Tahiri uroi presidentin Sejdiu në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, Tahir Tahiri, nëpërmes një shkrese, uroi të hënën presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiun me rastin e 17 shkurtit, njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke u shprehur i bindur se Kosova do të dijë të përballet me të gjitha sfidat e reja në rrugën e saj drejt BE-së dhe integrimeve euro-atlantike. “Në këtë përvjetor të rëndësishëm për popullin e Kosovës, mbarë kombi shqiptar, dhe ne shqiptarët në Malin e Zi, jemi të gëzuar për sukseset e shtetit të ri të Kosovës si shtet i pamvarur e sovran.Krahas sukseseve, i nderuar President, janë edhe shumë sfida tjera të mëdha për forcimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës në funksion të përmirësimit të jetës dhe sigurisë së popullit të Kosovës,,ëndërr kjo e kahmotshme e bijave dhe bijëve më të mirë të cilët dhanë edhe jetën dhe u sakrifikuan për Kosovën siç është sot.,Ne shqiptarët në Malin e Zi jemi të bindur se Kosova me Ju në krye z.President dhe me përkrahjen e popullit të Kosovës do të dijë të përballet me të gjitha sfidat e reja bazuar edhe në rrugën e trasuar nga Presidenti Rugova.Ne urojmë që mençuria dhe përkushtimi Juaj për shtetin e Kosovës me ndihmën edhe të aleatëve tanë në botë më në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mundësojë që Kosova shumë shpejt të aderojë në bashkësinë e shteteve europiane dhe të integrohet në aleancën e madhe Euroatlantike.Arritjet i shtetit të Kosovës z. President janë një gëzim i madh për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen,duke përfshirë edhe ne shqiptarët si popull autokton në Malin e Zi” theksohet në mesazhin e kryetarit të KNSH , Tahiri drejtuar presidentit Sejdiu. Këshilli Nacional i Shqiptarëve telegrame urimi me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës i ka dërguar të hënen edhe kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi dhe kryetarit të AAK, Ramush Haradinaj. / Gjekë Gjonaj, Ulqin /

Këshilli Nacional i Shqiptarëve hapi zyrën në Ulqin

Në përvjetorin e parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Ulqin u hap zyra e Këshilllit Nacional të Shqiptarëve, veprimtaria e të cilit është mbrojtja,afirmimi dhe avancimi i të drejtave nacionale, kulturore, gjuhësore,fetare, informative,ekonomike dhe i të gjitha të drejtave të tjera të shqiptarëve në Malin e Zi. Kryetari i Këshillit Tahir Tahiri në fjajlën e hapjes theksoi se fillimi i punës së zyrës paraqet nje hap shumë të rëndësishëm për krijimin e kushteve në mbarëvajtjen e punëve dhe aktiviteteve të cilat janë në kompetencën e këtij këshilli. “KNSH do të angazhohet për zhvillimin e bashkëpunimit brenda komunitetit nacional shqiptar, për bashkëpunimin me popujt dhe bashkësitë nacionale tjera në Malin e Zi dhe institucionet, për bashkëpunimin dhe avancimin e marëdhënieve me shqiptarët në diasporë,me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të tyre dhe ruajtjes së identitetit të tyre nacional,kulturor ,gjuhësor dhe fetar”, tha Tahiri. Ai premtoi se KNSH do të bashkëpunojë me shtetin amë Shqiprinë,shqiptarët jashtë Malit të Zi në regjion dhe diasporë. Një prej qëllimeve të rëndësishme të Keshillit, shtoi Tahiri , do të jetë marrja e masave me qëllim të ndalimit të ndryshimit të strukturës nacionale të popullsisë në zonat ku jeton popullsia autoktone shqiptare . Tahiri u shpreh i bindur se me fillimin nga puna të zyrës së Këshillit dhe me angazhimin e të gjithë anëtarëve të tij dhe anëtarëve të trupave të punës,shumë prej këtyre qëllimeve do të mund të realizohen me sukses përmes hartimit të projekteve adekuate në fusha të caktuara me interes për shqiptarët në këtë republikë. Të shtojmë se KNSH është konstituuar në prill të vitit të kaluar. Këshilli krahas vështirësive materiale e financiare ka arritur të zgjedhë organet drejtuese, të aprovojë aktet më të rëndësishme normative, të formojë trupat dhe komisionet e nevojshme për funksionimin e tij.
/ Gjeke Gjonaj, Ulqin /

KOMENTOJE