Ndonëse ende nuk është marrë vendim zyrtar, por sipas të gjitha gjasave, zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi do të mbahen këtë pranverë, edhe si datë e mundshme përmendet 29 marsi. Këto paralajmërime kanë vënë në lëvizje parti të ndryshme,të pozitë edhe të opozitës, synohen koalicione nga më të mundshmet. Socialistët në pushtet të Gjukanoviqit, së bashku me socialdemokratët që ushtrojnë pushtetin qendror tash dymbëdhjetë vjet, kanë me veti Unionin Demokratik të Shqiptarëve, i cili udhëheq me Ministrinë e Pakicave, por këtij grupimi politik i është qasur edhe Partia boshnjake. Funksionarë të socialistëve thonë se ka gjasa ky koalicion të zgjerohet. Edhe një pjesë e partive opozitare serbe,tashmë e kanë formuar një koalicion, i cili nëse arrin të marrë me vete edhe Partinë e Pensionistëve, subjekt ky i sapoformuar, mund të rrezikohet shansi i koalicionit të tashëm qeveritar. Nga sa shihet,vetëm partitë shqiptare kanë mbetur të shpërndara. Nuk ka asnjë iniciativë që të bashkohen edhe të formojnë një listë për të hyrë bashkërisht në zgjedhjet e ardhshme edhe për të marrë pesë mandatet e mundshme që janë definuar me Kushtetutën malazeze në zonën zgjedhore shqiptare.
Aktualisht janë tri parti nacionale parlamentare shqiptare: Unioni Demokratik i Shqiptarëve,Lidhja Demokratike në Malin e Zi dhe Alternativa Shqiptare. Për shkak të mosbashkëpunimit mes veti, partitë shqiptare, përkatësisht deputetët e tyre, në mandatin që tashmë po skadon katërvjeçar, nuk kanë arritur që të formojnë klub, e lëre më të kenë ndonjë nismë të përbashkët për të mbrojtur interesat e atyre që i kanë votuar. Në Ulqin, krahas këtyre tri partive ekzistuese parlamentare, janë edhe tri tjera që nuk kanë gjasa vetëm të marrin ndonjë mandat. Përjashtim mund të bëjë Forca e Re Demokratike,që është partia më e madhe shqiptare në Ulqin, edhe e ka shtri veprimtarinë e saj në Malësi,pastaj Partia e Prosperittit Demokratik dhe Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve pretendojnë drejt Kuvendit të Malit të Zi, por vetëm nuk mund të bëjnë asgjë. Ka qenë një lajm sensacional në prag të Vitit të Ri.
Për herë të parë nga viti 2006 janë takuar zyrtarët më të lartë ,përkatësisht liderët të tyre, Ferhat Dinosha, nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Gjergj Camaj, kryetar i Alternativës shqiptare. Ata kanë biseduar rreth përmirësimit të bashkëpunimit të dy partive, meqë në opinion shfaqin një rivalitet shumë të ashpër ,madje duke ngritur shpesh temperatura të larta politike në Malësi. Lideri i UDSH, Ferhat Dinosha ka thënë për Bota-sot se ky takim është inicuar nga ASH edhe ka shtuar se shpreson që bashkëpunimi nuk përfundon me këtë takim. ASH nuk kanë bashkëpunuar me UDSH, meqë ajo e ka akuzuar Dinoshën se “ka bërë gabim që e ka përkrahur Ligjin e kryeqytetit që Tuzin e përcakton si komunë urbane e Podgoricës e jo siç angazhohet ASH, komunë e plotë, sikur 21 tjerat në Malin e Zi.ASH , së bashku me LD në MZ dhe të një partie proserbe,ushtrojnë pushtetin lokal në Tuz, ndërsa UDSH është opozitë.
Zyrtari i lartë i ASH,Vasel Sinishtaj, deputet i saj në Kuvendin e Malit të Zi, publikisht ka ftuar partitë shqiptare që të hartojnë një platformë edhe një listë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare malazeze, madje duke apostrofuar që kësaj radhe duket të ketë deputet krahina e Plavës dhe Gucisë. Duhet theksuar se 41 mijë shqiptarët në Malin e Zi, ose diçka më shumë se 7 për qind e popullatës së këtij shteti, nëse dalin të përçarë në zgjedhjet e kësaj pranvere, atëherë do të jetë shumë vështirë për të siguruar një mandat të vetëm, e lëre më shumë. Sepse, shqiptarët në Malin e Zi janë edhe në 3-4 parti tjera të ashtuquajtura qytetare. Normalisht se numri më i madh i tyre përkrah socialistët e Gjukanoviqit, por nëse nuk do të jenë në një listë, atëherë do të ndodh “vdekje politike” e shqiptarëve në Malin e Zi.
Në opinionin politik shqiptar në Malin e Zi janë dy ftesa publike për t u bashkuar. Është ajo e Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe e Alternativës shqiptarëve. Por, është shumë vështirë të pranohen nga këto tjerat, sepse sikur nuk mund të merret me mend që të ulen në një tryezë të gjithë liderët shqiptarë, duke e ditur se secili i thotë vetes “jam më i madhi”!? Këto ditë pas festave në të gjitha selitë e partive shqiptare në Mal të Zi ka vërtetë një gjallëri të madhe. Madje me të drejtë vlerësohet angazhimi më maksimal, shpërndarja e kalendarëve partiakë. Tek të gjitha partitë nacionale shqiptare dominojnë imazhe kombëtare, sigurisht se Flamuri ynë kombëtar është i pashmangshëm. Ky simbol do të duhej të jetë simbol i unitetit edhe i tejkalimit të të gjitha inateve, jo të votuesve, por të liderëve që po bëjnë të pamundurën në luftë për karrike. / Ibrahim Berjashi – Bota Sot /