SHS Besa i ka filluar përgatitjet për vitin 2009

“Nëse “Besa” këtë vit nuk do të ndihmohet nga strukturat e ndryshme komunale dhe republikane do të jemi të detyruar që t`i ndërpresim të gjitha aktivitetet dhe pjesëmarrjet në gara e ndryshme”, njofton trajneri i SHS “Besa”, Nikollë Gegaj.

Klubi i Taekwondo-së ” Besa” nga Tuzi që nga data 12-24 të këtij muaji për të gjitha moshat (pionerë, kadetë, juniorë dhe seniorë) i ka filluar përgatitjet bazike në Qendrën Sportive “Gjokaj”, për çka trajneri i “Besës”, Nikollë Gegaj e falënderon shumë mësimdhënësin e edukatës fizike, Gjokë Gjokaj.
Sipas tij, seniorët e këtij ekipi, Nua Rukaj dhe Linda Dushaj vijnë në përgatitje vetëm nga rasti në rast, kurse të tjerët nuk vijnë fare. Mosardhjen e tyre ai e arsyeton me faktin se ata nuk janë të ndihmuar dhe përkrahur sa duhet nga shoqëria jonë. SHS “Besa” vitin e kaluar nuk ka pasur fare buxhet të vetin, por as këtë vit nuk shpresohet se do ta ketë.
“Me mospërkrahjen e sportistëve, natyrisht se mungojnë edhe garuesit potencialë për pjesëmarrje në garat e ndryshme”, thotë trajneri Gegaj. Sipas tij, KU e Tuzit dhe Kryeqyteti ende nuk kanë paraparë ndonjë mjet finaciar për ekipin “Besa”.
“Disa herë kemi konkurruar me projekte, por pa sukses”, shprehet ai, duke treguar se “në nivelin shtetëror kemi fituar vetëm 1000 euro. Kjo është e gjithë ajo që kemi fituar për 17 vite veprimtari”.
Ai bën të ditur se nëse “Besa” këtë vit nuk do të ndihmohet financiarisht nga strukturat e ndryshme komunale dhe republikane, do të jemi të detyruar që t`i ndërpresim të gjitha aktivitetet dhe pjesëmarrjet në garat e ndryshme. ” Nëse nuk ndihmohemi pak nuk na ka mbetur gjë tjetër vetëm ta mbajmë shkollën e taekwondo-së”, pohon Gegaj.
Ekipi “Besa” u themelua 17 vite më parë dhe gjatë gjithë këtyre viteve ajo dhe garuesit e saj janë dalluar si më të mirit e kampionateve të organizuara në Mal të Zi, por edhe jashtë tij.
Federata e Taekwondo-së së Malit të Zi e ka shpallur ekipin “Besa” 4 herë kampione, çka do të thotë se kemi të bëjmë me një ekip mjaft serioz dhe të suksesshëm, andaj meriton edhe përkrahje. / Koha Javore /

KOMENTOJE