REAGIM: A kemi bërë sa duhet për Dedë Gjo’ Lulin? nga Z. Gjekë Gjonaj

Artikulli i z.Gjekë Gjonaj është artikull me vend dhe shqyrton një temë mjaft serioze
për heroin mbarëkombëtar Dedë Gjo’ Lulin. Për më tepër se 50 vite, në Malësinë e Veriut të mbi Shkodrës (nën Mal te Zi), figura e heroit tonë u la mbas dore me qëllim dhe mbeti pothuaj se ne harresë të plotë! Falë demokratizimit të vendit në të cilin jetojmë, diaspora shqiptare në bashkëpunim me vendlindjen, kohët e fundit u perpoq të shfletojë historinë kombëtare dhe ti jep një pasqyrim të ri verpimatrisë dhe luftës së Dedë Gjo’ Lulit për çlirimin e tokave shqiptare.
Sado e idhët që është e kaluara jonë, diapsora shqiptare është përpjekur që të ndriçojë veprimtarinë e heroit tonë Dedë Gjo’ Lulit, i cili në emër të Malësisë, bëri sakrificë sublime duke dhënë jetën dhe familjen në shërbim të kombit!

Në 30 vitet e fundit, diaspora numëron disa veprimtari modeste që kishin për qëllim kremtimin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe njëherësh kontinuitetin e veprimtarisë tonë në ndriçimin e figurës së Dedë Gjo’ Lulit krahas të gjithe atyre që u flijuan pranë tij, për të mirën e popullit Shqiptar. Disa nga këto projekte janë:

1.Simpoziumi shkencor i mbajtur në kujtim të 85 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe ku ishin të pranishëm elita e akademikëve shqiptarë nga atdheu dhe disapora.
2.Sponzorimi i kremtimit të 90 vjetori i Kryengritjes së Malësisë se Madhe, i mbajtur në Malësi.
3.Kremitimi i 95 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe ku morën pjesë përsonalitete të shquara të komunitetit shqiptarë dhe amerikan në SHBA.
4.Në bashkëpunim me diasporën shqiptare dhe me vllaznitë e Hotit, Fondacioni Ded Gjo Luli sponzoroi Shtëpine Muze në Bardhaj të Hotit.

Si vazhdim i aktiviteteve tona në diasporë, Shoqata “Dedë Gjo’ Luli” në bashkëpunim të afërm me diasporën shqiptare në SHBA planifikon realizimin e disa projekteve tjera:

1.Ndërtimin e pllakës përkujtimore në Bratilë të Hotit (Deçiqit). Ky projekt parasheh që emrat e të gjithë dëshmorëve të jenë të pasqyruar në pllakë.
2.Sponzorimi i një monografie nga Prof. Romeo Gurakuqi kushtuar zbulimeve më të reja të tij mbi Kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe figurës së Dedë Gjo’ Lulit.
3.Ndërtimi i përmendorës sv Dedë Gjo’ Lulit në Tuz. Do të ishte mirë sikur të realizohej për 100 vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe.
4.Vazhdimi i kremtimit vjetor të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, këtu në diasporë, në mesin e vëllezërve dhe motrave tona.

Pra, kjo sugjeron që puna dhe veprimtaria jonë vazhdon dhe se sado modeste që ajo është, ne besojmë që vlera e saj mban gjallë emrin dhe veprat e Dedë Gjo’ Lulit. Njëkohësisht, jemi të mendimit se edukimi i gjeneratave të reja është më se i nevojshëm, si në vendlindje ashtu edhe në diasporë. Duhet te punojmë që veprat e shkruara dhe ato që do të shkruhen të vihen në përdorim në të gjithë librat e historisë së popullit Shqiptarë dhe në të gjitha shkollat Shqipe. Është më së e nevojshme që brezat e ri të edukohen dhe të njoftohen me veprimtarinë e heroit Dedë Gjo’ Luli gjatë zhvillimit të tyre akademik, nëpër bankinat e tyre shkollore.

Komisioni Informativ – Shoqata “Dedë Gjo’ Luli” New York, SHBA

KOMENTOJE