LD në MZ në Tuz kremtoi 1-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Në vazhdën e shënimit të datave të historisë kombëtare, si obligim të vetin programor, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, shënoi ditëlindjen e parë të shtetit të pavarur të Kosovës.

Në takimin e rastin, që u mbajt në lokalet e restorantit “Niagara” te ujëvarat e Lumit Cem, përpos kreut të LD-së nga të gjitha viset shqiptare në Malin e Zi dhe aktivistëve e simpatizantëve nga Dega e Malësisë, prezent ishte edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Tonin Beci me bashkëpuntorët e vet, që e bënë edhe më madhështor këtë festim.

Me këtë rast, kryetari i LD në MZ, zoti Mehmet Bardhi, në emër të subjektit të parë politik të shqiptarëve në Mal të Zi, i ndau Fletëfalenderim Ambasadorit të SHBA-ve, për kontributin e dhënë të SHBA-ve në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Në fletëfalënderim që e lexoi zotëri Bardhi thuhet:
– I nderuari ekselencë Ambasador Moore,

Lidhja Demokratike në Mal të Zi, partia e parë politike e shqiptarëve që janë popull autokton në trojet e veta shekullore, sot në Malin e Zi (e formuar më 09. 09. 1990 në Tuz), me kënaqësi dhe respekt me anë të këtij fletëfalënderimi, në emër të shqiptarëve në MZ, ju falënderojmë JU dhe përmes JUSH Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe udhëheqësit e saj, për të gjitha që bënë për zhvillimet e mbara, për ndihmën, përkrahjen dhe angazhimet miqësore e njerëzore, diplomatike e ushtarake, shkencore-arsimore e materiale për PAVARËSINË E KOSOVËS, për realizimin e të drejtave, të shqiptarëve, për zhvillimet demokratike, për stabilitetin e paqën e vendosur.

KOSOVA, falë ndihmës së pakursyer e të gjithanshme të SHBA-ve dhe Aleatëve Evropianë sot po gëzon lirinë dhe PAVARËSINË.

Faleminderit Amerikë!

Me respekt.

Tuz, më 17 shkurt 2009

Mehmet BARDHI, kryetar i LD në MZ dhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi

Ndërsa fjalën përshëndetëse e pati kryetari i Degës së Malësisë, z. Nikollë Camaj, i cili ndër të tjerat tha :
“ Ne si gjeneratë, ishim të privilegjuar të jetojmë në kohën kur shqiptarët realizuan edhe një prej aspiratave të veta, si ogur i mirë për realizimin e të gjitha të drejtave që na takojnë edhe ne, si kombi më i lashtë në Ballkan.

Dihet se pavarësia e Kosovës u arrit me sakrifica të mëdha dhe me kontribut të pakontestueshëm nga të gjithë shqiptarët. Dhe jo vetëm nga ata. Aty ishin edhe miqtë tonë të dëshmuar që nga koha e formimit të shtetit shqiptar. Aty qenë aleatët tonë amerikanë edhe ata europian, të cilët me kontributin e vet ndreqën një pjesë të të padrejtës që na ishte bërë para më se një shekulli, duke na lënë, padrejtësisht, të ndarë.

Aso kohe as Malësia e trevat tjera shqiptare në Mal të Zi, nuk ndejën duerkryq, por ndihmuan e suportuan aq sa patën mundësi. Shqiptarët e këtushëm vetëm tentuan që t’i jenë mirënjohës Kosovës për të gjitha që ajo i bëri për ne, me dekada të tëra. Ne që u shkolluem atje, e përmes nesh, gjithë shqiptarët në Mal të Zi, ia kemi borxh Kosovës për jetë të jetëve, se atje mësuam dhe u formuam, si intelektual e si atëdhedashës, sepse atje nuk mësuam vetëm dien e shkencës, por edhe dien e atëdhedashurisë, dien e atëdhtarizmës, pa të cilën drua se në këto vise as që ishte folur shqip.

Por, nevoja jonë për Kosovën, nuk ka marrë fund. Me rriten e sajë, me forcimin e institucioneve të sajë, rriten edhe pritjet tona. Se ne, me dy shtete amë, nuk mund e nuk guxojmë të mbetemi bonjakë. E shpesh po ndihemi si të tillë! Statusi ynë i pazgjidhur, të burgosurit politikë, Malësia pa komunë, pronat e uzurpuara e të kolonizuara, presin përkrahje!
Urojmë që pavarësia të jetë e përjetëshme, si edhe kujtimi në ata që u flijuna në alltar të shtetit të ri shqiptar.”- tha , ndër të tjera z.. Camaj.
Sherbimi Informativ i LD ne MZ

KOMENTOJE