Viti 2008 dhe shqiptarët.

Nikollë Camaj,

Të shkruash për atë se çka ishte viti 2008 për shqiptarët, është punë që kërkon përkushtim të veçantë në mënyrë që të mos lësh pa evidencuar shumë gjëra të rëndësishme, të cilat, karshi sukseseve evidente në rrafshin gjithëshqiptar, mund të duken të vogla, prandaj rrezikojnë të humben ndër çështjet e tjera të mëdha, sikur humbet gjilpëra në një mullar sane. Gjthësesi, viti që po lëmë pas, në rrafshin gjithëshqiptar, ishte vit i sukseseve të mëdha. Në radhë të parë, ne ishim dëshmitarë të një ngjarjeje të madhe mbarëkombëtare, të pritur gjatë, shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pastaj të pranimit të Shqipërisë në NATO, që po ashtu ishte ndër ngjarjet madhore me përmasa mbarëshqiptare. Sidomos kur dihet se anëtarësimi në këtë organizatë nënkupton, në radhë të parë, anëtarësimin në radhën e vendeve demokratike me perspektivë të qartë dhe të sigurtë në rrugën euro-atlantike. Po ashtu, edhe njohja e Kosovës nga shteti në të cilën ne jetojmë, mund të radhitet në ngjarje të rëndësishme për shqiptarët e këtushëm si edhe për raportet në Ballkanin e pasluftës.
Gjithnjë duke vlerësuar se këto ngjarje e bënë vitin 2008, vit të shqiptarëve, duhet të kemi parasysh se as këto ngjarje madhore, as këto suksese të mëdha të popullit tonë nuk i zgjidhën shumë çështje të tjera “të vogla”, që krahasuar me këto të sipërpërmendurat, ka mundësi të jenë në pozitë inferiore, e nuk do të duhej të ishin të tilla. Sidomos jo për ne shqiptarët në Malit të Zi, pasi që kemi shumë çështje të pazgjidhura. Në emër të këtyre fitoreve, as ne, e as Shqipëria e Kosova, nuk do të guxonim të mbyllnim sytë para shkeljeve që na bëhen në shtetin ku ne jetojmë. Andaj, vetëkënaqja nuk ka vend!
Që në fillim dua të them se do të isha jo i sinqertë po të thoja se as këtu nuk ka asnjë lëvizje për të mirë, sidomos sa i përket standardit, por përsa i përket ruajtjes së indentitetit kombëtar dhe pozitës së shqiptarëve, kam frikë se në këto rrethana ai vetëm mund të zbehet. A pra, kurrë nuk ka qënë nevoja më e vogël, e rreziku më i madh se tash, që të na gëlltisë asimilimi. Integrimet brenda shtetit të Malit të Zi, pa integrime gjitheuropiane, ku do të ishin edhe të gjithë shqitarët e tjerë, do të na çonte drejt rrugës pa kthim, rrugës së asimilimit. Privatizimi me tiparet kolonizuese, tentativa e ndërrimit të planifikuar të strukturës etnike, siç po ndodhë në Malësi dhe shpallja e parqeve nacionale në të gjithë hapësirën ku jetojnë shqiptarët, çka rrezikon që shqiptarët e Malit të Zi t’i mbajë edhe tutje, fizikisht të ndarë nga pjesa tjetër e trungut nacional, janë vetëm disa nga shqetësimet tona që drua se përcaktojnë të ardhmen tonë. Të përmend këtu edhe stagnimin në realizimin e kërkesave tona politike, siç janë definimi i statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, realizimi i kërkesës për vetëqeverisjen e plotë lokale në trevën e Malësisë, si e drejtë elementare në afirmimin dhe zhvillimin e një pjese të popullatës në shtetin në të cilin jetojmë. Pra, viti 2008 , mbetet vetëm vit i pritjeve tona sa u përket këtyre çështjeve të cilat presin zgjidhje tashmë një kohë të gjatë e të cilat janë pjesa kryesore në angazhimin e LD në MZ, subjektit të parë politik të shqiptarëve në Mal të Zi.

Në këtë kontekst, nuk mund të anashkalohet as fati, ende i panjohur, i të burgosurve në aksionin famëkeq policor “Fluturimi i shiponjës” dhe vazhdimi i torturës policore, gjë që dëshmon se në këtë shtet ka mbetur edhe shumë për t’u punuar, për t’u shkëputur nga recidivat e së kaluerës, kur politika shtetërore ishte antishqiptare. Një shoqëri që arsyton gabimet e veta, me gabime të tjera, e pastaj ato i ndreq në kurriz të popullit të vet, pa dënimin e atyre që gabuan, vërtet jep pak shpresë të gatishmërisë për përmirësim, për lustracion, për ballafaqim me të kaluarën dhe për konsekuenca për individët që bëjnë shkelje të atilla që madje ndotin shoqërinë të cilës i takojnë. Mosgatishmëria për të ndriçuar torturën policore ndaj të arrestuarve, dëshmojnë se pushteti aktual as që mund të shkëputet nga recidivat e së kaluarës, nga ajo e kaluar e cila i ka shkaktuar pasoja të rënda popullatës shiptare në Mal të Zi. Por , a thua edhe në ditët e sotme dikush duhet të vuajë pasojat e një idelogjie, të cilën e dëshmon edhe aksioni policor i sipërpërmendur. A thua një brutalitet i tillë mbi shqiptarët duhet edhe tutje të heshtet gjatë bisedimeve bilaterale me Tiranën e Prishtinën. A thua organet shtetërore që mbahen për organe që ruajnë të drejtat e njeriut apo të pakicve, si ombudspersoni apo Ministria e Pakicave, guxojnë ta heshtin për këtë padrejtësi. Për çfarë interesash madhore bëhet kjo. A thua një ditë dikush do të turpërohet për këtë. Një ditë, e cila për shumëkë mund të jetë vonë!

Para pak ditësh lexojmë se Mali i Zi do t’u paguajë dëmshpërblimin familjeve të boshnjakëve të deportuar në vitin 1992. Vite më parë u pagoi dëmshpërblimin anëtarëve të Partisë së Aksionit Demokratik, të dënuar në vitin 1994. Një ditë, medoemosë, do tua paguaj edhe malësorëve të prangosur në shtator të vitit 2006. Por, çështja është, kur dhe nga paratë e kujt?! Nga paratë e popullit, natyrisht! Shkeljet që i bën pushteti paguhen me paratë e popullit, kurse fajtorët rrinë të lirë. E ata nuk do të duhej të ishin të lirë, as nga fakti se shtetit i kanë sjellë damkë e dëme materiale, e aq më tepër për dëmin dhe damkën që u kanë sjellë viktimave.

Sa na përket ne shqiptarëve që jetojmë në Mal të Zi, edhe viti 2008 do të mbetet vit i mosbashkëpunimit të spektrit politik shqiptar, që paraqet problem të veçantë, në radhë të parë për arsye se kjo i lehtëson punën pushtetit. Këtë e dëshmoi edhe themelimi i Këshillit Nacional të Shqiptarëve, si një e arritur, në pajtim me Kushtetutën dhe drejtësinë pozitive të Mali të Zi, por që formimin dhe konstituimin e tij e kontestuan pikërisht ata që e kishin gojën plot fjalë të mira për këtë të arritur. Në vend që ky Këshill të jetë vendpjekja e të gjithë shqiptarëve për t’i dhënë kontribut ruajtjes së indit nacional në Mal të Zi, ai po paraqitet si mollë sherri, mu nga ata që e krijuan këtë mundësi.

Sido që të jetë, me një Kosovë të pavarur dhe me një Shqipëri në NATO, edhe karshi problemeve tona evidente, edhe karshi frikës që të mos përfundojmë si monedhë për kusure, shpresoj se edhe për ne do të vijnë ditë më të mira.

Nikollë Camaj
Kryetari i Kuvendit të KU Tuz

KOMENTOJE