Gabove Dinoshë!

Nikollë Camaj

Asnjëherë nuk u kam ikur polemikave në mediume të ndryshme, i bindur se vetëm fjala, mendimi dhe qendrimi i shprehur publikisht mund të prodhojë ndonjë të mirë të përbashkët. Sidomos kur janë në pyetje veprimet publike të përfaqsuesëve politikë. Kështu ka ndodhur gjithnjë edhe me ju z. Dinosha. Polemikat i kam pranuar, apo inicuar, me andje, duke besura (sikur edhe ju), se kam të drejtë, por koha do ta dëshmojë këtë. Çka është kryesore, çdo herë kam vlerësuar se polemikat duhen të jenë në nivel, sepse ato shpesh flasin më tepër për autorin se sa për palën tjetër. Këtë e prisja edhe nga Ju, zotëri Dinosha. Besoj se argumentet “pro et contra” rreth komunës i kemi shterrur dhe, siç e thashë, po ia lëmë kohës të gjykojë, prandaj kësaj radhe nuk po mirrem me ato që i (t’i) kam thënë e shkruar disa herë.

Kësaj radhe shkas reagimi u bë një konstatim juaji lidhur me “kujdesin familjar” i cili, pajtohëm plotësisht, duhet të jetë permanent. Por çudit fakti se si diçka e tillë mund të dilte (t’ë rrëshqitte!) nga dora dhe mendja e një prindi, një veprimtari publik, pothuajse gjithë jetën e vet, dhe më në fund, nga mendja e një njeriu ndaj të cilit jeta nuk ka qenë e mëshirëshme, ngjashëm me atë ndaj familjes sime. A thua se vërtet, në mungesën e fakteve, për të më futur në valle me polemizuesit e tjerë (“dhëndurë sllavë apo bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete komuniste”), tentuat që me çdo kusht të bëni edhe një gërrithje në plagën familjare të dikujt. A thua se hallet familjare, të kujtdoqofshin, duhet t’i fusim në polemikat tona. A guxon kjo të ndollë, qoftë edhe në mungesë të fakteve të tjera. Atë që Ju e shkruani, nuk do ta citoj këtu, me bindje se as Ju vetë nuk do të dëshironit ta riloxoni, por çuditem, prej nga guximi, apo arsyeja që Nikollën Camaj ta përfolni për “mungesën e kujdesit” familjar.

Unë, vërtet, vetëm mund të hamendësoj cakun, por, nëse e kuptova drejtë, një gjë e tillë nuk pritej nga niveli juaj! Se tragjeditë e shumta, që kanë ndodhur në këto hapësira, për fat të keq, nuk i kanë kursyer as shumë familje të mëdha e të njohura, por mos u përësritëshin më. Sidoqoftë, nuk ka njerëz pa halle, as familje pa probleme, por e imja, me gjithë problemet e shumëta e rrufetë që i kanë rënë, në vijen e saj vertikale, çdo herë ka qenë në shërbim të këtij trualli e të njerëzve të saj, deri në sakrtificat ma të shtrenjta. Besoj se as për ju z. Dinosha, vija ime familjare, nuk është e panjohur. E unë, si biri i tyre, si vëlla dhe si prind, i kam shërbyer dhe do t’i mbetem besnik gjithë jetën, në shërbim të atyre vlerave, aq sa di e sa mundem. Unë asnjëherë nuk u mora, e as që do të merrem, me raportet familjare të kujtodqofshin, pikë së pari se nuk dua t’i jap vehtes mundësi që të gaboj e të bie pre e dezinformatave, e pastaj, duke besuar se me respektin ndaj familjeve të të tjerëve, i bëj nderë edhe familjes sime. Meqenëse Ju e dini, se kur të ndodhë një e keqe në familje, “dashamirë” ke sa të duash, nuk Ju ju prisja në mesin e tyre. Kur tjetër “grep” nuk patët, për të “më fshirë me të njëjtën fshisë” me të tjerët, apo për të më mundur, paragjykimi gjithësesi ishte “grepi” më i keq, z. Dinosha! Gabove, Dinoshë!

Botuar në “Koha Javore”, më 22. 01. 2009

KOMENTOJE