Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi – UDSH ende nuk ka vendosur se si do të dalë në zgjedhje

Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) ende nuk ka vendosur se si do të dalë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por është e qartë se edhe dalja e pavarur në to do t’i mundësonte prezencën e mëtutjeshme në skenën politike, tha lideri i kësaj partie Ferhat Dinosha.
Ai deklaroi për Agjencinë MINA se deri tani nuk ka marrë ofertë për koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve.
“Deri tani nuk ka pasur sinjale dhe ne nuk do të jemi ata që do të kërkojmë diçka të tillë. Në qoftë se ndonjë partie më të fortë në skenën politike do t’i dukej se do të ishte i nevojshëm integrimi, ne do të shikonim se çfarë do të ishte oferta”, theksoi Dinosha.
Sipas fjalëve të tij, Këshilli Qendror i UDSH ende nuk ka marrë vendim për mënyrën e daljes në zgjedhje.
“Është e qartë se Unioni nuk u frikohet zgjedhjeve dhe se edhe dalja në mënyrë të pavarur do tzu mundësonte prezencën e mëtutjeshme në skenën politike të Malit të Zi”, pohon ai.
Dinosha vlerësoi se forcat politike të cilat kanë qenë të afta për ta rikthyer pavarësinë e Malit të Zi do të duhej që ta çonin vendin në rrugën drejt integrimeve europiane dhe euroatlantike.
“Kontributi i UDSH-së dhe pozicionimi i tij karshi projekteve kryesore do të ishin të dobishme edhe në periudhën e ardhshme për ecjen më të shpejtë të Malit të Zi drejt Europës dhe drejt NATO-s”, konsideron Dinosha.
Duke folur për çështjen e legjislacionit të zgjedhjeve, Dinosha tha se në qoftë se edhe te pozita dhe tek opozita do të ekzistojë vullneti për kthimin e dy neneve të kontestuara të Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave, të cilët përmbajnë mekanizmin e mandateve të garantuara, se kjo do të mund të realizohej në mbledhjen e parë të ardhshme të Kuvendit.
“Duke njohur raportet midis partive parlamentare dhe tendencat politike të tyre, e di se nuk do të ketë rezultat dhe se është qartë se zgjedjet e ardhshme do të zhvillohen sipas Ligjit të vjetër për zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve”, tha Dinosha. / Koha Javore /

KOMENTOJE