Një pyetje pa të keq liderëve shqiptar në Mal të Zi

Të nderuari Bardhi, Sinishtaj, Dinosha, Camaj, Hajdinaga, pa pasur ndonjë mundësi tjetër, vendosa të komunikoj me Juve përmes faqeve të malësia.org dhe t’ju shtroj pa të keq pyetjen pse ka kohë që zyrtarisht nuk keni vizituar Shqipërinë dhe Kosovën? Kjo bindje më është krijuar duke përcjellë me vëmendje mediat shqiptare dhe në to nuk kam hasur tani e sa kohë ndonjë raport për vizitat tuaja në këto dy shtete shqiptare. Më thoni vallë nuk doni, apo e keni të ndaluar këtë gjë nga pushteti momental në Mal të Zi ?

Të nderuari Bardhi, Sinishtaj, Dinosha, Camaj, Hajdinaga Ju kujtoj se para do kohe në Kosovë ishte , fillimisht për vizite jozyrtare, po doli pastaj si shumë zyrtare , Rifat Rastonder me një grumbull zyrtarësh nga atje. U takuan me ata, që dikur, pa i detyruar askush me zor, ishin vetëshpallur serbë, e që tani po duan të rishpallën malazez. Rastonder u takua po gjatë asaj vizite edhe me zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe kërkoi e gjeti mbështetje për këtë malazezët e ridefinuar si të tillë. Një javë pas kësaj vizite në RTK, një program në gjuhën serbe, u transmetuar gjerë e gjatë tryeza që Rastoder dhe stafi politik i Malit të Zi kishte mbajtur me përfaqësues të Shoqatës që po angazhohet për t’u bërë sa më shumë vend e për t’u krijuar sa më shumë privilegje atyre që do të rideklarahohen si malazez. Kjo tryezë më bëri të pyes vetën se vallë ku janë liderët shqiptarë në Mal të Zi që nuk duken këndej pari e të takohen me zyrtarë të lartë të Kosovës dhe të kërkojnë nga ta që me Malin e Zi të rregullohen gjërat në dobi të dyanshme. Të kërkojnë zyrtarisht që liderët e Kosovës të vizitojnë Malësinë dhe nga goja e popullit të lodhur nga vuajtjet e shqetësimet, të dëgjojë për realitetin aktual në ato troje dhe pasi të kenë dëgjuar mirë fjalën e malësorëve të takohen me kreun e Malit të Zi dhe në emër të marrëdhënieve të ndërsjella të kërkojnë vënien në jetë të kërkesave legjitime të shqiptarëve atje.

Të nderuarit Bardhi, Sinishtaj, Dinosha, Camaj, Hajdinaga kështu ishte dashur të veprohet përveç nëse Ju mendoni se Kosova në këto kohë marrëdhëniesh të reja me Malin e Zi nuk ka për çfarë ta ngrit zërin e të kërkojë. Nëse ekziston të Ju bindja se shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë nevojë për ndonjë mbrojtje diplomatike e për ndonjë zë në mbrojtjen e të drejtave të tyre, që po u mohohen, atëherë kjo është diçka tjetër, por duke pasur biseda të përditshme me shumë vëllezër nga Malësia kemi kuptuar se atje është një realitet i hidhur dhe se nuk është e qëndrueshme dhe e bazuar në fakte ndonjë deklaratë e malazezëve se shqiptarët atje gëzojnë të gjithë të drejtat. Malësorët atje kanë “gëzuar” bastisje, ofendime në baza nacionale dhe burgosje dhe pa pas seancave maratonike të “drejtësisë” malazeze se malësorët ishin arrestuar dhe u dënuan pa pasur as edhe një faj, kurse kishte në fillimet e këtij gjykimi, edhe lider shqiptarë nga atje, që kishte deklaruar edhe në RTK se “Fluturimi i shqiponjës” është punë e drejtësisë dhe e gjykatës të cilës u dashka të besohet.

Të nderuarit Bardhi, Sinishtaj, Dinosha, Camaj, Hajdinaga ua kam përmendur në një vend të emrat, jo pse keni faj njëjtë, por thash ndoshta kështu do të inatoseni të gjithë me mua dhe do të bëheni bashkë. S’ka gjë hidhërohuni në mua dhe në Shoqatën tonë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, por bashkohuni me njëri-tjetrin. Bashkohuni në emër dhe për hir të Malësisë dhe trojeve tjera shqiptare atje.

Të nderuarit Bardhi, Sinishtaj, Dinosha, Camaj, Hajdinaga, nëse kam thënë gjëra që nuk janë Ju lus vëllazërisht të reagoni dhe thoni çfarë nuk qëndron në këtë letër. Në fund edhe një herë Ju lus bashkohuni në njëjtin angazhim për të mirën e Malësisë dhe vizitojeni Kosovën dhe kërkoni nga kreu i saj të bëhet zë Juaji në takimet me zyrtarët e lartë të Malit të Zi.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE