Edhe Krishtlindjet dëshmuan unitetin dhe dashurinë vëllazërore mes shqiptarëve të Kosovës

Me një atmosferë të shtuar gëzimi ka filluar festa e Krishtlindjeve në tërë Kosovën. Festësë i është shtuar madhështia nga fakti se po kremtohej për të parën herë në Kosovën e pavarur. Kreu i Kishës katolike Shqiptare të Kosovës, Don Gjergji duke udhëhequr meshën e madhe në Kishën katolike shqiptare në Prizren ka dërguar lutje për paqe e lumturi në të gjitha familjet shqiptare kudo janë ato. Atmosferë festive mbretëron edhe në qytetin e Pejës, Gjakovës, Prishtinës, Klinës, por edhe në gjithë vendbanimet tjera të Kosovës. At Fran Sopi duke treguar për përgatitjet e bëra në Kishën Katolike Shqiptare “Shën Katarina” të Pejës për këtë festë të madhe ka shpjeguar për rëndësinë e Krishtlindjeve. Ai ka apeluar të besimtarët, por edhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të angazhohen sot e gjithmonë në emër të paqes dhe dashurisë e respektit mes vëllezërve. Ai ka pranuar urimet nga përfaqësues të institucioneve komunale dhe të liderëve të subjekteve politike e shoqatave. At Frani është lutur që lumturia dhe paqja e Zotit të mbretërojë në familjet shqiptare në Dukagjin, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e në Malësi. Mesha festive e mesnatës në Pejë ka kaluar në një atmosferë shumë solemne dhe aty ishin bashkë shqiptarët e të dy besimeve. Ata kanë shkëmbyer urimet për ditë më të mira.

Pren Marashi, ish luftëtar i lirisë dhe tani sekretar i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së ka ndarë gëzimin e Krishtlindjeve me familjarët, por dhe me shumë vëllezër të tij të besimit mysliman.

“ Kjo është madhështorja e kombit tonë. Me shekuj kemi treguar tolerancë dhe mirëkuptim vëllazëror. Unë u dërgoj mesazhe urimi dhe vizitoj shumë e shumë vëllezër të mi të besimit mysliman ne festat e Bajramit. Ata më dërgojnë mesazhe vazhdimisht dhe bëhen pjesë e gëzimit familjar për Krishtlindjet dhe të gjitha festat tjera. E them me plot zemër se mes shqiptarëve të Kosovës të gjitha festat e të dy besimeve janë gëzim i përbashkët”, shprehet Preni, i cili pastaj bashkë me shumë të tjerë luten që edhe në Malësi të agojnë ditë më të mira dhe të largohet njëherë e për gjithmonë errësira.

Edhe Nikë Zalli është shumë i lumtur për festën e Krishtlindjeve. Ai ka pranuar shumë mesazhe urimi nga kolegët e tij mësimdhënës për festën. “Ne shqiptarët në Kosovë festat i kremtojmë bashkë. Kjo është madhështore. Ne shqiptarët e besimit katolik kurrë nuk jemi ndjerë të lënë anash nga vëllezërit tonë të besimit mysliman. Ishim bashkë në ditët më të vështira të arsimit shqip. Ishim bashkë në kohët e katrahurave e bashkë jemi edhe në festa. Uroj që kudo jetojnë shqiptarët të hetohet mëshira e Zotit”, shprehet Nika.

Pjesëmarrës në festën e madhe të Krishtlindjeve janë edhe anëtarët e Shoqatës së vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” . Ata bashkërisht e pa dallim besimi kanë nisur festën me lutjen që mëshira dhe ndihma e Zotit të jetë me Malësinë e veçmas me vëllezërit tonë që po i mbanë Mali i Zi në burg vetëm pse janë shqiptarë dhe pse e duan fjalën dhe këngën e bukur shqipe.

“Kemi drejtuar lutje për vëllezërit tonë në Malësi dhe jemi lutur veçmas për vëllezërit tonë që pushteti malazez po i mbanë padrejtësisht në burg. Kemi drejtuar një apel në shumë adresa me thirrjen që shqiptarët të mendojnë për njëri-tjetrin, që të mendojnë për kombin, që është një dhe i pandarë. Uniteti dhe bashkimi e mbanë të gjallë idealin sublim të brezave”, ka deklaruar kryetari i kësaj Shoqate, Ukshin Jashari. Ai ka shprehur mirënjohje për përkrahjen morale dhe për angazhimet që janë duke bërë vëllezërit tonë nga Shoqata “Malësia e Madhe” nga Detroiti i amerikës për ta ndihmuar veprimtarinë e Shoqatës.

“Falënderoj vëllezërit tonë për kujdesin që kanë ndaj Shoqatës sonë. Falënderoj edhe vëllain tonë Gjon Dedëvukaj, i cili ka ndihmuar angazhimet tona. U premtoj se kujdesin e tyre do ta meritojmë me punë e angazhime në mbajtjen të fortë të urës së ngritur mes vëllezërve nga Malësia e Madhe, Kosova, Kosova Lindore dhe trojet tjera etnike”, ka thënë Ukshini.

Atmosferë festive e përcjellë me lutjet më të mira për kombin tonë vazhdon të mbretërojë në Pejë e në gjithë Kosovën. Në vizitat e shumta për festën vëllezërit e një kombi do të ngritin dollinë e gëzimit dhe do të lusin Zotin për ditë më të mira në të gjitha trojet shqiptare.

Rrahman Jasharaj