Partitë shqiptare para zgjedhjeve parlamentare në Mali të Zi

Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Malit të Zi që nga dita e hënë pret dorëzimin e listave të partive politike ose të grupeve të qytetarëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare të 29 marsit. Derisa në nivelin shtetëror, tashmë kemi një gjendje,sidokudo, të qartë se si do të dalin në këtë garë zgjedhore partitë politike, duke filluar nga Partia Demokratike e Socialistëve dhe Partia Socialdemokratike, të cilat kanë një koalicion 12- vjeçar edhe me vete marrin një numër të konsiderueshëm të votave të shqiptarëve. Janë të qarta edhe subjektet politike që përfaqësojnë kroatët edhe bonjakët, të cilët nuk janë hamendur shumë, i kanë bashkuar koalicionit qeveritar.

Partitë politike shqiptare,ndonëse që në fillim të këtij muaji flitet se kanë nisur negociata,por nga selitë e asnjërës parti nuk ka dalë asnjë fjalë e vetme për asnjë bashkërenditje eventuale. Në të vërtetë, këto ditë dalën me telegrami urimi me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës,por jo edhe me ndonjë lajm të mirë se kanë arritur ndonjë bashkërenditje mes veti për t u bashkuar për në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 29 marsit. Është edhe një karakteristikë tjetër,nga kontaktet që kemi, vërtetë telefonike,me disa nga autoritetet e partive politike shqiptare,marrim përgjigje se deri më tash bisedimet nuk kanë formalizuar asnjë marrëveshje, apo mosmarrëveshje.

Kjo vetëmbyllje brenda “bunkerit” politik të 3 apo 5 partive shqiptare, të cilat pretendojnë të hyjnë në “bursën” e konkurrencës zgjedhore,pa dyshim se mund të sjellë pasoja për vetë ato,duke e ditur se trupin zgjedhor shqiptar, i cili nga Ulqini e deri në Rozhajë numëron rreth 18 mijë votues,jo vetëm se është i copëtuar, por edhe i okupuar nga konfuziteti i partive politike nacionale. Në të vërtetë,duket tepër i lodhur nga numri i madh i partive politike, si dhe përplasjet që ndodhin mes tyre, por edhe me njëra tjetrën.

Listat e partive politike ose grupet e qytetarëve që prezantohen se përfaqësojnë shqiptarët,për të përmbushur kërkesat e Ligjit ekzistues zgjedhor, duhet të kenë përkrahjen, së paku, të 1- mijë nënshkrimeve të qytetarëve me të drejtë vote. Është shumë e nevojshme që negociatat të jenë transparente,reale dhe në funksion të gjetjes së zgjidhjes që shkon në interesin e shqiptarëve, e jo në interesin e subjektit politik, apo të ndonjë personi. Nga ky opsion kanë pësuar mjaft shqiptarët me vitet të tëra. Komunikimi me trupin votues,sigurisht do të reflektohej pozitivisht edhe tek votuesit, sepse sugjerimet e tyre mund të jenë shumë frytdhënëse në zhbllokimin e politikanëve që zënë peng skenën politike shqiptare me orekset e tyre karrieriste. / Ibrahim Berjashi – BOTA SOT /

KOMENTOJE