E VËRTETA MBI SHQIPTARËT NËN MALIN E ZI

Hapja e ambasadave të Kosovës është një dardhë me bishtin prapa: po na vihen gjithfarë kushtesh vetëm për një ambasadë. Pas paralajmërimeve plot poterë në mediat malazeze të Fatmir Sejdiut për hapjen e njëfarë ambasade të Kosovës në Podgoricë reagoi menjëherë presidenti malazez Filip Vujanoviq i cili tha se hapja e ambasadës së Kosovës në Mal të Zi bëhet atëherë kur Kosova ta njohë në territorin e saj ‘pakicën malazeze’. Fatmiri më nuk e hapi gojën. Dhe heshtja e Fatmirit vërteton se malazezët nuk e kanë me hajgare këtë kushtëzim. Por ka edhe diçka tjetër në këtë mes; edhe po të çirrej me njëmijë JO e mospranime Fatmirit prapëseprapë nuk do t’i shkrepte pushka. Aq sa ka pasur ‘sukses’ në ‘ndaljen’ e 6 pikëshit, aq edhe mund të ketë ‘sukses’ në ‘ndaljen’ e kushtit malazez.
Arsyeja kryesore e Malit të Zi mbi njohjen e ‘pakicës malazeze’ në Kosovë është që të pamundësohet problematizimi (edhe ashtu i paproblematizuar) i shqiptarëve në Mal të Zi, të cilët ndodhen nën qarkun e një aparteidi politik e kulturor. Në politikë po nuk kushtëzove tjetrin, tjetri do të kushtëzojë ty. Është ky një mësim i pamësuar që nuk po e fut dot në mentalitet as politika e Shqipërisë as ajo e Kosovës. Prandaj, edhe po mbetemi përjetësisht të kushtëzuar nga të tjerët.
Shqipëria qe një ndër të parat vende që njohu pavarësinë e Malit të Zi përmes aktit normativ të 9 qershorit 2006. Njohja e Malit të Zi u bë pa kurrfarë kushti nga ana e Shqipërisë e cila ose harroi se qenëson një popull shqiptar në Mal të Zi në pozita të mjerueshme politike e shoqërore ose se sheh ëndërra syhapur se demek Mal i Zi do të europianizohet pas pavarësimit. Përkundrazi, Mali i Zi pas pavarësimit nuk është europianizuar siç pandehin disa por është malazezizuar edhe më shumë që po kushton në rrënimin e mëtutjeshëm të shqiptarëve në këtë vend. Shkurt, në Mal të Zi nuk po përvijon një politikë që do të përmisonte gjendjen e shqiptarëve por po përvijon një politikë e cila shquhet nga malezezocentrizmi. Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane për Ballkanin në një analizë të mirfilltë politike me titull ‘Çështja e papërfunduar e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi’ me 17 maj 2006 shkruante se: ‘Shqiptarët rëndom nuk e dinë faktin se shumica e zyrtarëve në Bashkimin Evropian dhe në SHBA dinë shumë pak për Malin e Zi sepse ky vend edhe pas shpërbërjes se ish-Jugosllavisë nuk është shndërruar asnjëherë në ‘pikë të nxehtë’’. Deri para pak kohësh, shqetësimet e Perëndimit për Malin e Zi janë përqëndruar kryesisht në mbajtjen e tij bashkë me Serbinë me çfarëdo çmimi dhe parandalimin e shpërthimit të krimit të organizuar dhe trafikimit të njeriut nga blloku lindor në Evropën Perëndimore’ .
Është shumë i padurueshëm dhe i paskrupullt ky keqidentifikim dhe mosnjohje e Perëndimit për Malin e Zi sepse nuk është problemi as te krimi i organizuar as te trafikimi por është realiteti i padrejtë politik brenda këtij shteti ku shqiptarët si e vetmja popullsi jo sllave gjenden para asimilimit dhe asgjësimit krejtësor. Pavarësia e Malit të Zi i veshi me pushtet të hekurt malazezët por gjendja e shqiptarëve nuk ndryshoi asnjë grimë nga ajo e mëparshmja sepse shqiptarët vazhdojnë te jetojnë të përbuzur e nëpërkëmbur si qytetarë të dorës së dytë. Edhe pse vota e shqiptarëve ishte e rëndësisë vendimtare në fitoren e referendumit për pavarësi, shqiptarëve nuk u ndryshoi aspak gjendja e tyre politike e ekonomike. Kushtetuta e re e Malit të Zi e miratuar në tetor të 2007’ës nuk mund të quhet dot barazim dhe përmirësim i popullsive në Mal të Zi; ajo më shumë është një përpjekje për t’i forcuar pozitat elementi i flashkët malazez që po lëkundet nga kërcënimi i vazhdueshëm i elementit proserb që vazhdon të qëndrojë si ‘Shpata e Damokleut’ mbi Malin e Zi. Kështu që manteli i ri kushtetues i Malit të Zi nuk ia ndryshoi aspak karakterin kundërshqiptar të këtij shteti. Edhe pse në Kushtetutën e re të Malit të Zi shqiptarët përmenden krahas serbëve, boshnjakëve e kroatëve, aty nuk saktësohet se çfarë statusi kanë shqiptarët në këtë shtet: a janë popull pakicë apo pakicë kombëtare? Dhe a është i padrejtë ligjësimi dhe madhërimi i malazezëve si ‘popull shtetformues’? Përgjigjjen e gjejmë nëse i hedhim një sy atlasit demografik të Malit të Zi ku ka mungesë të mbizotërimit të një populli shumicë dmth nuk ka popull që kapërcen 50% dhe mjafton pikërisht ky fakt që të përfundojmë se nëse malazezët njihen si komb me tipare shtetformuese, një e drejtë e tillë duhet t’u takojë edhe shqiptarëve. Sipas vetë statistikave malazeze të vitit 2003 malazez janë 40.64% (ose 273.366 banorë) kurse shqiptarët arrijnë 7.09% (47.682 banorë). Sa i përket shifrës së shqiptarëve, kjo duhet marrë me kursim sepse qarqet malazeze orvaten të japin një numër sa më të vogël të shqiptarëve. Shto kësaj edhe një numër shqiptarësh që janë të detyruar të deklarohen si malazez a boshnjak vetëm për bukën e gojës. Nuk ka sesi të mos nënvizohet fakti se popullsia shqiptare e Malit të Zi është vetëm sa gjysma e popullsisë që ishte në fund të Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët jetojnë në tërë rripin tokësor të kufirit jugor në një sipërfaqe prej afro 2.000 km² duke filluar nga Tivari, Ulqini, Kraja, Tuzi me Malësi, Gucia, Plava dhe Rozhaja. Veçmas në Tivar, Plavë e Guci dhe Rozhajë kemi të bëjmë me një situatë mizore ku po rritet elementi sllav në kurriz të zvogëlimit të shqiptarëve dhe tjetërsimit të tyre në boshnjak. Janë pikërisht trevat shqiptare me të varfërat në Mal të Zi ku nuk ka fare ekonomi a investime gjë që po ysht pandalshëm një emigrim me përmasa kanosëse e shqetësuese. Shirley Diogardi ka të drejtë kur shkruan: ‘Mali i Zi ia doli t’i detyronte shqiptarët të iknin nga tokat e tyre pa shkrepur asnjë fishek, por falë praktikave antinjerzore siç janë, fjala vjen, mohimi i shërbimeve themelore të jetesës, si mungesa e ujit të pijshëm, e rrymës, e telefonit, pastaj mungesa shumë e theksuar e shkollimit, papunësia, mospjesmarrja në jetën politike, konfiskimi i mijëra hektarëve tokë në pronësi të shqiptarëve, dhënia e dokumenteve të shumta ilegale për inkurajimin e imigrimit jashtë vendit, persekutimin dhe burgosja e disidentëve dhe akordimi i lehtësirave dhe përfitimeve të shumta për ata shqiptarë që tregoheshin të gatshëm të hiqnin dorë nga gjuha dhe historia e tyre’
Fill pas pavarësimit Mali i Zi nisi mësymjen egërshane për të shtypur shqiptarët. Aksioni famëkeq policor ‘Fluturimi i Shqiponjës’ rrjedhoi me arrestimin e 19 shqiptarëve të Tuzit dhe terrorizimin psikologjik e fizik të shqiptarëve të Malësisë (rrethina e Tuzit). Madje, zyrtarë të policisë malazeze u patën shprehur se këto arrestime ishin mbështetur edhe nga policia shqiptare. Preteksti i kësaj mësymje policore u gjet tek armët që u gjenden në shtëpitë e të arrestuarëve, ndonëse vetë shteti malazez me vetëdije u ka shprëndarë shqiptarëve e boshnjakëve armë sepse blloku pro-pavarësisë i trembej reagimit të mundshëm të ushtrisë serbe të dislokuar në Mal të Zi dhe elementëve të shumtë proserb. Çaramatimin e shqiptarëve Milo Gjukanoviq e shihte si një mundësi për të vazhduar në të ardhmen me aksione e mësymje të tilla. Të arrestuarëve iu ngritën akuza satanike për gjoja terrorizëm e çkamos tjetër, kurse popullsisë së terrorizuar të Malësisë
as nuk iu kërkua falje publike as nuk iu dha dëmshpërblim. Madje, policia malazeze ka anuluar protestën e familjarëve të të arrestuarëve e paraparë të bëhej me 14 dhjetor 2006 para konsullatës amerikane në Podgoricë. Por, për dikë gjërat nuk duken kështu. Në nëntor të vitit 2008 gjatë vizitës së kryemnistrit Gjukanoviq në Shqipëri, kryeministri shqiptar Sali Berisha u shpreh me një emfazë skandaloze se: ‘Shqiptarët kanë pasur dhe kanë tek Milo Gjukanoviq një mik të çmuar dhe mik të ditëve të tyre të vështira. Ndihma e çmuar që ai personalisht dhe kombi i tij iu dhanë shqiptarëve në ditët e tyre më të vështira, njohja që qeveria dhe vendi i tij i bënë pavarësisë së Kosovës, përbëjnë një bazë për marëdhënie të shkëlqyera midis dy vendeve’.
Në librin e tij objektiv publicisti Haxhi Shabani ‘Rrezikimi i gjuhës shqipe – për dygjuhësinë te shqiptarët e Ulqinit’ (studim, Toena, Tirane 2007) në sajë të anketimeve që ka bërë me 2006 në Ulqin shqipja përdoret 61 herë më pak në krahasim me vitin 1996 në po të njejtin vend. Kjo edhe më shumë qartëson faktin se shqiptarët në Mal të Zi pos pakësimit numerik po u kërcënohet edhe zhdukja e gjuhës shqipe gjë që nëse vazhdon me hapa të tillë mund të asgjësojë fatalisht ardhmërinë e tyre. Ndërkaq, shqiptarët edhe aty ku janë shumicë dërrmuese nuk kanë administratë të mirfilltë lokale si bie fjala në komunën urbane të Tuzit që nuk gëzon kompetenca të plota dhe ato që i gëzon i ka të cungosura mozamakeq meqenëse Podgorica vijon arbitrarisht ta konsiderojë Tuzin si nënkomunë të vet. Pikërisht në ditën e qytetit të Podgoricës, kryetari i komunës urbane të Tuzit Smail Çunmulaj tha: ‘Sot, kryeqyteti Podgorica kremton ditën e vet, me objekte të reja grandioze, ndërsa Malësia si nënkomunë e saj vuan për ujë të pijshëm dhe rrugë automobilistike, është zona më e pazhvilluar në shtet, por zë vendin e parë për emigrimin e shqiptarëve në vendet tejoqeanike për të siguruar mbijetesën ekonomike’. Derisa në një anë shqiptarëve nuk iu lejohet një komunë e mirfilltë në Tuz, në anën tjetër në Kosovë serbëve iu krijohen parakushte edhe për themelimin e komunave të reja panserbe, mjafton që ta përmbushin kushtin e 75% për një vendbanim prej pesë mijë banorësh. Pikërisht, në kohën kur Shqipëria rrah gjoks për përparim në MSA e marrje të ftesës për NATO, në kohën kur trumbetojnë se shqiptarët po përjetojnë më shumë liri e mirëqenie në Ballkan, në kohën kur aq shumë e përmendim interesin amerikan dhe përputhshmërinë me interesin tonë, kur aq shumë përmendim integrimin në Europë, shqiptarët nën Mal të Zi (sikundër edhe ata të Kosovës Lindore dhe Iliridës) vazhdojnë ta paguajnë haraçin e shpërfilljes së politikës shqiptare që popmpozon ‘sukseset’ e saj. Mbase, gjendja e shqiptarëve në këto treva është një demantim i llafazanërisë dhe vanitetit të politikës shqiptare. Pikërisht me 10 dhjetor 2008 me rastin e 60 vjetorit të Deklaratës së Përgjithshme të Drejtave të Njeriut, Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe ‘Martin Dreshaj’ në Pejë kanë nisur një protestë artistike duke u lidhur me litarë e duke mbajtur mbishkrime që tregonin realitetin e Malësisë. ‘Po bëjmë këtë protestë artistike sot kur në botën demokratike shënohet 60 vjetori i Deklaratës së Përgjithshme mbi të drejtat e njeriut. Po iu rikujtojmë qytetarë të dashur se në Kosovë pakicat kanë më shumë të drejta sesa që janë përcaktuar në këtë deklaratë, madje është pakica serbe në Kosovë ajo që përkëdhelet dhe i plotësohet çdo kërkesë, kurse Malësisë dhe Kosovës Lindore pushtetet e Malit të Zi e të Serbisë ua mohojnë edhe të drejtat më elementare. Malësia vazhdon të mbetet e burgosur’ iu drejtua qytetarëve zëdhënësi i Shoqatës Rrahman Jasharaj.
Ndërkohë para një muaji në takimin e sipërpërmendur midis Sali Berishës dhe Gjukanoviqit thuhej nga goja e vetë kryeminsitrit shqiptar se: ‘Në Mal të Zi jeton një pakicë shqiptare, e cila gëzon standardet europiane të lirive dhe të drejtave që u takojnë. Ata marrin pjesë aktive në konsolidimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut në vendin e tyre’.
Kjo shenjëzon se në çfarë pozitë fyese është platitur shteti shqiptar. Në vend se Shqipëria politikën e saj shtetërore ta farkëtojë në bazë të interesit jetik të shqiptarëve në trevat etnike jashtë saj, asaj i është imponuar që problemin e shqiptarëve në këto treva ta shohë në prizmin e Malit të Zi, Serbisë a Maqedonisë që psallin se gjendja e shqiptarëve është e mirë. Kjo është e rrezikshme sepse u mundëson ta interiorizojnë çështjen e shqiptarëve brenda shteteve të tyre aq sa thonë: ‘është çështje jona e brendshme’. Pastaj, Shqipërisë i mbetet veç një rol në skenë: roli i zjarrfikësit – qetësuesit politik në kohën kur shqiptarët organizohen në këto treva. Me 25 maj 2007 ministrat e mbrojtjes të Maqedonisë dhe Malit të Zi Llazar Elenovski dhe Boro Vuçiniq zyrtarizuan një ‘memorandum për bashkëpunim në mbrojtje’. Syleshët do të thoshin se nuk ka gjë të keqe nga kjo marrëveshje sepse bota or’e çast po integrohet përfshirë edhe në çështjet e sigurisë! Por një vëzhgim zhbirues pikas thelbin e gjërave më ndryshe. Maqedonia dhe Mali i Zi ndonëse në të njejtin rajon gjeografikisht, nuk janë vend fqinje që kufizohen territorialisht njëra me tjetrën. Atëherë çfarë i shtyri në këtë krushqi aleance ndërsllave? Puna është se që të dyja këto shtete qelqi janë të ngrehura artificialisht në toka shqiptare që i kanë pushtuar ushtarakisht. Maqedonia mban nën sundim 700.000 shqiptarë, ndërsa Mali i Zi 50.000 shqiptarë. Kjo nuk është tjetër veçse një aleancë për fortifikimin dhe mirëmbajtjen e kolonializmit. Sprapsja e këtyre alencave kundërshqiptare nuk bëhët ashtu siç po tellallisin politikanët tanë: ‘Kur të hyjmë në BE bashkohemi të gjithë shqiptarët’. Këta që shohin këso ëndërra bëjnë mirë që t’i pyesin politikanët hungarezë në u bashkuan hungarezët pas integrimit në BE. Një pjesë e numërt hungarezësh etnik jetojnë në Rumani (Transilvani), e cila Rumani u patë bërë pjesë e BE në vitin 2007. Tregimi hungarez duhet të jetë një mësim për ne se BE nuk të bashkon kombëtarisht por vetëm ndërkombëtarisht. Është koha tani kur shteti shqiptar duhet të ndjekë një politikë koherente kombëtare me synim faktorizimin dhe konvergimin e gjithë shqiptarëve drejt një qendre të vetme politike: Tiranës!

Salih Mehmeti
17 Janar 2009
Prishtinë

KOMENTOJE