Ëndrra e kahmotshme e studiuesit të spikatur të shkencës shqiptare, Willy Kamsit, që të rivlerësohet dhe të rikthehet në vendin që i takon ajo krijimtari e françeskanëve e lënë në harresë me vetëdije nga diktatura komuniste në shtetin amë u bë realitet. Zoti Kamsi, ish ambasadori i parë i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë
nën firmën e Shtëpisë Botuesve të Françeskanëve në bashkëpunim me Bibliotekën Françeskane ” At Gjergj Fishta” në Shkodër në fund të vitit 2008 nxori në dritë, pas botimit të bibliografisë ” Hylli i dritës”, një tjetër përmbledhje bibliografike të plotë , këtë herë të revistës “Albania”, të themeluar nga mendimtari Faik Konica ( 1876-1942). Me këtë botim në 111 vjetorin e revistës” Albania” autori u dhuroi lexuesve shqiptarë një bibliografi historike me vlera të jashtëzakonshme historike në fushën e studimeve albanologjike të kulturës dhe traditës sonë kombëtare. Qëllimi i autorit është të nxjerrë në pah gjithë atë pasuri të pallogaritshme dhe të panjohur shkrimesh, studimesh e materialesh që gjetën vend në faqet e kësaj reviste. “Bibliografia që po paraqesim nuk duhet mendue vetëm si element informues, por kryesisht, sipas shestimit tonë, përmban një kontribut për me njoftu traditën në fushën e studimeve albanologjike e të kulturës në përgjithësi”, thotë Kamsi. Me këtë punë tentohet të vihet deri diku në vend dëmi i madh që ka bërë diktatura komuniste, duke shkatërruar arkiva të tëra, apo duke u vënë vulën “të ndaluara”. Në këtë bibliografi ofrohet pasqyra e plotë e gjithë veprimtarisë së revistës “Albania” me gjithë artikujt dhe autorët që shkruan në të. “Albania” është revista e parë, që pa dritën e botimit jashtë Shqipërisë. Ajo nisi botimin në nëntor të vitit 1896, për të dalë disa muaj më vonë në vitin 1897. Botimi i saj vijoi deri në vitin 1902, kohë kur Konica u vendos në Londër. Botimi vijoi edhe atje, deri në vitin 1907. Pushoi një vit, për t’u kthyer sërish, por me vetëm një numër. Edhe pse një histori me luhatje, hapje-mbylljesh, kjo revistë, arriti të bëhet një faktor i rëndësishëm në kohën e vet dhe mblodhi rreth saj pena si Luigj Gurakuqi ( u vra nga njerëzit e dërguar nga Ahmet Zogolli, At Shtjefën K Gjeçovi, ( u vra nga serbët) , At Pashko Bardhi, At Karl Prenushi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Mark Shllaku, të burgosur nga komunistët, At Gjergj Fishta, e Dom Ndre Mjeda të cilëve komunistët u tretën eshtrat mbasi nxorrën prej vorrit. Ndre Mjeda, Ndoc Nikaj. Në faqet e revistës ” Albania” me të cilë faik Konica synoi bashkimin e shqiptarëve, zuri vend më së shumti çështja e gjuhës shqipe, duke u kthyer në një referendum mbi formimin e një gjuhe të njësuar letrare. U botuan studime për alfabetin, morfologjinë, terminologjinë. Një vend të rëndësishëm zuri historia, ku synohej nxjerrja në dritë e burimeve të reja historike, dokumenteve që botoheshin për herë të parë. Iu la vend folklorit, por edhe poetëve të Rilindjes, që shërbenin për të frymëzuar çështjen kombëtare, madje u përkthyen në gjuhë të huaj edhe vepra të këtyre të fundit. Për një kohë të shkurtër revista u botua dhe në gjuhën frënge e turke, duke u bërë një pikë kontakti mes Shqipërisë dhe botës. Sipas mendimit të autorit të kësaj bibliografi ” puna e nisun e me revistën ” Albania” , e cila krtejt mire mund të numrohet si revistë e Shkodërs, ka me vijue me bibliografitë e disa revistave të tjera, tituj të rëndësishëm, me shpresë se kanë me u pritë mire e kanë me shërbye punëmn e studjuesve, tue lypë ndjesë në qoftë se, mabs nji shqyrtimi të imtë, na ka rrëshqitë ndonji gabim”. Kamsi transkriptimin e titujve e ka bërë duke ruajtur shkrimin original të revistës, Ai për çdo pseudonim, anagram dhe nistoret, kur ka qenë e mundur, ka dhënë shpjegim, duke duke vendosur përbri emrin e autorit, pastaj ka përfshirë të gjitha shënimet e botuesit, ka vendosur në kllapa katrore të gjithë nëntitujt që ka secili shkrim. Veç kësaj autori për t’i dalluar më mirë vjershat atyre u ka paraprirë me një hyllëz (*), kurse te këngët popullore, përveç hyllëzit ka dhënë vargun e parë në kursiv ( ose quajt ndryshe, me italike ) dhe ka përdorë disa shenja konvencionale etj.
Studiuesi Kamsi jeton në Shkodër i përkushtuar mbas botimit të disa veprave të randësishme siç është s treguesi i plotë i revistave «Hylli i Dritës», «Leka», «Albania» e Konicës, «Shêjzat» si edhe i disa materialeve me rëndësi historike siç janë «Ditari» historik i Shuk Gurakuqit, «Kujtimet» e Gjon Kamsit, një përmledhje të studimeve të veta me karakter historic, pastaj përkthimit të veprës së Jak Marlekajt, profesor për shumë dekada në Universitetin e Barit, «Pjetër Bogdani dhe Shqipnia e kohës së tij» të pajisur me treguesin e plotë të emrave . Ky intelektual , i cili jetoi gjithë jetën pa kompromise dhe pa vepruar kundër zërit të ndërgjegjes, duke dëshmuuar kështu se edhe gjatë komunizmit ishte e mundur të jetoshë pa u përlyer, merret edhe me histori, monumente e arkeologji, me gjuhë shqipe, sidomos me etimologji të toponomastikës historike e fusha të tjera shkencore. Willy Kamsi si i tillë me vlera njerëzore dhe shkencore ka mbetur i dashur, i respektuar, i vlerësuar jo vetëm nga intelektualët shqiptarë, por edhe të huaj.
Gjekë Gjonaj, Ulqin