Këshilli Nacional i Shqiptarëve kërkon përfaqësimin autentik të shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi

Gjekë Gjonaj, Ulqin

Këshilli Nacional i Shqiptarëve përmes një kumtese për opinion, duke komentuar paralajmërimet e pushtetit malazez për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare , vlerëson se pa u siguruar mandatet e garantuara shqiptarëve përfaqësimin autentik politik, dhe përfaqësim në institucione, organe shtetërore dhe organe vendore, gjë e cila parashihet edhe me Kushtetutë, këto zgjedhje eventuale nga shqiptarët nuk mund të quhen të drejta dhe të ndershme. “Pushteti aktual, respektivisht shumica aktuale parlamentare duhet që më përpara të aprovojë Ligjin e Ri të zgjedhjeve në harmoni me Kushtetutën dhe në këtë mënyrë të jetësojë dhe të bëje të mundur përfaqësimin autentik të pakicave respektivisht të shqiptarëve si popull autokton në Parlamentin e Malit të Zi.Përfaqësimi autentik i shqiptarëve në Parlament ka qenë dhe është kërkesë e vazhdueshme e subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi, kurse tash edhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve do të angazhohet fuqishëm në bazë të kompetencave të veta që kjo e drejtë legjitime e shqiptarëve që garantohet edhe me Kushtetutë, të realizohet në praktikë” thuhet në kumtesë të cilën e ka nënshrkuar kryetari i KNSH, Tahir Tahiri.

Këshilli Nacional i Shqiptarëve, njofton Tahiri, u bën thirrje të gjithë institucioneve shtetërore, duke filluar nga Presidenti i Shtetit dhe faktorëve politikë parlamentarë, sidomos partive politike shqiptare, që të bëjnë çështë e mundur që të bisedojnë shtruar dhe qartë për realizimin e të drejtave në lëmin e përfaqësimit proporcional në organe shtetërore dhe organe vendore, në mënyrë që zgjedhjet eventuale të parakohshme apo të rregullta të jenë të drejta dhe fer.

KNSH , pohon Tahiri është i bindur se Mali i Zi në këtë rast nuk humb asgjë, por përkundrazi do të tregonte se është me të vërtetë i përkushtuar për avancimin e të drejtave të popujve pakicë që jetojnë në të, si një prej kushteve pa të cilin Mali i Zi nuk mund të pretendojë të aderojë në bashkësinë e shteteve demokratike europiane dhe të bëhet pjesë e aleancës së madhe Euroatlantike.

KOMENTOJE