Kosova e ka rastin të bëhet zë i Malësisë

Jo fort moti njëfarë Sllobodan Vujiçiqi i ishte drejtuar kryetarit të Kosovës Fatmir Sejdiut me një kërkesë në emër të Shoqatës së malazezëve që komuniteti i tij të përfaqësohej në Kushtetutën e Kosovës. Kërkesës së Vijiçiqit ishte munduar t’i jepte forcë edhe njëfarë Nikollë Gegaj. Pasuan reagime e komente nga intelektualë e njohës të rrethanave në Kosovë e Ballkan dhe gjërat filluan ta veshin petkun e heshtjes. Kosova këtë kërkesë e pranoi në heshtje. Këtyre ditëve kjo kërkesa e Vijiçiqit mori forcë të re sepse atë e mbështeti edhe presidenti malazias Filip Vujanoviq. Ai edhe përmes kanaleve të komunikimit shtetëror shtroi kërkesën që komuniteti malazez të zyrtarizohet në Kosovë. Analistët këtë kërkesë të Vujanoviçit e vlerësuan si kushtëzim ndaj Kosovës lidhur me ngritjen e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe hapjes së ambasadave në Podgoricë e Prishtinë. Fatmir Sejdiu bashkë me institucionet tjera të Kosovës edhe kësaj radhe ishin : “çele guri gojën”. Ato nuk u morën zyrtarisht me kërkesën e Malit të Zi, por në realitet e sipas përvojave nga e kaluara e afërt kjo heshtje do të thotë pranim i kërkesës së Vujanoviqit. Njohësit e rrethanave aktuale në Malësi dhe në viset tjera shqiptare atje kanë kritikuar këtë heshtje të Kosovës. Ata e kanë parë kërkesën e Vujanoviqit si mundësi shumë të mirë që Kosova të bëhet zë i Malësisë dhe në bisedat në katër sy lidhur me komunitetin malazez, që me vetë dëshirë ishte asimiluar në serb, të flitet e të kërkohet që Mali i Zi që të trajtojë mirë shqiptarët atje dhe t’ua njoh e respektojë të gjitha të drejtat e garantuara me dokumentet dhe Konventat ndërkombëtare.
Këtë heshtje të institucioneve të Kosovës është munduar ta prish gazetari i gazetës shumë të lexuar në Kosovë “Zëri”. Gazetari Enver Ulaj në një shkrim të plot e me shumë argumente përmes gojës së bashkëbiseduesve tregon se komuniteti malazez, që dikur ka ekzistuar si i tillë në disa vendbanime të Dukagjinit të Kosovës, vetë është asimiluar dhe është identifikuar si serb. Kjo ka ndodhur në kohën e luftës së fundit në Kosovë kur pjesëtarë të këtij komuniteti kanë harruar prejardhjen dhe gjenezën e tyre dhe janë bërë pjesë e serbizimit dhe e sulmeve të shumta vrastare të paramilitarëve kundër civilëve dhe shtëpive e pasurisë së shqiptarëve. Pra, faktet e botuara në këtë të përditshme tregojnë se vërtetë në Kosovë për momentin nuk ka komunitet malazez. As në të dhënat jozyrtare të UNHCR-së nuk përmenden malazezët si komunitet, por përmendet vetëm numri i serbëve. Pjesëtarët , që dikur ishin malazez e pa fije nevoje e shpallën vetën serbë, mbase tani në rrethanat e reja në Kosovë prapë do të rideklarohen dhe do të rishpallën malazez dhe kjo është e drejtë e tyre, por presidenca e Kosovës dhe qeveria e saj tani kanë rastin të flasin për Malësinë dhe gjithë shqiptarët e administruar nga Mali i Zi. Këta shqiptarë kurrë nuk e kanë mohuar identitetin e tyre. Ata kurrë nuk janë bërë pjesë e bandave e grupeve paramilitare. Ata njerëz në Malësi gjithmonë ishin për paqe dhe i kanë dhënë edhe votën e tyre pavarësisë së Malit të Zi. Ata janë banorë autokton dhe jetojnë në trojet e tyre shqiptare nga krijimi i kësaj bote. Kosova duhet ta shfrytëzojë rastin dhe , në vend të heshtjes , gjegjësisht pranimit në heshtje të kërkesës së Vujiqit dhe presidentit të Malit të Zi Vujanoviq lidhur me zyrtarizmin dhe futjen në Kushtetutë të komunitet it malazez, që herë është e herë deklarohet se nuk është i tillë, duhet që në takime zyrtare të kërkohet nga Mali i Zi lirimi i të burgosurve shqiptarë dhe respektimi i të drejtave të garantuara dhe njohja e kërkesës së Malësisë për Tuzin komunë të plotë. Institucionet e Kosovës deri tani, mbase, kanë mundur të arsyetohen se nuk kishin rast të flasin për shqiptarët në Mal të Zi, sepse ky shtet nuk e kishte njohur ende Kosovën, por tani e kanë këtë mundësi sepse është bërë njohje e ndërsjellë dhe se këtë rrugën e kërkesave të ndërsjella e ka hapur presidenti malazez Vujanoviq. Nëse ai ka të drejtë të flas për komunitetin malazez në Kosovë, që herë humbet e herë duket, atëherë Kosova ka edhe njëmijë e një herë të drejtë të flas për malësorët dhe gjithë shqiptarët në Mal të Zi. Gazetari Ulaj në shkrimin e tij “ Malazeztë, komuniteti “i humbur” në Kosovë shkruan se pushteti lokal e ai qendror nuk ka komentuar kërkesën e Vujanoviqit dhe nuk ka bërë as edhe një angazhim , por zërin e ka ngritur, si edhe shumë herë deri tani, vetëm Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. “Mali i Zi në radhë të parë duhet të trajtojë mirë shqiptarët që jetojnë në këtë shet dhe të harrojë politikat e së kaluarës ndaj tyre. Mali i Zi duhet të ndërpresë me dhunën dhe arrestimet e burgosjet dhe të krijojë menjëherë kushte që shqiptarët të ndjehen e çmohen si të barabartë sepse ata jetojnë në trojet e tyre”, ka cituar Ulaj kryetarin e Shoqatës “Martin Dreshaj”, z. Ukshin Jasharin.
Malësorët kanë shumë të drejt të hidhërohen në Kosovën dhe institucionet e saj nëse edhe kësaj radhe, në vend të angazhimeve për t’u bërë zë i të drejtave të Malësisë, Kosova zgjedh rrugën e heshtjes dhe pranimit të kërkesave të të tjerëve në stilin “çele guri gojën”

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE