T’i shtrijmë dorën Malësisë

Kohen e fundit po e vërejmë se udhëheqësit e partive politike që veprojnë në Malësi po shpenzojnë mjaft shumë energji. Çdo ditë në media shef tituj nga këta udhëheqës.
Nëse nuk i lexon, fiton bindjen se me të vërtet po punojnë në detyrat që kanë.
Ndoshta kjo edhe është në plan-programin e tyre partiak. Së pari të vlerësojnë, ç’vlerësojnë njëri-tjetrin, të rregullojnë, ç’rregullojnë punët në mes njëri-tjetrit, të lahen e përlahen me njëri tjetrin, e kur ato të marrin fund (nëse ky plan ka fund) të merren edhe me Malësinë dhe nevojat e saj.
Malësia pret, ka kohë mjaft. Ndoshta edhe bëhet tepër vonë, ndoshta Malësia edhe nuk ka probleme me të cilat duhet marrë. Por sidoqoftë për udhëheqësit tonë, primare është lufta në mes partive, pozitë e opozitë, kombëtare e jokombëtare.
Këtë “lojë” Malësia po e paguan shtrenjtë, por s’ka gjë, se edhe udhëheqësit tonë paguhen.

Komunën e plotë e kemi kërkuar dhe e duam, e tash presim se një ditë vjen me postë. Por kem edhe nga ata që (për momentin) as nuk e duan. Sigurisht se kanë arsye e argumente të forta për këtë.

Po çka u bë me të arrestuarit e 9 shtatorit të vitit 2006!?
Duket se edhe me këtë u pajtuan. Njëra anë akuzoi qeverinë malazeze se janë arrestime me prapavi politike dhe sadopak e ngritën zërin, por kjo nuk mjafton.
Dy nga ky bllok politik (me votat e popullit) janë deputet në parlamentin e Malit të Zi. Pse nuk e bojkotuan atë parlament në shenjë proteste ndaj arrestimeve? A thua u frikuan se do ti rrezikojnë rrogat!?
Por ka edhe më keq, blloku tjetër politik beson në organet gjyqësore të Malit të Zi. Ajo është punë për gjyqin. I besohet gjyqit të cilit vet kryeprokurorja Medenica nuk i beson.

Zgjedhjet po afrohen e për mbledhjen e sa më shumë votave përdoren metoda nga më të ndryshmet, por jo ajo e punës. Njëra palë e ka për detyrë të hedhin baltë tjetrës palë e me urrejtje, duke përçarë popullin të sigurojnë karriget e buta.
Për të fituar luftën çdo metodë duhet konsideruar, por kundër kujt po luftohet, vetvetes!?

Në Malësi kjo fatkeqësi nisi shumë vite më parë, kurse sot fatkeqësisht po vazhdohet nga njerëzit tonë.
A thua edhe Malësia do ta ketë fatin e Tivarit, Plavës e Gucisë? Kjo varet nga të gjithë ne e posaçërisht nga ata që udhëheqin me të.
… shpresa vdes e fundit!

R. Ivezaj

KOMENTOJE