbëve atje dhe në presionin e frikës ta mbajë në të heshtur e të prangosur Malësinë.
Ju ftojmë prandaj që Ju ta ngritni zërin e së vërtetës dhe të kontribuoni që Malësia mos të ndjehet e vetmuar në këto kohë kur atje po fyejnë erëra të tërbuara kundër çdo gjëje shqiptare”, është përmbajtja e kësaj shkrese.
Kryetari i Shoqatës, Ukshin Jashari u ka shprehur respekt qytetarëve të Pejës, Dukagjinit e Kosovës, që ishin bërë pjesë e kësaj proteste artistike.
“Veprimtarët e Shoqatës sonë bashkë me qytetarët edhe kësaj radhe kemi ngritur zërin duke kërkuar liri e drejtësi për Malësinë dhe duke i nxjerrë sheshit padrejtësitë që po bën Mali i Zi ndaj vëllezërve tanë atje duke ua mohuar edhe të drejtat elementare. Malësorët duhet të gëzojnë gjithë të drejtat që u takojnë në bazë të dokumenteve e Konventave ndërkombëtare, pra duhet të gëzojnë gjithë të drejtat që janë prezantuar e pranuar nga kombet e botës në Deklaratën e Përgjithshme mbi të drejtat e njeriut të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në datës 10 dhjetor 1948. Kosova i tregon edhe një herë Malësisë se ajo nuk është e vetme”, u ka deklaruar mediave elektronike e të shkruara, Ukshini.
Rrahman Jasharaj